Roli i njeriut sipas Kuranit

Kuran-LeximMëkëmbës i Zotit dhe mbajtës i besës me Të

Njeriut i është bërë vend në tokë për të përfaqësuar Zotin, për të qenë mëkëmbës i Tij. Ky është dhe qëllimi i krijimit të njerëzimit. Ky mëkëmbës u vu në rolin e kujdestarit, e si pasojë mban përgjegjësi për ndryshimet në tokë dhe për shfrytëzimin e burimeve të saj, gjë që i këkorhet ta bëjë me drejtësi për veten dhe të gjithë njerëzimin (Kamali, 2003). Ndërsa natyra është vendi i testimit për njeriun, ky i fundit është udhëzuar të lexojë shenjat e saj për të kuptuar Zotin. Për këtë arsye dhe për të përmbushur misionin e tyre si mëkëmbës të Zotit, muslimanët zhvilluan shkencat e natyrës.

Kjo detyrë për njeriun përfshin edhe përgjegjësinë për burimet që Zoti ka dhënë. Mbi të gjitha, koncepti islam mbi dijen përfshin dijen transcendente dhe dijen racionale, të bazuar në arsye dhe vëzhgim. Si pasojë, të gjitha njohuritë e fituara përmes studimeve shkencore synojnë të shfrytëzojnë burimet natyrore në të mirë të njerëzimit dhe në rritjen e mirëqenies së tyre (Kamali, 2003). Kështu ka drejtësi dhe mëshirë për të gjithë. Prandaj, të gjitha orvatjet e shkencëtarëve duhet t’i qasen vlerave etike e teologjike, si dhe standardeve islame.

Këndvështrimi islam dhe ai perëndimor për natyrën

Në Islam, natyra është si e tillë ka një qëllim: që njeriu të njohë Zotin e më pas ta përdorë natyrën në të mirë të njerëzimit. Natyra mund të shfrytëzohet për të siguruar ushqim për njeriun, dhe të mirat e saj duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë mes njerëzve. Disa aktivitete mund ta dëmtojnë njeriun, dhe si pasojë dëmtimi i natyrës është i ndaluar. Shkatërrimi i ekulibrave natyrorë kundërshtohet, si, për shembull, vrasja e panevojshme e kafshëve ose zhvendosja e bimësisë, gjëra që mund të shkaktojnë uri për shkak të mungesës së ushqimit. Ky vëzhgim është një zgjatim i arsyes se pse njeriu është sjellë në tokë si mëkëmbës i Zotit (Faruki, 2006; Zaidi, 1991; Said, 1989). Në kohët moderne, dijetarët muslimanë përkrahnin shkencëtarët që motivohen nga këto vlera themelore kur ndërmarrin ndonjë zbulim.

Këndvështrimi islam mbi natyrën i ka rrënjët në Kuran, në fjalën e Zotit. Paragrafët në vijim, të marra nga Kurani, ilustrojnë marrëdhënien e njeriut me natyrën, dhe se si kjo marrdhënie frymëzoi dijetarët muslimanë të studionin fenomenet natyrore, për të kuptuar Zotin (Wersal, 1995). Gjithashtu, paragrafët në vijim tregojnë sesi Kurani paraqet mbarë universin:

Ne nuk i kemi krujuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur!

Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.” (Ed-Duhān, 38-39)

Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash; në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit dhe Tokës, pra në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.” (El-Bekare, 164)

Kështu njerëzimi është i frymëzuar të studiojë dhe kuptojë natyrën në funksion të qëllimeve të tij. Është për t’u nënvizuar qëndrimi empirik i Kuranit që shkaktoi ndër ndjekësit e tij përulje, dhe si rrjedhojë i bëri ata themelues të një shoqërie të ndritur (Ikbal, 1986). Kjo qasje për natyrën ndikoi që dijetarët e epokës së ashtuquajtur Epoka e Artë e Islamit të ndërmarrin nisma shkencore që u finalizuan në një korpus të madh zbulimesh shkencore të asaj kohe.

Këndvështrimi perëndimor mbi natyrën pas revolucionit shkencor kuptohej nga slogani: “Asnjë gjurmë e hyjnores nuk mund të shquhet në botën natyrore.” (Peters, 2003, f. 33) Si pasojë, çdo unanimitet shkencor që ishte arritur nga qytetërimi islam dhe që ekzistonte në Europë “u la mënjanë nga ngritja e shkencës moderne” (Nasr, 1996, f. 129) Ja çfarë shkruan Seyyed Hossein Nasr-i në punimin e tij Feja dhe rendi i natyrës (1996, f. 133):

“Kalimi nga teoria që rendi kozmik dhe ligjor është krijuar me vullnetin e Zotit dhe është në funksion të njeriut dhe natyrës, në teorinë që “ligji i natyrës” është i gjithi zbulim i arsyes njerëzore që identifikohet me ligje matematikore dhe që ndahet nga ligjet etike e shpirtërore, qe një transformim rrënjësor që luajti një rol kryesor për ngritjen e shkencës moderne. Kjo teori e ligjit të natyrës eklipsoi edhe botëkuptimin e Krishterimit për subjektin, edhe pse më vonë teologët u përpoqën të “krishterizonin” konceptin shkencor të shekullit të XVII për ligjet e natyrës. Është interesante të dihet që ky këndvështrim nuk u përqafua nga qytetërimet e tjera me një traditë të gjatë shkencore, si ai kinez, indian dhe islam, dhe kjo ngërthen një domethënie të madhe në ndarjen e Perëndimit modern nga qytetërimet e tjera për sa kohë që çështja mjedisore dhe fetare përbën një rëndësi të veçantë.”

Në analizën përfundimtare, duket që Europa vendosi ta ndryshojë shkencën mesjetare të ndikuar nga traditat shkencore islame. Platoni zëvëndësoi Aristotelin, dhe matematika ishte leva e shkencës. Me kontributet nga Nicholas Copernicus (1473-1543), tek Galileo Galilei (1564-1642) dhe Johannes Kepler (1571-1630), ky transformim kulmoi me veprën e Charles Darwin-it, Origjina e llojeve në shkencën biologjike dhe nënkuptimet filozofike.

Koyé (1892-1964), një historian i respektuar i shkencës, (cit. nga Ikbal 2002, f. 29) thotë:

“Ajo që bënë themeluesit e shkencës moderne nuk ishte pastrim dhe as përmirësim i asaj që kishin trashëguar. Atyre iu desh të shkatërronin nje botë për ta zëvëndësuar me një tjetër. Ata duhet të riformësonin strukturën tonë intelektuale, të rishpallnin dhe të refermonin konceptet tona; të përpunonin një qasje të re për Qenien, një koncept të ri për dijen, një koncept të ri për shkencën.”

Ndërtimi i urave midis shkencës islame dhe shkencës moderne

Në islam, përvetësimi i dijeve shkencore ose joshkencore nuk mbaron te vetja, por është një metodë për të njohur madhështinë e Zotit (Al-Hayani, 2005, f. 565). Për më tepër, dijetarët muslimanë kanë paraqitur shumëllojshmërinë e temave dhe orientimeve që tregon natyrën dinamike të Islamit, përtej imazhit që është portretizuar në media, si sistem idesh njëdimensionale dhe të  ngurta (Moaddel dhe Talattof, 2000, f.1). Gjatë historisë ka patur përplasje midis fesë dhe shkencës, megjithë përpjekjet e feve për të gjetur zgjidhje për problemet dhe degëzimet e zbulimeve të reja shkencore. Me ardhjen e shkencës moderne, dijetarët muslimanë u përballën me dilemën nëse ishte e vlefshme dija që kishte derivuar nga burimet jashtë Islamit dhe nëse ishte e përshtatshme metodologjia e përdorimit të katër burimeve tradicionale të jurisprudences: Kurani, Suneti, unanimiteti i dijetarëve (ixhmāʿ) dhe analogjia (kijās) (Moaddel dhe Talattof, 2000, f. 1).

Disa intelektualë u përpoqën të reformonin burimet e dijes islame duke i vënë në linjë me standardet aktuale të arsyetimit shkencor dhe teorinë e shkencës moderne. Disa prej tyre janë: Sayyid Jamal al-Din al-Afghani, Sayyid Ahmad Khan, Chiragh Ali, Muhammad Abduh, Amir Ali dhe Sibli Nu’mani (Moaddel dhe Talattof, 2000, f. 2). Këta dijetarë muslimanë u influencuan nga Perëndimi, sidomos nga arritjet e tij, duke nisur nga progresi shkencor dhe teknologjik, koncepti i Newton-it mbi universin, sociologjia e Spencer-it dhe evolucioni i Darwin-it, deri në mënyrën e jetesës në Perëndim (Moaddel dhe Talattof, 2000, f. 2).

Është e dukshme që ka patur debate dhe mospajtime midis dijetarëve që janë përpjekur të interpretonin zhvillimin e shkencës moderne në kontekstin historik islam dhe perspektivën fetare. Autorja është e mendimit që për të kuptuar më shumë, është i nevojshëm shtimi i informacioneve dhe pjesëmarrja aktive e dijetarëve që janë të angazhuar në kërkimet e zhvillimit të shkencës moderne në Perëndim, sipas kuadrit të mendimit islam. Nga njëra anë është e nevojshme të mbahen ligjërata për Islamin dhe shkencën Perëndimore me rrënjë në Kuran (Ikbal, 2002), dhe, nga ana tjetër, duhet të ligjërohet edhe për shkencën perëndimore dhe mendimin fetar, në kuadrin global. Në të dyja rastet, origjina e shkencës moderne në njëmijë vitet e fundit duhet të qartësohet më shumë, për sa kohë që shfaqet e ndryshme sipas këndvështrimit të Britanisë së Madhe dhe SHBA-së përgjatë shekujve XIX dhe XX.

Përktheu: Nejona Kadzadej

(Revista Drita Islame, Maj 2013)

 

You must be logged in to post a comment Login