Roli i fesë dhe problemet sociale të jetës

Nga: Gëzim Tushi

 Feja nuk është e tepërt

Zhvillimet e ndodhura në shoqërinë shqiptare, sidomos në këtë fazë të zhvillimit të periudhës postkomuniste, janë të mjaftueshme për të qenë realist dhe në një farë mënyre kanë qenë argumente të bollshme për të rivërtetuar ekzistencën e tezës universale, sipas së cilës asnjëherë dhe në çdo kohë nuk mund të mohohet roli i shëndoshë i fesë në shoqëri, sidomos tek besimtarët e saj. Në këtë kontekst askush që ka logjikë të shëndoshë, nuk ka të drejtë që duke qenë i njëanshëm të thotë se, tani që shoqëria shqiptare është në kohën moderne “feja bëhet e tepërt”.

Përkundrazi, zhvillimet dinamike që po ndodhin në thelbin e karakterit të shoqërisë demokratike shqiptare, dhe sidomos në ontologjinë dhe fenomenologjinë e natyrës së njeriut, tregojnë se është tezë e pandryshuar e vërteta që sa më moderne, shekullare të bëhet jeta e njeriut, sa më e zhvilluar është ajo nga ana materiale, aq më shumë ndihet nevoja e besimit fetar. Sepse ka ca probleme që nuk janë materiale, apo që janë përtej saj dhe që kanë të bëjnë me anën shpirtërore të jetës, e cila për shumë njerëz, për shkaqe që dihen, bëhet më e pasigurt, e paqartë, dilematike dhe e mbushur me probleme shpirtërore individuale dhe sfida të mëdha sociale. Pavarësisht dukjes dhe pretenciozitetit të natyrshëm të njerëzve tanë, duket qartë se në kohën e sotme nuk është ana materiale, por ajo shpirtërore që është bërë shqetësuese, e pakontrolluar, e vështirë për ta kuptuar esencën e saj nga njeriu i zakonshëm.

Në këtë kontekst, roli social, destinacioni shpirtëror i fesë dhe i institucioneve fetare është një detyrë permanente, komponent i përhershëm i saj. Padyshim që koha moderne në shoqërinë tonë ka sjellë natyrshëm, që feja krahas detyrave dhe angazhimeve tradicionale që ka patur historikisht, ka filluar të ketë edhe role, detyra, përgjegjësi dhe misione të reja që janë në përputhje me problematikat dhe dilemat e kohës moderne.

Unë besoj se kjo sfidë e ndryshimit të rolit të fesë në shoqërinë shqiptare të ditëve tona është serioze, sepse zhvillimi dhe modernizimi e ka bërë shoqërinë tonë që në të njëjtën kohë të modernizohet, laicizohet dhe shekullarizohet. Ndaj nëse feja në shoqërinë tonë nuk gjen këndin e vet të ndikimit shpirtëror në shoqëri dhe mbi njerëzit, atëherë do të jetë e vështirë për të që të ketë influencë sociale dhe të garantojë autoritetin e vet të merituar. Kjo do të thotë që klerikët dhe institucionet e shumta fetare në Shqipëri duhet të mendojnë që të gjejnë gamën e problemeve me të cilat feja dhe institucionet e kultit mund të përshtaten me kohën, sepse në se ato nuk i shërbejnë asaj, me siguri që e ardhmja e fesë jo vetëm nuk është optimiste, por është e zymtë.

Ne nuk mund të jemi pas kohës, apo të shpresojmë dhe kënaqemi me idenë e vjetër, që feja të mbetet një ideologji për njerëz të dobët, të pashpresë, që do vazhdojnë të kërkojnë edhe të gjejnë ngushëllime vetëm në formulimet eterike të saj. Feja në shoqërinë tonë duhet të kuptojë se koha ka determinuar që ajo të jetë dhe të bëhet institucion shpirtëror me funksione të reja sociale. Në këtë botë në të cilën është integruar shoqëria shqiptare moderne, çdo gjë ka ndryshuar. Ajo nuk mund të qëndrojë e paprekur, dhe ca më pak të qëndrojë e mbyllur pas “bedenave të kështjellës” së saj. Duke parë situatën sociale, prirjet kontroversale të jetës së individualizuar, tendencat e mbylljes në vetvete të njerëzve, largimin e tyre nga jeta sociale, krizat e shumta ekzistenciale, vështirësimin e rrugës së suksesit personal dhe shpeshtësinë e dështimeve që pësojnë njerëzit, mendoj se tani është koha për një ridimensionim të dukshëm dhe të shpejtë të rolit social, detyrave dhe përgjegjësive të reja të feve në vendin tonë. Ato mund dhe duhet të kenë një ndikim më të gjerë social.

Krizat e thella të identitetit, dobësimi i lidhjeve sociale dhe deformimi i institucioneve sociale të sigurisë morale (familjes dhe shkollës), shtimi i krimit, vrasjeve dhe vetëvrasjeve, boshllëqet e jetës morale dhe krizat shpirtërore, kanë evidentuar në mënyrë imperative nevojën e ridimensionimit të detyruar të rolit të fesë dhe institucioneve fetare, si kusht që ato të jenë kompatibël me kërkesat e kohës dhe sfidat e jetës, sigurisht konform parimeve dhe rregullave bazë të saj. Ky është kusht thelbësor që feja të mos mbesë në periferi të shoqërisë shqiptare.

Unë besoj se nuk është detyrë vetëm e fesë që të përballet me tërë problematikën sociale që ka shoqëria shqiptare sot, apo që ajo të ndeshet me tërë devijancat morale, shpirtërore dhe sjelljet joqytetare që shfaqin njerëzit tanë në ditët tona dhe për të cilat arsenali terapeutik i fesë është shumë i madh dhe tejet i dobishëm.

Në këtë kontekst është kërkesë e kohës moderne që feja dhe institucionet e saj të nderuara në vendin tonë, krahas punës dhe veprimtarisë që lidhet me problemet transcendentale, të ngulmojë më shumë për të ndihmuar njerëzit në kuptimin e problemeve të jetës së sotme që janë çështje me rëndësi empirike të botës reale. Natyrisht është e vërtetë që shumë sociologë të fesë, përdorin si argument për të justifikuar hapësirën e kufizuar të ndërhyrjes së fesë në fushën sociale, të vërtetën që, sipas mendimit tim, është e pjesshme, se fesë nuk i është dhënë as e drejta por as detyra që të punojë dhe të përpiqet të ndreqë “ata që janë jashtë saj”. Askush nuk mendon që institucionet fetare mund të spostojnë apo dublojnë institucionet e tjera të sigurisë morale, apo që ajo të bëjë detyrën që shoqëria institucionalisht ia ka ngarkuar familjes, shkollës, medias apo komunitetit.

Në këtë kontekst unë e gjej me vend atë konkluzion me vlerë që përdori kleriku i shquar amerikan Jery Falwell (1933-2007), sipas të cilit “Nuk na është thënë që të luftojmë kundër kontrabandistëve të alkoolit, kumarxhinjve, vrasësve, prostitutave, gangsterëve, të paragjykojmë persona apo institucione apo gjithçka tjetër të ngjashme të pushtuar prej djallit”. (Fareed Zakaria, “E ardhmja e lirisë”, faqe 218)

Por ja që feja ka disa “armë”, që realisht kanë fuqi të paneglizhueshme në shoqërinë tonë. Sepse jo vetëm ajo në tërësi por edhe njerëzit tanë veç e veç kanë nevojë më shumë për ushqim shpirtëror. Kjo do të thotë se institucionet fetare duhet të angazhohen që të pasurojnë shpirtin e njerëzve tanë me motive të shëndosha për jetën, duke iu larguar grackave dhe intrigave të jetës moderne, duke i korrigjuar sa më shumë të jetë e mundur patologjitë e saj.

Duket se thelbi i krizës së sotme që ka kapur shoqërinë tonë është në thelb, në formë dhe në përmbajtje tipikisht krizë e modernitetit, e shfaqur në të dy tipologjitë e saj kryesore: si “krizë e mendjes” dhe “krizë e shpirtit”. Në një farë mënyre, ne jemi në situatën kur e ajo e vlerësuar në mënyrë të integruar, duket si krizë totale e njeriut dhe strukturave sociale të shoqërisë.

Natyrisht pa mohuar rolin e shkencës, kulturës, shkollës, medias, etj., që janë faktorë për “shërimin e mendjes”, duket se feja dhe institucionet fetare kanë shumë pushtet që mund të ndikojnë në shërimin e shpirtit të tronditur të njeriut nga krizat e thella ekzistenciale, nga vakumet e frikshme shpirtërore, nga mungesa e sensit të orientimit të shëndetshëm.

Në një farë mënyre edhe për t’i ndihmuar njerëzit të shmangen nga rreziqet fatale të vetëvrasjeve apo kapitullimit biologjik përballë vështirësive të jetës së vërtetë. Jetojmë në kohë të vështira, kur është e pamundur të bëhet fjalë për “maxhoranca morale” që të kenë autoritet moral sundues në shoqërinë tonë.

Ky është një realitet që duhet njohur, vlerësuar dhe konsideruar nga pikëpamja morale, sociale dhe fetare. Ndaj teologët, sociologët dhe filozofët e modernitetit, mendojnë se një pozicion i ri i fesë dhe institucioneve të saj në raport me problemet e “botës së jetës”, tashmë është jo thjesht i nevojshëm, por dhe i domosdoshëm. Duke parë këto tipare dhe fenomenologji të jetës moderne në kohën tonë, unë mendoj se i duhet dhënë e drejta filozofit pragmatist Uiliam Xhejms, i cili me mprehtësi që në mesin e shekullit të kaluar, ka diktuar këtë rol të integruar social të fesë, dhe ka vlerësuar potencën e ndikimit sui generis të fesë në shoqërinë moderne. Në mënyrë autoritative filozofi pragmatist ka lënë një mësim për forcimin e rolit shpirtëror të fesë, që sipas mendimit tim është më se aktual dhe duhet përdorur edhe në kohën tonë. Sipas tij, “Feja në trajtën e shërimit psikik u jep disave prej nesh hare, ekuilibër, moral dhe lumturi dhe parandalon tërësisht njëlloj si shkenca, apo madje më mirë, forma të caktuara sëmundjesh tek një klasë e caktuar personash. Ai mendon se në kohën moderne shkenca dhe feja mund të jenë “…çelësa të kulluar për të hapur thesarin e botës”. (Maks Horkheimer, “Kritika e arsyes instrumentale”, faqe 50)

Në këtë kontekst, një riorientim më i qartë social dhe shpirtëror i institucioneve fetare në vendin tonë, tashmë është më se i domosdoshëm. Por kjo detyrë është nga ana tjetër, një motiv i madh social edhe një mundësi empirike, për ekzistencën autoritative dhe rolin substancial të fesë dhe të besimeve fetare. Në këtë fushë, mbase është momenti që institucionet fetare të përpunojnë strategji dhe rrugë të reja të intervenimit të dobishëm në jetën sociale, duke e ndihmuar shoqërinë dhe njerëzit tanë, që të kalojnë butë patologjitë dhe të përballojnë me dinjitet sindromat e qarta dhe ndikuese të jetës dhe modernitetit kulturor.

Nuk është rastësi që shumë herë ne i drejtohemi dhe kemi nevojë shpirtërore për “rregullat fetare”, dhe ato na krijojnë besim apo joshje psikologjike, pikërisht nga që jeta moderne e ka tronditur ekzistencialisht shoqërinë tonë, e cila ka shumë paqartësi, kaos, dobësim të standardeve morale, humbje të thellë të humanizmit dhe solidaritetit, që ka marrë prirje të thellë materialiste dhe konsumistike.

Një fe e orientuar nga shërbimet shpirtërore, e vënë në shërbim të plotësimit të vakumeve të jetës sociale, do t’ia rriste së tepërmi autoritetin institucioneve fetare në Shqipëri. Me fjalë të tjera, është koha që institucionet fetare të afrohen me nevojat reale të njeriut dhe shoqërisë tonë, duke u larguar ca nga problemet periferike dhe duke i “futur duart” në problemet e vërteta ekszistenciale, në problemet reale të “botës së jetës”. Në kohën e sotme pritshmëritë personale të njeriut dhe ato sociale nga feja janë shumë të mëdha. Ajo me siguri që do të dijë ta shumëfishojë autoritetin e duhur social duke u shërbyer atyre me devotshmëri.

(Revista Drita Islame, Korrik 2012)

 

You must be logged in to post a comment Login