Ramazan, Mirë se vjen!

ramadan

Nga Qani SULKU

Atë që Allahu e lartësoi, ne nuk mund ta neglizhojmë; atë që Allahu e dalloi dhe e veçoi nga të tjerët, ne nuk na takon që ta përgjithësojmë; atë që Allahu e çmoi, ne nuk mund ta zhvlerësojmë. Nga krijesat Zoti dalloi njeriun; nga vendet, Mekën; nga ditët, dalloi ditën e xhuma (të premten); nga netët, Natën e Kadrit, ndërsa nga muajt, Ramazanin.

Sa më shumë që afrohesh o Muaj i Bekuar i Ramazanit, aq më shumë ta ndiej aromën. Ti tashmë ke marrë rrugën dhe shumë shpejt do të trokasësh tek të gjithë ne. Do të jesh mysafiri ynë për 30 ditë. Ne tashmë kemi filluar t’i numërojmë ditët. Nuk na pritet kur do të vish. Ashtu siç i presin nënat bijtë e tyre prej kurbetit, ashtu të presim edhe ne, me shumë mall e dashuri. Ashtu siç zbukurojmë shtëpitë kur presim miq të veçantë, ashtu jemi përgatitur shpirtërisht për të të pritur denjësisht. Ti nuk je si mysafirët e tjerë, je i veçantë, vjen nga shumë larg, mbi të gjitha të dërgon i Madhi Zot, prandaj meriton nderimet dhe respektet më të larta.

Kujtimet e tua o i dashuri muaj i Ramazanit, i kam aq të freskëta, saqë gjithmonë i kujtoj dhe me to jetoj. Duke kujtuar veprat dhe adhurimet që kam bërë ndër vite, gjatë kohës që ti më ke vizituar, ndihem më mirë, më krenar, më i plotë si njeri, më i devotshëm dhe më i përkushtuar ndaj Allahut.

Ramazan, ti je muaji i ofertave, të cilat janë të parezistueshme për të gjithë ata që ua dinë vlerat. Kush nuk do të donte që ta mëshironte Zoti i Lartësuar? Padyshim që të gjithë do të donim dhe pikërisht ti këtë na e ofron, pasi 10 ditët e para të tuat janë ditë në të cilat Allahu derdh pa kufi mëshirën e Tij të pafundme. Ne jemi mëkatarë e gjynahqarë, dhe kush prej nesh nuk do të donte të lehtësohej nga barra e rëndë e gjynaheve? Padyshim që të gjithë do të donim, dhe ja tek vjen ti, me 10 ditëshin tënd të dytë të quajtur “10 ditët e faljes”, në të cilat Mëkatfalësi na fal, dhe kë fal Allahu, nuk ka mirësi më të madhe për të.

Qëllimi i çdo besimtari është amnistia nga Ferri dhe përfitimi nga mirësitë e paimagjinueshme të Parajsës së Premtuar. Ja tek vjen ti, o muaj i dalluar me 10 ditëshin tënd të tretë, të personifikuar si 10 ditëshi i largimit nga zjarri i Xhehenemit dhe i futjes në Xhenet. E kush do të ketë fatin të jetë përfitues i këtyre ofertave, pa dyshim do të jetë njeriu më fatlum i kësaj bote dhe tjetrës.

Ramazan, vlera e ditëve të tua nuk është e njëjtë me ato të muajve të tjerë, pasi një ditë e jotja është e barabartë me 10 të tilla, kështuqë 30 ditët e tua vlejnë sa 300 ditë, ndërsa së bashku me 6 ditët e Shevalit, ti vlen sa një vit i tërë. Prandaj Profeti Muhamed a.s. me të drejtë ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin dhe e shoqëron atë edhe me 6 ditë nga muaji Sheval, i quhet sikur ka agjëruar gjithë vitin”.

Kënaqësinë që përjetojmë me ty nuk e përjetojmë në asnjë periudhë tjetër të vitit. Atmosferën e iftarit dhe të syfyrit nuk do ta ndërronim me asgjë, pasi ato janë momentet e paktit, të besës, të premtimit e të shpërblimit. Në çdo syfyr i premtojmë Allahut që vetëm për kënaqësinë e Tij do të heqim dorë nga çdo ushqim e pije, si dhe nga çdo vepër e ndaluar. Në momentin që arrijmë ta përmbushim premtimin e dhënë, falënderojmë Allahun që na e dha mundësinë dhe forcën për t’iu përgjigjur Atij.

Ne për dikë që e duam me mish e me shpirt, bëjmë shumë, sakrifikojmë, rrimë net të tëra pa gjumë, harxhojmë nga pasuria jonë, si e si që ta kënaqim atë, që të ndihet i vlerësuar nga ana jonë. Ndërsa agjërimin e bëjmë vetëm e vetëm për hir të Zotit dhe të askujt tjetër, pasi ai është ekskluzivitet i Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të”. Për çdo punë të mirë që bën njeriu, shpërblehet nga 1 deri në 700 fish, ndërsa për agjërimin nuk është bërë e ditur vlera e shpërblimit, pasi mendohet të jetë shumë më shumë se kaq, sepse ai është një adhurim i fshehtë dhe më i sinqerti.

Ramazan, ti je Muaji i Kur’anit; kushtetutës sonë, busullës sonë, udhëzimit tonë. Sa mirë do të ishte sikur ta mbanim pranë Kur’anin aq sa mbajmë pranë telefonin; të ktheheshim dhe ta merrnim sa herë që e harrojmë, ashtu siç bëjmë me telefonat tanë celularë. Ah sikur t’i lexonim mesazhet e Kur’anit aq sa lexojmë mesazhet që na vijnë në telefon. Le të ndodhë kjo të paktën gjatë këtij muaji të bekuar. Ramazan, ti mban mbretëreshën e netëve, Natën e një mijë muajve, atë të 83 viteve. Thesaret nuk do të quheshin të tillë nëse nuk do të ishin të fshehur. Pikërisht edhe Nata e Kadrit është fshehur brenda 10 netëve të fundit të tua, me qëllim që besimtarët ta intensifikojnë adhurimin në to, që si e si të mos t’u ikë kjo natë e lavdishme pa ia korrur të mirat dhe pa përfituar nga okazionet e saj. Kush e kalon këtë natë me adhurim, me këndim Kur’ani e me dua, është sikur të ketë kaluar gjithë jetën e vet në këtë mënyrë. Kjo është vetëm një pjesë e mirësive të kësaj nate, që s’ka të dytë si ajo.

Ramazan, ti je muaji i gjallërimit të xhamive, ku gjallojnë namazet, e ndër to edhe një namaz ekskluziv, ai i teravive.

Ti je muaji i ndryshimit, pasi çdokush prej nesh mundohet të përmirësohet dhe të bëhet më i mirë, më i ndjeshëm, më human e më dorëlëshuar. Ti je muaji i vëllazërimit, pasi gjatë vizitës tënde, me të afërmit dhe me miqtë afrohemi më tepër dhe dashuria na shtohet më shumë.

Jo të gjithë e kanë fatin të të përjetojnë vit për vit. Janë të shumtë ata që deshën edhe këtë vit të të agjëronin dhe me adhurime nga më të ndryshme të të manifestonin, por caktimi i Allahut deshi që të ndahen jo vetëm prej teje, por prej gjithçkaje që i lidhte me këtë botë.

Eja, o Ramazan! Na ka marrë malli ta privojmë trupin për një kohë të caktuar nga ushqimet dhe pijet, me qëllim që t’i përkushtohemi më së shumti ushqimit të shpirtit.

Eja, o Ramazan, të na lirosh nga prangat e nefsit, duke na bërë ne komandantë mbi të dhe jo atë mbi ne. Eja, o Ramazan, të na çlirosh nga kthetrat e djajve dhe të na kthesh njerzillëkun që na takon dhe që na identifikon si qenie njerëzore.

Eja, o Ramazan, të na kujtosh vlerën dhe mirësinë e ushqimeve dhe pijeve që konsumojmë jashtë teje e që rëndësinë s’ua dimë, ndërsa brenda nesh, në syrin tonë çmimi i tyre sa vjen e rritet. Eja, o Ramazan, të na vetëdijësosh se në këtë botë ka edhe njerëz që agjërojnë në mënyrë të vazhdueshme, pa ndërprerje, jo sepse të përjetojnë si muaj të bekuar, por sepse jeta i ka sprovuar në atë mënyrë, duke u privuar kafshatën e gojës.

Miqtë asnjëherë nuk vijnë bosh. Edhe ti asnjëherë nuk vjen bosh, madje vjen më i ngarkuar se të gjithë. Ne çdo vit e më tepër kemi nevojë për ty, pasi 30 ditët e tua na karikojnë për ditët në vijim. Tashmë kur e keqja nuk di të ndalet, kur paqja rrezikohet gjithandej, kur njeriu po humbet çdo ditë e më tepër identitetin e tij human, eja, o Ramazan, për të na bashkuar pasi u përçamë si asnjëherë më parë. Eja, na shëro, pasi sëmundjet e ligësisë dhe të së keqes na kanë kapluar pa pushim.

Eja, o Ramazan, të na kujtosh se Zoti nuk ekziston vetëm në Ramazan, por edhe në 11 muajt e tjerë. Eja, o Ramazan, të na tregosh se feja islame nuk është vetëm një në dymbëdhjetë muaj, por 12 në 12.

Ramazan, ti je maratonë dhe ne jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të garojmë dhe me punë të mira e adhurime veten ta sfidojmë. Edhe pse gjumi më i ëmbël është ai i mëngjesit, ne do të zgjohemi për syfyr dhe për të falur namaz. Edhe pse temperaturat e larta dhe dita e gjatë do të na bëjnë të mendojmë për ushqime dhe pije, ne do ta stakojmë nga ky drejtim dhe do ta përqendrojmë në një tjetër, atë të ushqimit të shpirtit me përmendjen e Zotit.

Edhe pse trupi do të ndiejë këputje, ne do ta kalisim atë me adhurime nga më të ndryshmet. Derën tashmë ta kemi hapur dhe çelësin e kemi hedhur dhe si puna jonë janë me miliona të tjerë të përmalluar për ty nga e gjithë bota.

Ardhsh faqebardhë o Ramazan!

/Revista Drita Islame – Qershor 2015/ 

You must be logged in to post a comment Login