Ramazani gjallëron traditat e bukura

lexim kurani ethem beuMyslimani e ka detyrë që çdo punë apo fjalë ta nisë me emrin e Allahut, sepse falënderimi i Tij është detyrë parësore. Falënderimi që myslimani bën për Krijuesin e vet, del në pah akoma më shumë gjatë adhurimeve që ai kryen, sidomos gjatë agjërimit, sepse ai e kryen në bindje të urdhrit të Krijuesit dhe vetëm për Krijuesin e tij. Afrimi i Ramazanit, muajit të agjërimit, sjell edhe një lloj impenjimi për myslimanët, të cilët përgatiten moralisht e shpirtërisht për të kryer këtë ritual vjetor.

Edhe pse tek ne feja u ndalua për gati 25 vjet, regjimi i vjetër nuk e pati kurrsesi forcën për të shuar dritën e besimit te Zoti në zemrat e myslimanëve shqiptarë.

Fillimet e zhvillimeve demokratike, sollën menjëherë edhe ripërtëritjen e besimit dhe të ringritjes së institucioneve fetare. Natyrisht besimtarët myslimanë, panë me sytë e tyre të konkretizur fjalën e Zotit në Kur’an “Kur erdhi ndihma e Allahut…”, dhe vërtet ishte vetëm ndihma e mëshira e të madhit Zot që e bëri të mundur që edhe ne të gëzojmë të drejtat dhe të praktikojmë lirisht fenë e tonë, si qytetarë të një vendi demokratik.

Është fakt se qysh në vitin e parë të lejimit të praktimit të besimit u konstatua ringjallja e traditës së hershme, tradita e bukur e kujdesit të amvisave, që Ramazani të gjallërohej edhe me një guzhinë më të zgjedhur, madje edhe me disa gatime karakteristike. Pa dyshim është mëshira e të madhit Zot për robtë e Tij që i mbush me besim e me hare zemrat e besimtarëve, sa herë që besimtarët i drejtohen Krijuesit të tyre dhe kërkojnë ndihmën e Tij. Shqiptarët prej 23 vitesh po përjetojnë atë atmosferë gëzimi, hareje e kënaqësie të veçantë që krijohet në mjediset tona gjatë muajit të mirësisë, muajit të mëshirës, muajit të Kur’anit.

Myslimanët shqiptarë, krahas agjërimit, në këtë muaj të bekuar, kanë kujdes të veçantë të jenë humanë në të tërë kuptimin e fjalës dhe ky humanizëm gjen shprehjen e tij të plotë, jo vetëm në kryerjen e agjërimit, por edhe në atë mirësjellje e mirësi tradicionale për këtë muaj, të shoqëruar me një bujari të shtuar dhe me atë mikpritje e sajdisje të veçantë me të cilën myslimani rrethon mikun që i vjen si mysafir në shtëpi për të ndarë iftarin së bashku.

Myslimani e ka parasysh fjalën e Zotit të madhëruar: “Çdo punë njeriu e bën për veten e vet, përveç agjërimit që e bën për Mua; për të më falënderuar Mua (robi) e privon veten nga ushqimi e nga dëshirat, prandaj Unë do të jap shpërblim të veçantë për agjërimin.”

Ne si populli kemi tradita shumë të bukura për të festuar këtë muaj kaq të dashur. Ka filluar të ringjallen shumë tradita, por sidomos ajo traditë e bukur që ka qenë fort e përhapur ndër familjet tona; nuk mendohej kurrë që iftari të kalohej vetëm me pjesëtarët e familjes, sepse ishte nderim i veçantë që kryefamiljari, ose pjesëtarë të tjerë të familjes të ishin të ftuar për iftar te fqinjët, te miqtë e farefisi, madje kaq rëndësi i jepej këtij zakoni, saqë iftaret ishin të rezervuara ende pa nisur Ramazani.

Të gjithë e kemi vënë re se sa me kënaqësi e përgatisin amvisat tona iftarin, madje si pa e kuptuar edhe vetë ato, gatuajnë më shumë se sa ka nevojë familja. Duket sikur diçka e brendshme i shtyn që të jenë të përgatitura për ta shtuar bujarinë e shtëpisë dhe për ta respektuar mikun që vjen e nderon shtëpinë e tyre. Amvisat tona kanë filluar me kohë të rezervojnë diçka më shumë për ta pasur vetëm për këtë muaj dhe shpesh i dëgjojmë t’i thonë sho-shoqes se gjellët e iftarit i shton vetë i madhi Zot dhe pa e ndier lodhjen, ose iftarin e bie mbarë vetë Zoti, prandaj nxitojnë që iftarin ta servirin sa më shpejt, sepse dhe koha për të shkuar në xhami për të falur namazin e Teravisë është e kufizuar.

 (Revista Drita Islame, Korrik 2013)

You must be logged in to post a comment Login