Pukë, zhvillohet aktivitet me tematikë historike e shkencore për mejtepet e këtij rrethi

Myftinia Pukë zhvilloi ditën e shtunë, datë 11 nëntor 2017, në Pallatin e Kulturës të qytetit, simpoziumin me titull: “Mejtepet e Myftinisë Pukë dhe Rolet e Tyre”.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, myftiu i Republikës së Kosovës, H. Naim ef. Tërnava, myftiu i Pukës, Gëzim Kopani, drejtues të dy bashkësive fetare, si dhe shumë intelektualë dhe besimtarë të qytetit të Pukës.

Pas himnit kombëtar dhe këndimit të disa pjesëve kur’anore nga nxënësit e Kur’anit, të pranishmit ndoqën një dokumentar të shkurtër përgatitur enkas për këtë rast.

Aktivitetin e përshëndeti myftiu i Pukës Gëzim Kopani, i cili ndër të tjera tha: “Aktivitete të tilla zhvillohen me qëllim vlerësimin e punës së të parëve tanë. Nuk ecet përpara duke harruar punën e të parëve. Teologët dhe hoxhallarët nuk duhet lënë në harresë, por t’i rikujtojmë, pasi kanë dhënë një kontribut të vyer në edukimin e shoqërisë…”

Ndërsa kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, u shpreh: “Arsimi është puna më e mirë që njeriu mund të bëjë. Unë mendoj që janë tre armiq të shoqërisë; injoranca, varfëria dhe përçarja. Nëse duam të luftojmë injorancën, duhet ta luftojmë me dituri. Varfëria luftohet duke investuar te kapitali njerëzor dhe e treta, përçarja, luftohet me vëllazërim.”

Në fjalën e tij Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, përshëndeti aktivitetin, ku ndër të tjera tha: “Shoqëria jonë njihet për tolerancë dhe mirëkuptim. Vlera këto që sot janë tipare dalluese për kombin tonë. Me kultivimin e këtyre vlerave s’ka dyshim se rol të veçantë kanë luajtur edhe mejtepet, që edukuan masën drejtë sipas mësimeve hyjnore. Edhe në rrethin e Pukës, mejtepet kanë një histori të begatë dhe shumë vjeçare. Ky aktivitet është një vlerësim për punën e atyre brezave është mirënjohje për kontributin e tyre.”

Aktiviteti vijoi me kumtesat e përgatitura me këtë rast nga drejtori i Mesazhit Islam në KMSH, z. Astrit Zharri, studiuesi nga Kosova Dr. Sadik Mehmeti dhe historiani Prof. Xhemal Meçi. Aktiviteti u mbyll me një koktej dhe shpërndarje literature islame për të pranishmit.

Më herët, krerët e bashkësive fetare të Shqipërisë dhe Kosovës, së bashku me delegacionet që i shoqëronin, zhvilluan një vizitë të përbashkët në qytetin e Shkodrës, ku vizituan myftininë e këtij rrethi dhe Myftiu i Kosovës Naim Ef. Tërnava mbajti hytben e xhumasë në Xhaminë e Parrucës.

You must be logged in to post a comment Login