Ramazani muaji i Kur’anit

ramazani & kuraniRamazani në vetvete është muaji i Kur’anit. Shkaku që e bën këtë muaj të bekuar, është zbritja e Kur’anit në të. Këtë fakt e shpreh dhe ky ajet: “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)” (Bekare, 185). Në natën e shtatëmbëdhjetë të Ramazanit me anë të Xhibril Eminit, Profetit të nderuar i zbritën ajetet e para të sures Alak: “Lexo, në emër të Zotit që krijoi”.

Kur’ani, burimi i orientimit dhe i rrugës së drejtë për besimtarët, është një libër që gjithmonë duhet lexuar, duhet menduar dhe medituar mbi të. Besimtarët myslimanë kanë nevojë për Kur’anin sa ç’kanë për ajrin, ujin dhe bukën. Profeti ynë a.s. e ka kaluar gjithë jetën e vet, duke ua tërhequr njerëzve vështrimin dhe vëmendjen mbi Kur’anin. E ka kënduar dhe përsëritur vetë, herë-herë i ka vënë edhe sahatet, shokët e tij ta këndojnë dhe i ka dëgjuar.

Enes bin Malik përcjell: “Profeti (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) lexonte shumë Kur’an… gjatë Ramazanit ai priste lidhjet me çdo gjë tjetër dhe lexonte vetëm Kur’an”.

Çdo natë të Ramazanit, Profeti bashkë me Xhibrilin mësonin së bashku Kur’an. Në atë vit që do të ndërronte jetë Profeti, kjo mukabele pati ndodhur dy herë. Ibni Abasi përcjell: “I Dërguari i Allahut ishte më bujari i njerëzve. Kurse koha kur bujaria e tij arrinte kulmin, ishte koha kur takohej me Xhibrilin në Ramazan. Gjatë çdo nate të Ramazanit, ai takohej me të dhe e këndonin Kur’anin së bashku. Në të mirë (bamirësi), Profeti ishte më i fuqishëm se era që fryn me vrull” (Buhari, Saum, 7, Menakib, 23; Muslim, Fedail, 48,50).

Të lexosh Kur’an është si të flasësh me Allahun xh.sh. Në këtë botë, nëse do na lavdëronte ose të na fliste, ose më e pakta të na hidhte sytë një njeri i madh me pozitë apo me famë, për ne kjo do të ishte një nder i madh. Madje, shumë nga ne këtë gjë do ua tregonim të afërmve dhe shokëve të tyre. Por harrojmë faktin që, kur lexojmë Kur’an, ne komunikojmë drejtpërdrejt me Allahun e Madhëruar. Sa gjë me vlerë dhe e bukur. Sa vlerë që na ka dhënë Zoti kur pranon të flasë me ne. Madje kjo nxitet nga Ai Vetë. Një begati e madhe ndër begatitë e xhenetit, është biseda që Allahu i Madhëruar bën me ne: “Selamun Alejkum, qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, prandaj hyni në të, aty jeni përgjithmonë” (Zumer, 73). Ndërkohë që ne kemi mundësi që në një formë ta përjetojmë këtë gjë duke lexuar Kur’an.

Kur’ani është si një litar i zbritur nga qielli. Ai komb që e ka kapur këtë litar, ka ecur përpara. Në një hadith Profeti ynë i dashur thotë: “Ky Kur’an është një lidhje ku, njëra anë është në duart e Allahut dhe tjetra në duart tuaja. Kapuni fort tek ajo që të mos devijoni asnjëherë nga rruga e drejtë dhe të mos shkatërroheni” (Sahih Ibn Hiban, 1, 166).

Kur’ani është vendosur mbi shpatullat tona si një begati hyjnore. Duke e pranuar si detyrë të shenjtë, duhet ta ngremë sa më lart flamurin e tij. Këtë do e arrijmë duke e lexuar më shumë dhe duke e kuptuar dhe jetësuar atë.

You must be logged in to post a comment Login