Ramazan edhe pas Ramazanit

 Jemi duke përjetuar ditë të bukura Ramazani, të ndërthurura me adhurim, paqe dhe mirësi. Këto janë ditët e këtij muaji të bekuar, ditë paqeje me veten dhe me Allahun xh.sh., por këto ditë janë ditë të numëruara, ditë që do t’u vijë fundi, për t’i lënë vendin të tjerave, siç përmend Allahu i Madhëruar në Kur’anin Fisnik: “(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara…”

Allahu xh.sh. ka zgjedhur Ramazanin si muaj të agjërimit, të privimit nga të ngrënët, të pirët, dhe jo vetëm. Gjithashtu, Ai i ka veçuar vetes shpërblimin për agjëruesit, të cilët sakrifikojnë vetëm e vetëm për të arritur kënaqësinë e Tij. Ramazani është muaji i mirësive. Në të hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen djajtë.

Në Kur’an thuhet: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”

Allahu i Madhëruar nëpërmjet agjërimit kërkon prej njeriut që t’i kthehet edhe njëherë vetes, të kontrollojë mbarëvajtjen e marrëdhënieve të tij me Allahun xh.sh., me veten dhe me njerëzit që e rrethojnë. Në ajetin e mësipërm dëshmohet se agjërimi, si adhurim, ka qenë detyrim edhe për popujt e mëparshëm, ku lidhet drejtpërsëdrejti me devotshmërinë, afrimin tek Allahu, duke pasur parasysh që agjërimi është adhurim intim, mes njeriut dhe Allahut.

 Enes bin Malik përcjell se Muhamedi a.s. ka thënë: “Ju erdhi ky muaj, i cili ka vlerë më shumë se një mijë muaj; ai që privohet prej tij, privohet nga çdo mirësi. Të mirën etij e refuzon vetëm i mallkuari.”

Hadithi i mësipërm projekton përgatitjen shpirtërore që myslimanët e parë kryenin për pritjen e këtij muaji të bekuar. Profeti Muhamed a.s. i nxiste dhe u rifreskonte atyre dashurinë për Kur’anin, për leximin dhe përjetimin e tij në jetën e tyre të përditshme.

Historia islame dëshmon se begatia e muajit të Ramazanit ka qenë shkak për arritjen e fitoreve të mëdha materiale e shpirtërore. Nëse do të ktheheshim prapa në kohë, vëmë re se, përballjet vendimtare të myslimanëve, në historinë e viteve të para të Islamit, kanë ndodhur në Ramazan, kur ata kanë qenë me agjërim. Gjithë këto vështirësi, pavarësisht kohën në të cilën kanë ndodhur, ishte vullneti i Allahut që i bënte më të lehta për agjëruesit.

Ishte ky sekreti që i shtynte të parët tanë të mirë që, gjashtë muaj para Ramazanit, t’i luteshin Allahut që ta arrinin atë dhe gjashtë muaj pas, që t’ua pranonte adhurimet e kryera gjatë tij. Kjo, sepse ata e dinin mirë që ky muaj do t’i ndihmonte në rindërtimin e marrëdhënieve me Allahun dhe me krijesat.

Duke parë angazhimet dhe preokupimet që kanë myslimanët sot, që në një mënyrë ose një tjetër bëhen shkak për zbehjen e raporteve me Allahun xh.sh. dhe ato ndërnjerëzore, ata e presin me padurim muajin e Ramazanit, adhurimit, paqes e begatisë. Këtë muaj që do t’i afrojë ata me njëri-tjetrin dhe me Allahun xh.sh.; muajin e Kur’anit Famëlartë, muajin e tryezave të iftarit, që bashkojnë rreth tyre njerëz nga të gjitha shtresat.

Gjatë këtij muaji besimtarët japin nga më e mira e tyre. Ky muaj ringjall njerëzoren brenda çdo besimtari. Leximi i Kur’anit u zbut zemrat, i bën myslimanët të prekin qiejte paqes me gjithçka që i rrethon.

Por, siç u përmend edhe më sipër, ky muaj i ka ditët e numëruara. Si çdo gjë tjetër që i është nënshtruar kohës, ai është i destinuar të ketë një fund. Synimi i besimtarëve është që të pajisen me energjinë e nevojshme, që do t’i mbajë të karikuar gjatë gjithë ditëve të vitit. Në fakt, Ramazani e injekton këtë fuqi.

Në ditët e fundit të Ramazanit vërehet një ndjenjë trishtimi për përfundimin e tij, kjo e shoqëruar me lutje që ta arrijmë e përjetojmë sërish. Nëse ne si besimtarë arrijmë ta shohim muajin e bekuar të Ramazanit si një vit, të përbledhur brenda tridhjetë ditëve, ku çdo ditë e tij, më së pakti, është e barabartë me dhjetë ditë të muajve të tjerë, kjo do të mundësonte, që ndikimi i këtij muaji të shtrihej përgjatë gjithë vitit.

Është më se normale që besimtari të trishtohet me largimin e tij, por në të njëjtën kohë duhet të jetë i aftë të përballojë intensitetin e jetës me të njëjtin vitalitet, sepse ka arritur të shfrytëzojë çdo minutë të vlefshme në Ramazan, gjë që do t’i mundësojë atij ta përjetojë, sadopak, atmosferën e Ramazanit gjatë gjithë vitit.

Besimtari e di fort mirë se namazi, agjërimi, sadakatë, vizitat e të afërmve dhe çdo punë e mirë duhet të vazhdojë edhe pas Ramazanit, që ato t’i shoqërojë edhe shpërblimi i Allahut të Madhëruar, sipas qëllimit të kryerjes së veprave.

Fatrit Beqiri

/Revista ‘Drita Islame’ – qershor 2017/

You must be logged in to post a comment Login