Pukë, aktivitet në kujtim të hoxhallarëve në vite

Myftinia Pukë zhvilloi seminarin me temë: “Islami dhe personalitetet islame në rrethin e Pukës.”

Në aktivitetin e zhvilluar me dt. 28 Janar, në ambientet e Hotel Turizmit Pukë, morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, të spektrit politik, fetarë e intelektualë, qytetarë e besimtarë të shumtë. Seminari u hap me leximin e një pjese nga Kurani të cilën e përcolli imami i Xhamisë së re Pukë, Milaim Qarri. Më pas anëtari i Këshillit të Myftinisë, Afrim Laçi bëri prezantimin e programit dhe foli për qëllimin e këtij organizimi.

Një kumtesë me vlera ishte ajo e prof. Xhemal Meçi, me temë: “Drejtuesit fetarë dhe arsimi në Pukë”.
Në fjalët e tij doli në pah kontributi i hoxhallarëve pukjanë dhe roli i tyre vendimtar në arsimimin dhe edukimin e shoqërisë. Sipas prof. Meçit, teologët myslimanë, duke qenë figura të përgatitura në aspektin fetar e kulturor, ishin të parët që dhanë një kontribut me vlerë jo vetëm në arsimimin dhe edukimin e brezave, por edhe në formimin e identitetit të tyre fetar e kombëtar.

Me interes u prit kumtesa e Myftiut të Pukës, Gëzim Kopani, i cili solli në vëmendje fakte historike të ilustruara me foto mbi veprimtarinë e personaliteteve islame të rrethit, që sipas tij nuk kursyen asgjë për fe e atdhe.

Ai u ndal edhe tek hoxhallarët pukjanë që kanë shërbyer në Shkodër, Vaspas, Shikaj e Malzi. Gjatë fjalës së tij në vazhdim Myftiu Kopani, theksoi se institucioni që ai drejton është duke punuar për të përgatitur një dokumentar mbi historikun e institucioneve islame të Pukës, si dhe kontributin e hoxhallarëve, vaizëve dhe myezinëve të cilët shërbyen në to, duke shpresuar që të gjitha të dhënat të përmblidhen në një botim të posaçëm.

Ndërsa Kryetari i Këshillit të Kishës Katolike Pukë, dr. Dodë Boçi ndër të tjera u shpreh: “Ndjehem i vlerësuar që jam pjesë e këtij aktiviteti dinjitoz dhe me vlera për të gjithë ne. Pavarësisht se shqiptarët janë mbrapa në raport me kulturën e ruajtjes së fakteve historike, vë re që këto janë ruajtur me kujdes të veçantë nga Myftinia e rrethit tonë. Me të vërtetë që janë vlera, dhe sigurisht që vetëm duke i treguar ato, ne do të arrijmë të ndërtojmë vlera për të ardhmen. Ndaj, shpreh edhe një herë vlerësimet e mia për këtë organizim duke uruar sa më shumë evenimente të kësaj natyre në të ardhmen.”

Një moment i veçantë ishte përshëndetja e familjarëve dhe të afërmve të këtyre figurave model. Me fjalë të zgjedhura e të përcjella me dashuri ata ndanë me të pranishmit copëza kujtimesh nga jeta e familjarëve të tyre, duke pasqyruar edhe njëherë dëshirën dhe vullnetin që ata kishin për të zgjeruar rrethin e së mirës dhe të moralshmes në shoqëri.

Seminari u mbyll me një koktej të organizuar për nder të pjesëmarrësve.

/Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login