Ramazani, një muaj për t’u mos harruar

Të falënderoj o Zot, që edhe këtë vit ma mundësove ta arrij muajin e begatë të Ramazanit dhe ta agjëroj atë; të falënderoj që ma dhe mundësinë për t’u afruar më pranë nëpërmjet mysafirit Tënd, i cili qëndroi me ne për një muaj të plotë. Para se të lindte hëna rrezeartë e këtij muaji, bëra pakt me veten time që të mos i përgjigjem disave prej tekave dhe dëshirave të saj. I thashë: “Këtë muaj mos më kërko shumë, sepse do të jem i zënë me një mik të rrallë, që na viziton për mall, një herë në vit, ndërsa ty të kam përditë”. Vetja është e pangopur, sa më shumë t’i japësh aq më shumë kërkon, i ngjan xhehenemit, i cili sa herë do të pyetet: A u mbushe? Do të përgjigjet: A ka më?

Muajin e faljes dhe të mëshirës e kam pritur me shumë gëzim, si dhuratë prej teje o Zoti im. Më kishte marr malli për urinë e stomakut, për etjen e trupit, për thatësirën e buzëve, për zgjimin e gjallërimin e netëve, për “jetën e natës” brenda xhamive, por më shumë më digjte malli për fjalët e Tua, për Kur’anin Famëlartë, të cilin vendosa ta lexoj të plotë e me të, të lag gjuhën time të tharë, të ushqej trupin dhe shpirtin tim të etur për një menu të tillë, që si ajo nuk ka të dytë.

Përpara këtij Ramazani, kujtova atë të vitit të kaluar dhe e qortova veten rëndë, sepse e ndjeva që nuk kisha bërë aq sa duhej e aq sa kërkohej, aq sa unë të ndihesha i kënaqur dhe i mjaftuar me përpjekjet e mia. Por ja që rasti dhe shansi më erdhi sërish, përse të mos e shfrytëzoj ashtu siç unë synoj? Vendosa që me aq fuqi sa rropatem në 11 muajt e tjerë për nevojat e jetesës në këtë botë, pse të mos bëj të njëjtën gjë brenda ditëve dhe netëve të këtij muaji për sigurimin e mirëqenies sime në botën tjetër, e cila ndryshe nga kjo e përkohshmja është e përjetshme pa mbarim? Teravia e parë dhe syfyri i parë ishin lajmëtarët, që, praktikisht, më vetëdijesuan se mysafiri që rrugëtoi nëpër qiej me shpejtësi të pakrahasueshme, kishte kaluar qiellin e dynjasë dhe kishte prekur faqen e tokës.

Kishte ardhur koha të të manifestoj falënderimin o Zot për të gjitha të mirat e begatitë, të cilat na rrethojnë përgjatë muajve të tjerë jashtë Ramazanit; kishte ardhur koha t’i dorëzohem e gjunjëzohem mëshirës dhe faljes Tënde o Falës dhe Mëshirues i mbarë njerëzimit; kishte ardhur koha, që në mesin e shumë zërave drejt meje, të ngrija e të lartësoja zërin Tënd, që të ishte ai që do të kumbonte në brendinë e shpirtit tim. T’u përgjigja o Zoti im, t’u përgjigja, vetëm për Ty agjërova dhe vetëm me atë që Ti më furnizove u ushqye trupi im e u lagën damarët e mi. Shpërblimin e agjërimit vetëm prej Teje e pres dhe nuk kam dyshim në të. Kush ka kërkuar prej Teje e nuk i ke dhënë?! Kush të është përulur e nuk e ke lartësuar?! Lutjet e mia vetëm drejt Teje u drejtuan, balli im vetëm për Ty ra në sexhde, gjuha ime vetëm Ty të madhëroi e trupi im ishte në shërbim të shpirtit dhe nën komandën e tij. Të gjitha vështirësitë dhe lodhjet që përjetova nuk më sfiduan, pasi fokusi im ishte te arritja e kënaqësisë së Allahut, jo te lodhjet që kalojnë e fuqitë që rimerren e rigjenerohen, por te punët e mira që mbeten e vlerësohen.

Me fillimin e agjërimit gjithçka ndryshoi si me pult; ndryshoi gjendja ime shpirtërore, u bëra më i ndjeshëm ndaj çdokujt, isha më i gatshëm për të bërë mirë e për t’u larguar nga e keqja, isha më human dhe më njerëzor sesa në çdo kohë tjetër; isha më i përmbajtur dhe i duruar në situata, në të cilat jashtë Ramazanit, ndodh që edhe të shpërthej apo të reagoj i nervozuar. Çdo ditë me vrap rendja pas Kur’anit, për të lexuar një pjesë të tij, me qëllim që fundi i Ramazanit të më gjente me Kur’anin e përfunduar së lexuari, diçka që nuk para ndodh në kohë tjetër jashtë Ramazanit. Sofrat e iftareve na bënë që të takoheshim më shpesh mes vëllazërish me fytyra të qeshura e zemra të pastra, ku ai që na bashkoi ishe vetëm ti o i Madhi Zot, pasi për Ty duhemi, për Ty ndahemi dhe për hir Tëndin jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë. Netëve vonë, ëmbëlsinë e gjumit dhe pushimin gjatë tyre e zëvendësova me ëmbëlsinë e këndimit të Kur’anit, të faljes së namazit e të përmendjes Tënde, e kjo dozë u shtua edhe më shumë gjatë 10 netëve të fundit të Ramazanit, në kërkim të Mbretëreshës së Netëve, Natës sa një jetë e tërë, Natës së Kadrit. Në këtë gjendje më gjeti edhe iftari i fundit, i cili më komunikoi largimin e Ramazanit dhe se unë ia dola ta kem nën fre veten time, të paktën përgjatë këtij muaji.

Tani që Ramazani përfundoi, ndihem i lehtësuar sadopak nga barra e mëkateve, pasi besoj fuqishëm te bujaria e pakufishme e faljes dhe mëshirës Tënde, pasi nuk i fal mëkatet tona askush tjetër përveç Teje. Ti je Falës, Bujar, e do faljen, kështu që shpresoj të m’i kesh falur gjynahet e mia dhe të më kesh pastruar prej tyre. Nuk jam penduar aspak që përgjatë këtij muaji “e lashë pak pas dore” dynjanë, pasi atmosfera që më ofruan ditët dhe netët e Mbretit të muajve më mbushën çdo boshllëk timin. Thuhet se vështirësia më e madhe nuk është të arrish suksesin në një fushë të caktuar, por më e vështirë është të ecësh lart e më lart mbi atë nivel të arritur. Sa e lehtë do të jetë që gjithçka arrita në këto ditë, ta ruaj e ta mbaj fort për një vit të plotë?

Ende pa kaluar disa ditë nga ndarja me ty o Ramazan, mungesën tënde e ndiej shumë. Gjatë ditës, përpara se ta afroj gotën me ujë pranë gojës, mendohem dhe matem dy herë, pasi më duket sikur ti ende s’ke ikur. Sa herë që marr abdes, kujdesem se mos më kalon ndonjë pikë ujë në stomak, ashtu siç veproja gjatë pranisë tënde në mesin tonë. Sa herë që vjen koha e syfyrit, më del gjumi papritur dhe kujtoj për minuta të tëra begatinë e syfyreve të tua o Muaj Bujar. Pas namazit të jacisë më mungojnë teravitë, ku të gjithë së bashku, të njohur e të panjohur rreshtoheshim si bletët pranë kosheres së mjaltit, për të dëgjuar fjalët e tua o Zbritës i Kur’anit. Sa më shumë të kujtoj o Ramazan, aq më shumë prekem, përlotem dhe mallëngjehem, pasi më duket shumë e largët ardhja jote sërish, por edhe fakti nëse do jem në mesin e të gjallëve, apo takimi ynë i përbashkët kaq ishte. Gjithsesi unë do të rroj me shpresën te Zoti, ty për të të takuar, ditët e tua për t’i agjëruar e netët me adhurime të ndryshme për t’i manifestuar.

Qani Sulku

/Revista ‘Drita Islame’ – korrik 2017/

You must be logged in to post a comment Login