Pse gjermanët po bëhen myslimanë?

Në Gjermani, që nga vitet e 80-ta mbi 25 mijë njerëz janë konvertuar në myslimanë. Familjet e tyre nuk reagojnë gjithmonë pozitivisht në lidhje me këto vendime të tyre. Teologët si motivin më të shpeshtë për ndërrimin e fesë e përmendin bindjen. Detyrime nuk ka.

Nikol ka qenë mbi 20 vjeç, kur ka vendosur të bëhet myslimane. Kjo nënë e dy fëmijëve thotë se është rritur pa religjion, por se në moshën 14 vjeçare kishte vendosur që të kryqohet, ngase kishte filluar të interesohej për religjion.

Me kalimin e kohës, Nikol tani 28 vjeç, nuk ishte më në gjendje që të identifikohej me krishterimin.

“Përgjigjet e priftërinjve në të gjitha dilemat ishin:’Është thjesht ashtu’. Për dallim, në islam është e shpjeguar çdo gjë. Njeriu ka për çdo gjë një përgjigje dhe kjo është rregullorja e vetme”, thotë ajo.

Prindërit e respektojnë këtë vendim të saj. “Për aq kohë sa nuk janë të detyruar të më shohin me shami, të cilën nuk e durojnë, vendimi im është në rregull”, thotë Nikol.

Ajo e ndien vetën mirë në atë që bën, ngase “nëse njeriu e di se pse e bën një gjë, atëherë edhe mund t’i përmbahet rregullave”.

Edhe Tulia, 35 vjeçare, ka kaluar në islam, edhe pse këtë e ka bërë pas disa viteve martesë me një mysliman.

“Edukimi im nuk ka pasur kurrfarë pike të puqjes me religjionin. Vetëm pasi që u takova me bashkëshortin, i cili është me prejardhje nga Siria dhe i cili edhe vetë ngadalë filloi te interesohej për islamin dhe filloi ta praktikoi atë, fillova të kuptoj se çfarë do të thotë islami”, rrëfen Tulia.

Shumë vlera, të cilat i ligjëron islami, Tulia i njeh nga familja e saj:”Sinqeriteti, synimi që te njeriu gjithmonë të shihet e mira, këto vlera m’i kanë mësuar prindërit qysh kur kam qenë e vogël”.

Megjithatë, Tulia në fillim ka pasur vështirësi që të kuptojë religjionin e bashkëshortit të saj. “Një herë më ka rrëfyer për mrekullitë shkencore të islamit. U fascinova në tërësi.

Nuk mund t’ia shpjegoja vetës, por në atë moment vendosa të bëhem myslimane”.

Tulia ishte e befasuar se si Kurani para 1400 viteve kishte shpjeguar në mënyrë precize zhvillimin e embrionit dhe atë pa pajisjet dhe njohuritë e sotme mjekësore.

Monir Azaui nga Acheni gjatë dhjetë viteve të fundit ka qenë dëshmitar i 300 rasteve të ndryshimit të fesë. Përvoja e tij dëshmon se njerëzit në Gjermani kalojnë në islam, para se gjithash për shkak të bindjes së tyre. Vendimtar janë kontaktet në shkolla, në punë apo në rrethin personal. Aty krijohen kushtet, për të njohur më afër me islamin, thotë Azaui.

Ka edhe të tillë, të cilët për shkak të dashurisë ndaj një myslimani konvertohen, me qëllim që të pranohen nga familja e tyre e ardhme. Megjithatë, shumica e njerëzve konvertohen në islam për shkak të bindjes.

Nuk ka njohuri për numrin e saktë të njerëzve në Gjermani, të cilët janë konvertuar në mysliman.

“Për t’u konvertuar në islam, nuk keni nevojë të regjistroheni askund”, thotë Azaui.

Eksperti për islam, Salim Abdulah, gjithashtu nuk është në gjendje të përmend një numër të saktë.

Vlerësohet se rreth 25 mijë njerëz në Gjermani janë konvertuar në myslimanë. Ai nuk mund të konfirmojë supozimin se po konvertohen para se gjithash femrat, për të qenë në gjendje që të martohen me myslimanë.

“Nga përvoja mund të them se femrat jetojnë 10 deri 15 vjet me meshkujt e besimit mysliman, e tek pastaj shkojnë në xhami dhe dëshirojnë të konvertohen. Këtë nuk e bëjnë se janë të detyruara, por nga bindja, ngase islami lejon që myslimanët të martohen me jo-myslimane”, shpjegon Abdulah.

Megjithatë, ndodh që familja e ndonjë personi të konvertuar ndërpret çdo kontakt me të.

“Kur dikush e ndërron religjionin, shpesh ndodh që të jetë i vetmi në familje dhe kështu lindin grindjet. Prandaj ka shumë njerëz, të cilët kur kalojnë në islam, këtë e mbajnë për vete dhe gradualisht e përgatisin familjen për të vërtetën”, thotë Azaui. Klerikët myslimanë mbështesin personat e konvertuar që ata të ruajnë kontaktet me familjet e tyre. Në islam është me rëndësi që prindërit të respektohen dhe të vlerësohen.

Monir Azaui nuk e sheh konvertimin vetëm si një kalim në një religjion tjetër. Pikërisht myslimanët gjermanë kanë një rol të rëndësishëm: “Të konvertuarit mund të jenë urë mes komunitetit mysliman dhe shoqërisë. Ta flasin gjuhën gjermane dhe njohin kulturën gjermane”. /DW/

You must be logged in to post a comment Login