Roli i periodikut islam në shqip

Janë disa çështje lidhur me shtypin islam në gjuhën shqipe, me të cilat institucionet islame, në radhë të parë, por edhe kompetentët nga fusha të ndryshme duhet të ballafaqohen me këtë realitet. Duhet një ballafaqim i guximshëm i sinqertë dhe publik, për shkak se kjo çështje, tanimë nuk është vetëm në qarqet e dijetarëve apo studiuesve, por është bërë çështje e tërë opinionit publik që di dhe dëshiron të lexojë.

Problem me rëndësi të veçantë është shpërndarja e literaturës islame, qoftë e periodikut apo e librit. Kjo literaturë, kryesisht ka mbetur nëpër oborret e xhamive. Revistat dhe gazetat arrijnë shumë me vonesë, në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe në Mal të Zi, e lëre më të kalojë rrugë më të gjatë, ku jetojnë shqiptarë të përkatësisë islame nëpër botë. Ky problem i preokupon të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe qysh nga vitet ’90 e këndej. Që nga ajo kohë kur kjo veprimtari përjetoi rilindje pas gjysmë shekulli. Kjo rilindje, tashmë është shtrirë gjithandej ku i thuhet bukës bukë e ujit ujë. Ky është fakt inkurajues dhe me peshë shumë të madhe.

Derisa në vitet e njëzeta të shekullit XX, për periodikë e botime islame në gjuhën shqipe mund të flitej vetëm për Tiranën, sot kjo është krejtësisht ndryshe. Sot për këtë problem duhet të flitet për hapësirën gjithëshqiptare, me përqendrim të veçantë në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë – dhe jo vetëm këtu – (duhet shikuar edhe më gjerë: Shkodër, Tetovë, Prizren, Gjilan, Gjakovë e gjetiu), për shkak se pas vitit 1990 botimet islame lulëzuan në tëra këto qendra. Ky është një moment që trokiste në ndërgjegjen e institucioneve dhe inteligjencës islame për ta zgjuar dhe të vihet në ballë të kësaj veprimtarie dhe të kontribuojë për kultivimin e vlerave të mirëfillta islame me gjuhë, stil e përmbajtje të kulluar që rrjedh nga burimet islame, duke mbajtur parasysh gjithmonë kohën, pozitën, rrethanat në të cilat gjendet populli shqiptar në një anë, e në anën tjetër pa e harruar rrugën dhe peripecitë nëpër të cilat ka kaluar gjatë pesëdhjetë viteve të shkuara. Nga ky këndvështrim unë pres nga tërë subjektet përgjegjës, që të jemi vetëkritikë dhe t’i qasemi kësaj çështjeje me një analizë konkrete e konstruktive, duke pasë parasysh fjalën e shkruar në tërësi, qoftë në periodik apo në libra, për të parë se: Çfarë kemi bërë? Këtu kryesisht duhet koncentruar në periudhën pas vitit 1990, për shkak se deri atëherë fajin mund t’ia lëmë sistemit shtetëror totalitar, ndërkaq, pas kësaj kohe fajin kryesor duhet ta marrim mbi vete, nëse jemi të sinqertë.

Pas vitit 1990, do të thotë pas lëkundjeve të themeleve të totalitarizmit në përgjithësi në Ballkan, madje shembjes së tërësishme në Shqipëri, këtyre organeve periodike u shtohen edhe disa të tjera, si Bashkimi Paqësor, Ittifak, Drita e Jetës, Zgjimi Islam – në Kosovë; Drita Islame, Shkëlqimi Islam, Perspektiva, në Shqipëri; Elif, në Podgoricë, Vepra në Maqedoni etj.

Këto jepnin shpresë se po ringjallet jeta fetare dhe se me demokratizimin e jetës politike do të përmirësohet edhe jeta islame. Për fat të keq, nuk eci ashtu! Çka është dashur të bëjmë?

Ne është dashur që në atë periudhë të mobilizojmë tëra forcat intelektuale konstruktive – fillimisht kishte mjaft forca të tilla që shprehnin gatishmëri për angazhim, të etshëm ngase deri tash nuk kishin qenë të lirë të veprojnë në këtë fushë – dhe këto organe kulturore-informative, madje edhe botimet e veçanta t’i shpeshtojmë dhe t’i mbajmë në binarët tradicionalë të ndërtuar gjatë periudhës së kaluar, me ndonjë riparim të vogël, mbështetur në të arriturat e reja teknologjike e shkencore.

Ishte koha kur kjo veprimtari mund të udhëhiqej institucionalisht, por sigurisht kërkonte vënien në lëvizje të tërë potencialit ekzistues për këtë qëllim.

Mori hov veprimtaria botuese si islame ashtu edhe krishtere, dhe çka ndodhi? Derisa botimet islame nuk arrinin as te popullata islame sa duhej, ato krishtere – madje edhe e fraksioneve të ndryshme – mbuloi jo vetëm popullatën e krishterë, por edhe atë islame. Nëpër shtëpi, nëpër rrugë, madje edhe nëpër shkolla opinionit islam i ofrohen botime të ndryshme propagandistike të rrymave të krishtera.

Periodiku islam në gjuhën shqipe, në vend se të dalë më me rregull dhe të pasurohet me përmbajtje të re, krahas kohës, disa u pezulluan për një kohë, disa e ulën tirazhin, bënë kondensimin dhe e humbën hapin me kohën edhe për vete, e lëre më, të përcjellin botimet e veçanta nga kjo fushë.

Çka bëjmë?

Opinionit islam shqiptar i përcillen urimet për festat fetare, madje edhe ato jo nga të gjitha mediat, mbahet ndonjë tribunë – brenda ndonjë salle ku mund të zënë vend disa dhjetëra a qindra veta, mblidhen disa dhjetëra a qindra fëmijë, në kohën e pushimit veror për t’ua mësuar njohuritë elementare të fesë islame, kurse qindra mijëra të tjerë nuk kanë qasje fare në këtë formë të edukimit, e pastaj ne çuditemi përse nuk lexohet as periodiku e as literatura islame në gjuhën shqipe! Nuk është bërë ndonjë anketim i lexuesve lidhur me këtë, që të shihet ku dhe nga kush lexohet kjo literaturë, prandaj vlerësimet tona mund të jenë të pasakta. Duhet bërë një analizë si është dhe pse është kështu? Për ceremonitë solemne islame as bëhen parapërgatitje e as përcjellje në mediat informative në gjuhën shqipe, për shembull me ndonjë tryezë të rrumbullakët në radio a në TV, ndonjë intervistë apo mysafir rasti në ato media apo me ndonjë faqe speciale në të përditshme a të përjavshme, dhe forma tjera. Koha nuk ndalet, ajo të pret si sëpata dhe të lë prapa. Shtypi vërsulet me ofendimet më të rënda ndaj traditës islame, sidomos kundër femrës myslimane, kurse organet islame, sikur nuk ka ndodhur asgjë. I përmend kalimthi, nëse i kujtohet, por nuk reagon si e kërkon nevoja. Shoqatat e ndryshme botojnë dhe i ribotojnë me nga disa herë të njëjtët tituj, madje botime që fusin huti te lexuesit nga aspekti i veprimeve praktike islame, e periodiku hesht. Heshtja është përgjigje, por çfarë? Me atë heshtje legjitimohen si të vërteta tëra ato shpifje që bëhen kundër vlerave islame.

Ashtu i pranojmë edhe ato devijime që shprehen sot, sikur ndonjë korrigjim të normave fetare në periudhën e kaluar. E tërë kjo bëhet nën parullën: nuk është koha për të hapur probleme, duke harruar se për të vërtetën gjithmonë është koha, vetëm mos shto gjëra që nuk janë.

Çka duhet të bëjmë?

Vetëkritikë konstruktive. Përcaktim me sinqeritet dhe pa iluzione, për të vepruar sipas burimeve islame: Kur’ani Kerimit dhe Hadithit të Pejgamberit Muhamed a.s. Ballafaqim i guximshëm me intrigantët dhe antislamistët, në radhë të parë pa teprime, publikisht në mediat informative të shkruara dhe elektronike. Të veprohet sipas ajetit të Kur’anit: “Allahu nuk e ndërron gjendjen e një populli derisa ai nuk bën transformime në vete”, dhe të hadithit të Muhamedit a.s. se lufta më e rëndë është të luftosh me nefsin, egon tënde, pra me vetveten, jo ndërmjet veti.

Vetëm nëse veprojmë kështu mund të llogaritet ardhmëri e suksesshme. Në të kundërtën ardhmëria do të jetë më e errët. Nëse nuk veprojmë kështu, edhe pas këtejmi, do të vazhdojë njëlloj si deri tash, e që unë mendoj se nuk duhet të vazhdojë kështu. Ne jemi përgjegjës – secili nga pozita dhe mundësia e vet – për zhvillimet e kahet që po ndjek literatura islame shqiptare, sidomos botimet e veçanta, të cilat në krahasim me periodikun janë shumë më të përhapura dhe më problematike.

Sa i përket periodikut islam kam njohuri të pjesshme, por me sa e di unë tërë periodikët islamë në gjuhën shqipe kanë mbetur të mbyllura në vete dhe nuk komunikojnë me masën shqiptare në kuptimin e plotë të fjalës, konform mundësive teknike e teknologjike të kohës sonë.

Komunikojnë vetëm me një masë të kufizuar lexuesish në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe Podgoricë.

Madje vetëm me ata lexues të cilët frekuentojnë xhamitë dhe si shtresë e xhematit, nga përbërja e moshës dhe gjendjes familjare edhe pa këto revista, kanë në njëfarë mase njohuri themelore islame.

Derisa Drita Islame, Hëna e Re, Elifi, Vepra nuk gjendet në Prishtinë; në Tiranë nuk gjendet Dituria Islame, Edukata Islame, Hëna e re, Vepra; në Shkup nuk gjendet asnjëra prej organeve të përmendura, po ashtu edhe në Podgoricë, dhe kjo, jo vetëm te lexuesit që frekuentojnë xhamitë, por te lexuesit e bibliotekave të qytetit, Bibliotekave Kombëtare dhe universitare, te masa e studentëve dhe studiuesve të fushave të ndryshme, nuk mund të thuhet se shtypi islam në gjuhën shqipe e ka kryer funksionin e vet dhe se është në gjendje të luajë rolin që i takon.

Botimet e librave disi arrijnë, kurse te periodiku nuk e kemi këtë gjendje.

Kalon edhe më shumë se një javë e revista nuk arrin as në Kosovë në tërë qytetet e të mos flasim për rajonin gjithëshqiptar. Për ta kryer këtë funksion – në kushtet e sotme nuk kemi kënd të fajësojmë përveçse veten. Me një angazhim më të mirë, jo vetëm në baza vullnetare, por me organizim të sistemuar e të sanksionuar financiarisht dhe moralisht, e tërë kjo ka mundësi të arrihet më shpejt. Për financa, të parët tanë kanë lënë pasurinë e tërë: lokale, tokë, fabrika (vakëf) që sot duhet të vihen në shërbim të qëllimit për të cilin janë lënë, kurse te ne mbetet obligimi moral, sa jemi në nivel të shkallës morale për t’i shfrytëzuar racionalisht dhe me sinqeritet burimet që na kanë lënë në trashëgim dashamirët e fesë, të kulturës e të trashëgimisë islame.

Shfrytëzimi racional i atyre burimeve edhe masmediat mund t’i vejë në shërbim të shtypit islam. Për shembull, një informatë në TV ose Radio; në shtypin ditor… se nesër del në shitje kjo e kjo revistë … dhe ka këto e këto artikuj me interes për lexuesin… është një punë që bëhet lehtë dhe peshon rëndë. Ose me një tryezë të kohëpaskohshme në TV, a radio për botimet e veçanta islame, do të kontribuonte për distribuimin, por edhe përmirësimin e kualitetit të atyre botimeve.

Këtu, pikërisht duhet parë edhe roli e funksioni i periodikut islam. Nëse këto organe i përcjellin në mënyrë aktive rregullisht botimet islame në gjuhën shqipe, i prezantojnë dhe u bëjnë vërejtje e japin sugjerime për lëshime të rastit, por që nuk duhet të ndodhin në këtë lloj shtypi a botimi.

Së pari mendoj se janë krijuar rrethanat për një organ të përjavshëm (të paktën) islam-shqiptar, me redaksi koordinuese: Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Preshevë… me të cilën opinioni shqiptar do të informohet me kohë, se çka bëhet dhe çka nuk bëhet në këto hapësira.

Kjo duhet të jetë një gazetë/revistë e paanshme, e guximshme, konstruktive dhe me orientim të vendosur që sot të ecë nëpër gjemba për të kontribuar që nesër të ecet në mos nëpër lule, atëherë në një rrugë pa gjemba. Për këtë duhen angazhuar kuadrot dhe të orientohen në punë konkrete, të perfeksionohen profesionalisht dhe t’i hynë punës seriozisht. Së dyti, periodiku islam, sidomos gazetat, t’i përcjellin rregullisht botimet e literaturës islame në gjuhën shqipe, pavarësisht se ku botohen. Me një harmonizim të mirë, gazeta në rubrikën e kronikës, kurse periodiku në atë të kritikës do ta pasqyrojnë veprimtarinë botuese dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë që këtu të kultivohen vlerat e mirëfillta islame që mbështeten në traditën islame jo të përpiqen të ndërtojnë ardhmërinë mbi gërmadhat e shkaktuara për shkak të bindjeve ideologjike e shkollave të reja që pretendojnë të zëvendësojnë shkollat e vjetra islame. Me një qasje kritike konstruktive këtu do të pasqyrohen vlerat dhe antivlerat. Do të formohet një mekanizëm i përcjelljes profesionale të botimeve, qofshin përkthime apo vepra origjinale. Ky aparat nuk guxon të jetë anonim, si “… një grup përkthyesish pranë Darusselam”, apo “…një ekip i kualifikuar pranë Shtëpisë Botuese… nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë…” të ndonjë autoriteti, i cili nuk ka fare lidhje me gjuhën shqipe.

Periudha prej vitit 1990 e deri sot, sa i përket literaturës islame, ka nevojë të analizohet seriozisht dhe të evidentohen me sinqeritet lëshimet eventuale në mënyrë që kjo veprimtari të vihet në binarë të mirëfilltë islamë, në mënyrë që të mbyllen shtigjet e manipulimeve për numrin e feve, (periodiku islam nuk guxon të bie në grackën se shqiptarët kanë tri a katër fe, kur dihet se ndër shqiptarët ka vetëm Ungjill dhe Kur’an. Teurat, nëse ka, me promilë shumë të ulët, mund të përmendet sa për të thënë, ngase realiteti është ky: Shqiptarët kanë dy fe. Natyrisht tërë këto kërkojnë angazhim të gjithanshëm dhe konstruktiv, si institucional ashtu edhe individual, dhe njeriu duhet të bëjë atë çka mundet të bëjë, i vetëdijshëm se Allahu e di sa ka mundësi të bëjë çdokush.

Akademik Feti Mehdiu

/Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login