“Qytetar Nderi” i Shkodrës për dijetarin e shquar H. Vehbi S. Gavoçi

Pas 21 viteve, nga momenti i parë i rikthimit në atdhe të dijetarit të shquar islam me famë botërore, H. Vehbi Sulejman Gavoçi, me propozimin e Myftinisë Shkodër, Këshilli i Bashkisë Shkodër, i ka dhënë titullin e lartë “Qytetar Nderi”, në një ceremoni me rastin e promovimit të veprës së tij me titull: “Muhammedi alejhis-selam – Jeta dhe vepra”, ditën e shtunë, më 10 mars 2012.

Në këtë ceremoni me vlera fetare, kombëtare e shkencore, merrnin pjesë studiues dhe figura fetare nga të gjitha trojet shqiptare. Sikurse nderonte me pjesëmarrjen e tij edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit të Bashkisë, Bardhyl Lohja, kryetarë të komunave të ndryshme, shkrimtarë, intelektualë, imamët e xhamive kryesore të Shkodrës, besimtarë etj.

Aktiviteti ka nisur me një dokumentar të titulluar: “Vehbi Sulejman Gavoçi- Dijetari që nderon një komb, një ymet”, ku është prezantuar një pjesë e mirë nga jeta dhe vepra e këtij dijetari të shquar të botës islame.

Më pas, Imam Muhamed Sytari, Myfti i Shkodrës, ka rrëfyer disa momente nga kujtimet e tij për marrëdhënien e Hoxhës së nderuar me studentët shqiptarë të dijes islame, nëpërmjet letërkëmbimit dhe kujtimeve personale.

Studiuesi islam Nexhat Ibrahimi, nga Prizreni, ka folur mbi personalitetin e hz. Muhamedit (a.s), si i dërguar i Allahut i cili erdhi për të vendosur ekuilibrat në mes të shpirtërores dhe materiales në tokë.

Ndërsa imami i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Gilman Kazazi, ka bërë një analizë të veprës së H. Vehbi Gavoçit, ku ka nxjerrë në pah vlerat dhe dobitë e kësaj vepre që na afron përherë e më shumë me kuptimin e jetës dhe misionit të hz. Muhamedit (a.s).

Aktiviteti është përshëndetur edhe nga kryeredaktori i Shtëpisë Botuese “Logos-A”, Husamedin Abazi, nga Prishtina, i cili pasi ka falënderuar organizimin e kësaj ceremonie, ka nxjerrë në pah punën e madhe që ka bërë dhe bën Sh.B. “Logos-A” në drejtimin e afrimit të lexuesit shqipfolës me veprën e Muhamedit (a.s). Ai i ka dhuruar një komplet me kolanën prej 6 botimesh mbi jetën e hz. Muhamedit (a.s.), Kryetarit të Bashkisë Shkodër dhe Myftiut të Shkodrës.

Aktiviteti është përshëndetur edhe nga nën/kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili ka përcjellë edhe urimet e Kryetarit të KMSh-së, H. Selim Muça për këtë ceremoni me vlera për Shkodrën, Shqipërinë dhe besimtarët kudo.

Në fund të kësaj ceremonie, Kryetari i Këshillit të Bashkisë Shkodër, Bardhyl Lohja ka bërë dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi” i Shkodrës, për dijetarin Vehbi Sulejman Gavoçi. Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë ceremoni, titulli është tërhequr nga Myftiu i Shkodrës.
Pjesëmarrësit në këtë veprimtari kanë pasur mundësi të shohin nga afër foto-ekspozitën kushtuar jetës dhe veprës së dijetarit Vehbi S. Gavoçi dhe botimet e tij të shumta në gjuhën arabe dhe atë shqipe.

You must be logged in to post a comment Login