Ramazani, shkolla e vlerave të larta njerëzore

“O ju që besoni! Agjërimi është bërë obligim për ju, ashtu siç u qe bërë obligim edhe atyre që ishin para jush, që ju të jeni të devotshëm.”( 2:183)

 

 

 

Ramazani, muaji i agjërimit, muaji i namazit të natës, muaji i leximit dhe i këndimit të Kuranit, muaji i sadakasë dhe i mirëbërësisë, muaji i mëshirës, muaji i shpëtimit nga zjarri, përfshin të gjitha rrethinat që janë përreth në shpirtin e të drejtës, të virtytit dhe të dhembshurisë.

Ramazani është pranuar si një muaj i rëndësishëm në shoqërinë islame për zbatimin e drejtësisë shpirtërore, në këtë muaj nuk ka ndryshim midis stomakut të të varfërit e atij të  të pasurit. Ramazani është muaji që pastrohemi prej një viti papastërtish, sëmundjesh lëndore dhe shpirtërore. Gjatë këtij muaji ne luftojmë me dëshirat tona të natyrshme legale, në mënyrë që të mund të fitojmë vullnetin për të braktisur mëkatet dhe dëshirat tona të ndaluara.

Ramazani është një periudhë vetedukimi për fuqizimin e ndjenjave njerëzore. Duke agjëruar hiqet dorë prej gjërave të zakonshme, që janë e drejta jonë më e natyrshme, prej gjërave të ndaluara si gënjeshtra, shpifja dhe thashethemet. Ramazani na dhuron të vërtetën, fuqinë dhe lirinë gjatë ditëve të urisë dhe të etjes, sepse gjatë lutjeve dhe zbatimit të urdhërave të Allahut, agjëruesi ndjen liri dhe pavarësi të plotë.

Agjërimi është disiplina më e drejtë e të gjithë disiplinave shpirtërore që i imponohen çdo të rrituri mysliman, grua apo burrë qoftë. Qëllimi i të ushqyerit shpirtëror është aftësimi i njeriut për të arritur afërsinë me Zotin e për të përfituar kënaqësinë e Tij. Agjërimi është lartësim i shpirtit, ushtrim për forcimin e trupit dhe nxitës për bamirësi. Ai është mbrojtës i njeriut. Në trupin e uritur zemra bëhet e pastër, zgjatet intelekti dhe shkëlqen intuita, ndërsa ngopja e verbon zemrën dhe e turbullon mendjen.

Agjërimi është akti më intim i devotshmërisë. Ai edukon, formon, rilind, disiplinon, fisnikëron dhe zhvillon të bukurën, atë që është humane dhe e dobishme. Prandaj ai duhet të jetë përpjekje për fisnikërimin e vetes me moral hyjnor. Ramazani është një muaj unik i vetanalizës, i rishikimit të vlerave morale e shpirtërore, i ekzaminimit kritik të portretit shpirtëror.

Në këtë periudhë besimtarët përpiqen që t’ia dedikojnë sa më shumë kohën Allahut, e prandaj ky muaj është koha e të vjelave të frutave të veprimeve tona. I dërguari i Allahut ka thënë: “Për çdo vepër të mirë njeriut i dhurohet rritja e shumëfishtë nga 10 – 700 herë’. Ndërsa Allahu i Madhëruar thotë: “Agjërimi është një përjashtim sepse ai është për Mua dhe Unë do ta shpërblej aq sa Unë do të dëshiroj…”

Ramazani është muaji i durimit, kurse shpërblimi i durimit është Xheneti. Ramazani është muaji i barazisë, i shtimit të mirësisë, gjesti i dikujt që i jep iftar një të agjëruari mund të bëhet pretekst për faljen e mëkateve të tij dhe për shpëtimin nga Xhehenemi.

Ata që e trajtojnë Ramazanin si muaj të urisë së ditës, ngopjes së natës dhe leximit formal të Kur’anit, nuk do të kenë kurrfarë dobie prej tij. Ndërsa ata që e konsiderojnë si shkollë për përtëritjen e besimit dhe edukatës, për forcimin  e shpirtit dhe vazhdimin e një jete më të mirë, do të kenë dobi prej tij, do të fitojnë kënaqësinë e Zotit dhe shpërblimin e premtuar prej Tij.

(Revista Drita Islame, Korrik 2013)

 

You must be logged in to post a comment Login