Puka qyteti që vuante mungesën e Xhamisë

 Fillimin e muajit ramazan të vitit 1993 e ka përshkruar një atmosferë e bukur e besimtarëve Pukjan e të gjitha kategorive, moshave e gjinive. Sa më kujtohet edhe lokalet kanë pas shumë pak punë gjatë muajit Ramazan. Flitej për një rënie prej 80 % e punës së lokaleve dhe restoranteve. Por gëzonte edhe më shumë fakti pasi një numër i madh qytetarëve të dy gjinive që agjëronin ishin veçanërisht të rinjtë pukjanë. Në namazin e teravive vinin kuadro profesionale dhe qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Binin në sy më së shumti numri të rinjëve. Shumë prej tyre kishin vullnet dhe dëshirë shumë të madhe të bënin ibadet por pak ishin ata individ që dinin të falnin cilin do namaz, duke përjashtuar disa burra të vjetër, që nuk kishin harruar të falnin namazin.

 

Intervistë me imam Mr. Sc. Adem Ademi (Imam në rrethin e Pukës nga viti 1992-1994)

 

 

I nderuar imam Ademi, përpara se të flasim mbi shërbimin tuaj në rrethin e Pukës, na tregoni diçka mbi jeten e familjes suaj.

 

Adem Ademi

Imam Mr. Sc. Adem Ademi

Në Kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, përbal sheshit “Bill Klinton” në soliterin 17 katesh në katin e 6-të, hyrja e katërt, në lagjen e mirënjohur Lakërishtë, banon hoxha Mr. sc Adem Ademi me familjen e tij të ngushtë gjashtë anëtarëshe. Hoxhë Ademi rrjedh nga një familje me traditë të gjatë të besimit islam si në vijën vertikale po ashtu edhe në atë horizontale, po ashtu vazhdon traditën familjare të arsimimit në drejtimit islam brez pas brezi dhe kontributin e gjithanshëm, zhvillimin dhe shtrirjen e besimit islam. Babai i Ademit, haxhi Fazliu po ashtu kishte qenë nxënës i Medresesë së Gjakovës dhe kishte ndjekur disa kurse të mësim-besimit në moshën rinore të asaj kohe. Prindi i hoxhë Ademit, Haxhi Fazliu kishte pasion të madh leximin e Kur’anit për çdo ditë në mëngjes e mbrëmje e kur kishte kohë edhe pas ҫdo namazi. Rast i rrallë është të dalë baba në rruge ose në punë e të mos i lexojë sëpaku katër faqe Kur’an, thot Ademi. Ligjërimin e temave islame, sqarimin e problemeve e bënte pa përtesë. Po ashtu posedonte një zë shumë të bukur dhe të lartë. Një rast në vendin e punës në Beograd në kohen e namazit, Fazliu kishte thirrur Ezanin zëshëm në prani të punëtorëve Shqiptar, Boshnjak, Serb e të tjerë, një serb kishte menduar se po këndon ndonjë këngë, kishte thanë: “Për ҫdo lavdat, sa mir po kënduaka dhe paska zë të bukur Fazliu.” Fazliu kishte krijuar një biblotekë personale solide në gjuhën shqipe, serbokroate, turke dhe arabe. Babi i Fazliut, Miftari pasi e kishte pyetur Fazliun se a do kishte dëshirë të shkonte në Mejtep (shkoll fetare)!? Fazliu iu kishte përgjigjur: “vetëm a më dërgon ti babë, se unë menjëherë shkoi në mejtep.” Miftari si pasoj e gëzimit që mori nga përgjigjja e të birit, nxjerr portofolin dhe i thotë: “merr sa të duash nga të hollat.” Miftari kishte pasuri të mjaftueshme për atë kohë. Gjithnjë hoxhallarët e rrethit të Podujevës ishin mbledhur për tubime e për qejf në odën e Miftarit. Oda e tij kishte qenë gjithnjë vend tubimi për mysafir e miq. Miftari njihej në rrethin e Podujevës si; bujku dhe pasaniku i kohës dhe sot tregohet nga brezi i vjetër për përkushtimin e madh të Miftarit si punëtor i cili punonte me nder e me mundin e djersës.

Haxhi Fazliu kishte arritur ti shkollonte të katër djemtë e tij në të gjitha nivelet arsimore dhe në profile të ndryshme universitare. Fazliu nga katër djem që kishte si Ibushin, Miftarin, Ademin dhe Sabriun, ai i kishte vënë qëllim vetes që për njërin nga katër djemtë e tij të investoi dhe ta përgatisë argat të dinit islam, duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit a.s. që thotë: “Kur të vdes njeriu, i ndërpriten veprat e tij përveç tre vepra: Sadakaja e vazhdueshme, dituria me të cilën shërbehen njerëzit dhe fëmija i mirë i cili bën dua për të”.

 

Si ndodhi që ju z. Adem erdhët për shërbim fetar në Shqipëri?
Shumica e të rinjve kosovar filluan të largoheshin nga Kosova për në vendet e ndryshme perëndimore si në Gjermani, Zvicër, Francë, Suedi, Danimarkë e vende të tjera.
Gjatë viteve 90-të kishte filluar edhe demokracia në shtetin shqiptar të izoluar shumë vite nga sistemi komunist, ku kishte pësuar degradim të madh edhe komuniteti fetar nga regjimi e në veçanti besimtarët myslimanë. Në fakt Shqipëria gjatë periudhës moniste kishte qenë një mollë e ndaluar për shqiptarët e Kosovës dhe Kosova për qytetarët e shqiptarë.

Në revistën informative kulturore fetare “Dituria Islame” të Bashkësisë Islame të Kosovës ishte botuar një konkurs për një numër imamësh nga trevat Shqiptare të ish-Jugosllavisë për të ndihmuar në hapjen dhe zhvillimin e besimit islam në Shqipëri. Atë kohë z. Ademi ishte i punësuar në Bashkësinë Islame të Podujevës.
Pa një pa dy, z. Ademi kishte vendosur për të lënë vendin e punës në Podujevë dhe të niset për në Shqipëri për të dhanë kontributin e tij arsimor fetar nga përvoja që kishte. Atë e kishte frymëzuar fjala e Allahut që thotë: “Ndihmojeni njeri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri …”

Në dhjetor të vitit 1992 në kryeqytetin e Shqipërisë,Tiranë në cilësinë e përforcimeve të kuadrove arsimor dhe fetar përpos z. Ademi, kishin mbërritur edhe një numër studentësh nga universitetet e tokave arabe e në veçanti studentët nga Medina.
Në Tiranë ishin Ramiz Zekaj, Muhamet Jusufi, Sulejman Çerkezi, në qytetin e Kavajës Muhamet Hoxha, në Vlorë Iljas Sekiraqa e Zeqir Humolli, në Gjirokastër Zejnullahi nga Tetova, në Shkodër Mujedin Ahmeti, në Pogradec Ajni Sinani e shumë imam të tjerë në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

 

Si shkoi në rrethin e Pukës për të shërbyer si imam?

 

Grupi i nxenesve.1992

Grupi i nxënësve, 1992

Kjo ndodhi si pasojë e një vendimi të kryetarit të ndjerë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, H. Sabri Koҫi, ku u vendosa imam në rrethin e Pukës në bashkëpunim me organizatën islamike nga Xhida dhe “IIRO” .

Qyteti i Pukës edhe pse kishte një klimë të egër dhe një ndër rrethet me klimë të ftohtë dhe të gjatë tërë vitit kalendarik, nuk ishte pengesë për t’u vendosur dhe zhvilluar misioni e tij fetar. Por Puka kishte edhe disa karakteristika të tjera. Siç njihet në traditën shekullore tek shqiptarët, malësor mikpritës dhe respektues që i kishin krijuar Ademit ambient të ngrohtë për të vazhduar karrierën e tij edukative fetare. Në fakt z. Ademi i ka pas të gjitha kushtet materiale dhe rrethanore që të largohet nga Shqipëria në vendet perëndimore, si shumë të rinj kosovar të cilët kalonin transit nga Shqipëria për në vendet tjera evropiane. Në vendet evropiane kishin të ardhura dhe benefite të shumëfishta për kosovarët nga ajo pagë që merrte z. Ademi në Shqipëri. Ai i ishte përcaktuar për misionin e vet të shenjtë fetar dhe atdhetar.

Z. Ademi thotë: “Më duhet të pranoj duam apo nuk duam jeta ekonomike dhe politike në Shqipëri ishte në një tranzicion që nuk i shihej fundi, varfëria, papunësia, secili shqiptar e shqiptar i Shqipërisë dëshironte dhe pretendonte të largohej nga Shqipëria. Ishte një gjendje shumë më e keqe se në Kosovë e të mos flasim për standardet e shteteve evropiane. Të rinjtë kosovarë në shtete perëndimore merrnin vetëm si azil kërkues mbi 1000 mijë marka sigurim social mesatarisht, e pastaj edhe banimi. Ne, një grup imamësh nga Kosova e Maqedonia qëndruam dhe vepruam denjësisht dhe maksimalisht në çështjen e zhvillimit dhe shtrirjes së arsimit dhe besimit islam. Sot Shqipëria ka kuadro teologësh të profesionalizuar në shumë shtete dhe universitete të botës myslimane. Të gjithë janë produkt i ndihmesës logjistike dhe material të imamëve nga treva Shqiptare dhe shoqatave islame.”
Ardhja e hoxhë Ademit në Pukë në cilësinë e imamit, i dërguar nga Komuniteti Mysliman i Shqipëri ishte mirëprit nga shumë besimtar myslimanë.

 

Si e kujtoni Pukën e atyre viteve?
Puka ishte një qytet me 25 mijë banorë të besimit mysliman dhe katolik, nuk kishte pasur as edhe një metër hapësirë për të zbatuar ritet fetare islame, pra nuk kishte Xhami.
Duke parë situatën dhe gjendjen e rëndë dhe nevojën për të zhvilluar aktivitete fetare, unë së bashku me besimtarë mysliman dhe intelektual të qytetit te Pukës ishim mobilizuar për të kontaktuar me zyrtarët e institucioneve lokale të qytetit për gjetjen e hapësirës së nevojshme për aktivitete fetare. Rinia pukjane nga kureshtja për të filluar dhe shijuar mësim besimit islam pritnin fillimin e aktivitetit fetar si zogjtë e vegjël për ushqim.

Mungesa e xhamisë në qytetin e Pukës, nevoja e një hapësire për të kryer ibadet në një vend publik e bënte edhe më të domosdoshme fillimi i muajit Ramazani të vitit 1993.
Pas konsultimeve dhe kërkesave nga besimtarët mysliman, ishte liruar për aktivitete fetare salla e mbledhjeve në ndërtesën e Këshillit Bashkiak, pastaj shtëpia e pritjes, po ashtu shpesh herë jemi fal në oborrin e shtëpisë së pritjes në mungesë të xhamisë. Namazin e Bajramit të parë e kemi fal nën qiellin e hapur tek shtëpia e pritjes dhe namazin të bajrameve të tjerë i kemi fal në sallën e pallatit të kulturës Pukë.

 

Si u prit në atë kohë fillimi i muajit Ramazan nga Pukjanët?

 

Fillimin e muajit ramazan të vitit 1993 e ka përshkruar një atmosferë e bukur e besimtarëve Pukjan e të gjitha kategorive, moshave e gjinive. Sa më kujtohet edhe lokalet kanë pas shumë pak punë gjatë muajit Ramazan. Flitej për një rënie prej 80 % e punës së lokaleve dhe restoranteve. Por gëzonte edhe më shumë fakti pasi një numër i madh qytetarëve të dy gjinive që agjëronin ishin veçanërisht të rinjtë pukjanë. Në namazin e teravive vinin kuadro profesionale dhe qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Binin në sy më së shumti numri të rinjve. Shumë prej tyre kishin vullnet dhe dëshirë shumë të madhe të bënin ibadet por pak ishin ata individ që dinin të falnin cilin do namaz, duke përjashtuar disa burra të vjetër, që nuk kishin harruar të falnin namazin. Atmosferë e shkëlqyeshme ka qenë falja e namazit të bajramit në vitin 1993 ku morën pjesë një numër i madh qytetarësh pukjanë. Zyrtarët e lartë politik lokal mysliman nuk vinin në ceremonitë fetare , por ata katolik prezantoheshin me anëtarët e familjeve të tyre në ceremonitë fetare të krishtere.
Shërbyesit e Kishës Katolike për besimtarët katolik ishin vendosur për një kohë tek ndërtesa siç quhej “shtëpia e pritje së Enver Hoxhës” e cila më vonë është shfrytëzuar edhe nga besimtarët mysliman, ndërsa Evangjelistët ishin vendosur në shtëpi private. Udhëheqësi i kishës Katolike ishte nga Amerika kurse ai Evangjelist nga Suedia që vepronin në qytetin e Pukës.

Ne Puke viti 1993

Hoxhë Ademi ka qëndruar dhe ka zhvilluar aktivitet fetare në Pukë nga 22 dhjetori i viti 1992 deri në shtator të viti 1994. Gjatë kësaj periudhe të aktivitetit fetar të hoxhë Ademi në qytetin e Pukës ka realizuar me sukses shumë projekte mësimore islame me të rinjtë e shkollës fillore dhe të mesme të qytetit, por vinin edhe nga fshatrat e rrethit. Ka arrit të siguroj fonde për iftare për myslimanët pukjanë si edhe ndihma të ndryshme si veshmbathje për fëmijë dhe prerjen e kurbaneve të dhuruara nga shoqatat e ndryshme arabe si IIRO, Islamik Relief dhe ajo turke IHH.
Rezultat i pashlyeshëm përpos mësim islam ka qenë edhe aktiviteti i korit të fëmijëve që realizonin programet me recitime të pjesëve të Kur’an, ilahi dhe kaside në gjuhën shqipe, arabe e turke në rastet festive pranë xhematit dhe qytetarëve Pukjanë.
Hoxhë Ademi së bashku me xhematin ka iniciuar koktej dhe pritje për përfaqësuesit e institucioneve shtetërore lokale dhe atyre fetare me rastin e festave vjetore të besimit islam të dy bajrameve.

Më të arritur hoxhë Adem Ademi në Pukë fillimisht ishte akomoduar tek familja e Haki Ademit i cili kishte lanë adresën e tij tek Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në Tiranë për orientimin e cilit dy persona fetar do të vinin në Pukë për të shërbyer imam. Z. Hakiu si pensionist dhe qytetar i Pukës ishte angazhuar maksimalisht në zhvillimin e aktivitetit fetar mysliman po ashtu i kishte dhënë përkrahje të pa rezervë hoxhë Ademit në aktivitetin e tij gjatë qëndrimit në Pukë.

Një gjest të rrallë e kishte bërë edhe z. Zenel Hyseni i cili kishte liruar për imamin nga Kosova një dhomë të veçantë për banim, ndërsa më vonë kishte liruar ambiente në shtëpinë e tij për faljen e namazit të xhumasë nga xhemati i qytetit të Pukës. Ademit i kishte krijuar akomodim dhe atmosferë vëllazërore nga familja e Zenel Hyseni. Zeneli njihej në Pukë si iniciator, themelues dhe promotor i fillimit të demokracisë në rrethin e Pukës dhe themelues i partisë demokratike në rrethin e Pukës. Z. Zeneli ishte edhe shtyllë e fuqishme e komunitetit mysliman pukjan, njëherësh jepte përkrahje maksimale në zhvillimin dhe kultivimin e besimit islamit në periudhën post komuniste.

Anëtarët e Myftinisë së rrethit Pukë si profesor Xhemajl Meçi, Xhemajl Voci, Sulejmani Gania, vëllai i Hakiut Beg Ademi po ashtu intelektualët si Jaho Brahaj, Fatmir Hoxha e qytetarët si Ymer Pema, Halil Hyseni e shumë e shumë qytetar të tjerë pukjan e përkrahnin e shoqëronin, e thërrisnin për kafe, dreka e darka, iftare e dasma e gëzime të ndryshme.

Pas faljes së namazeve me xhemat, ligjëratave islame, shpërndarja e literaturës fetare islame, krijimit të grupit të ilahive ishin ndër aktivitet që zhvillonte imam Adem Ademi me të rinjtë Pukjan, të cilët në fillim ishin afër 80 nxënës të shkollës fillore dhe një grup i vogël nga shkolla e mesme e qytetit. Dalloheshin disa nxënës të cilët vijimin rregullisht në mësime ku përmend: Qelo Hyseni (Zoti e pastë mëshiruar), Afërdita Hyseni, Behar Hyseni, Ilir Cina, Bashkim Cina . Zë karakteristik dhe te bukur kishte Elvis Rexhepi i cili printe në grupin e ilahive.

Është e rëndësishme se një numër i këtyre djemve dhe vajzave pukjanë, edhe përkundër punëve dhe profesioneve të tyre që kanë sot ata vazhdojnë ta kultivojnë dhe praktikojnë besimin islam kudo që jetojnë dhe punojnë sidomos në shtrirjen e islamit tek gjeneratat dhe moshatarët e tyre. Disa prej nxënësve të kësaj gjenerate mbajnë lidhje dhe komunikojnë herë pas herë me z. Ademi.

 

Imam Ademi sot jeton dhe vepron në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë me familje që nga përfundimi i luftës 1988-1999, ndërsa si nxënës i shkollës së mesme dhe student ka jetuar 8 vite në Prishtinë. Ka magjistruar në drejtimin e administratës publike me 12 mars 2012 pranë komisionit arsimor shkencor: Akademik Prof. Dr Esat Stavilecit, Dr. Islam Krasniqit dhe Dr. Agim Zogaj.

Ka hulumtuar temën nga zhvillimet politike dhe ngjarjet bashkëkohore ku përmend: “Jehona e demonstratave në Kosovë sipas shtypit Serb 1981-1983”. Ka eksploruar mbi 7000 mijë ekzemplar të shtatë gazetave ditore dhe tri revistave javore serbe të periudhës në fjalë. Tema e hulumtuar, e mbrojtur dhe cila pritet të shoh dritën e saj, është temë dhe periudhë e rrallë dhe e pa eksploruar dhe e pa trajtuar deri më tani në gjuhën shqipe.

Merret me profesionin e tij të shenjt të thirrjes islame, me humanizëm. Është karakteristikë se Mr. Sc. Adem Ademi deri në vitin 2007, nuk është marr më parë asnjëherë me ndonjë subjekt politik por ai ka qenë i angazhuar si shumë të rinj kosovarë në çështjen e lëvizjes kombëtare. Ai sot menaxhon shoqatën “Gjysmëhënën e kuqe të Kosovës” .

Në banesën e tij posedon një bibliotekë të pasur me një numër të madh librash nga fusha e islamit dhe shkencat që ka studiuar. Nga fusha islame ka nga botimet e ndryshme të Kur’anit, nga fusha e hadithit ,fikut, tefsirit e akaidit e historisë islame etj. Në bibliotekën e tij gjenden një numër i konsideruar literature nga historia e popullit Shqiptar. Biblioteka është përbëre nga shumë gjuhë botërore si ajo Arabe, Angleze, Turke dhe Boshnjake.

Për fat të keq z. Ademi nuk trashëgon literaturë nga biblioteka e të atit të tij haxhi Fazliut, nga se i janë djegur të gjitha librat gjatë luftës së fundi së bashku me shtëpinë, me përjashtim të Kur’anit në gjuhën Boshnjake të cilën e kishte fshehur tek një mik i tij në Prishtinë.

Familja e z. Ademit kur është kthyer në shtëpi pas luftës e kanë gjetur të djegur shtëpinë dhe të gjitha të mirat materiale që kanë poseduar si shumë familje kosovare, oborri i shtëpisë ka qenë në gjendje të shkretë. Të vetmen gjë të paprekur e kanë gjet plehun e kafshëve ku edhe kishte fshehur fotot familjare njëri nga vëllezërit e Ademit. Sot ai i ruan ato fotografi me shumë kujdes.

Gjeneratat e vjetra të Pukës dhe gjithë Shqipërisë kanë pas një sfidë që nuk dëshiron askush të kthehet, regjimin komunist enverian i cili i ka bërë presion ligjor, politik e juridik ndaj besimtarëve që ti zhvesh nga besimi me qëllim të kultivimit të kulturës sllavo komuniste dhe besimit ateist. Ky projekt famëkeq shtetëror nuk ka pas sukses të plot tek besimtarët shqiptar mysliman e as tek besimtarët mysliman pukjan. Shembujt janë të shumtë që tregojnë për qëndrimin stoik të besimtarëve mysliman te Pukës gjatë periudhës moniste.

 

Cili është mesazhi juaj drejtuar myslimanëve të Pukës?

 

Tani kemi një kohë në rrethana dhe zhvillime globale të përgjithshme me sfida dhe sakrifica të shumta. Besimtarët mysliman duhet të jenë koshient dhe të vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe obligimet ndaj të madhit Allah. Ngritja e vlerave fetare dhe shtrirja e saj në gjirin familjar dhe me gjerë në shoqëri ka vlera të shumta, bereqet dhe shpërblim pa dyshim tek Krijuesi.

Është vështirë që në disa rreshta apo edhe faqe të shkruhen të gjitha ngjarjet dhe emrat e individëve dhe familjarëve pukjan apo të qytetarëve të Shqipërisë që i kam njohur. Kemi qenë bashkë ne dreka, darka, dasma e festa fetare, gjatë periudhës që kam shërbyer si imam, ku gjej rasti t’i falënderoj një nga një. Allahu është mbikëqyrës dhe nuk humb askënd. Tek Ai nuk mungon as një punë e realizuar nga ne, e shpërblimi i Tij është i madh dhe i pallogaritshëm. Allahu xh.sh. thotë:
“E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë” dhe “kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (suretul Zelzele-99, ajeti 7, 8).
Allahu xh.sh. na bëftë prej atyre që ju takon shpërblimi i Tij!

Intervistoi: Gëzim Kopani

/Drita Islame/

 

 

 

You must be logged in to post a comment Login