Promovohet libri “Shaban Rexhë Ahmeti, Njeriu i punëve të mira”

OLYMPUS DIGITAL CAMERAMe rastin e 112 vjetorit të lindjes së  imam Shaban Rexhë Ahemti, u promovua librit “Shaban Rexhë Ahmeti, Njeriu i punëve të mira” i autorit Idriz Ahmeti.
Aktiviteti u hap nga autori i librit Idriz Ahmeti dhe për të vazhduar me kumtesen: “Roli i fesë dhe i klerit për përhapjen e arsimit dhe shkollës shqipe në krahinen e Pukës” mbajtur nga Denisa Meçi.

Më pas anëtari i Këshillit të Myftinisë së rrethit Pukë njëherazi Sekretar i Këshillit të Bashkisë Pukë Ylli Hadroj mbajti kumtesën me temë: “Shaban Rexhë Ahmeti, 25 vjet imam i xhamive Micoj e Lajthizë.”  Ai ndër të tjera tha: “Tek imam Shaban Rexha shohim imamin dhe mësuesin e përkushtuar i cili përdorte metoda mësimdhënie duke argumentuar përrparësit e tyre.”

Më pas specialisti i historisë Milazim Cufaj mbajti një referat në respekt të mësuesit të parë të fshatit Micoj Imam Shaban Rexha. Cufaj ndër të tjera tha: “Falënderoj Idriz Ahmetaj për botimin e librit “Shaban Rexhë Ahmeti, Njeriu i punëve të mira”. Me Shaban Hoxhën kam pasur lidhje familjare e për këtë arsye kam shkruar ato që ai thoshte për hapjen e shkollës së parë shqipe në fshatin Micoj. Fjala e tij ishte e urte, e qetë, e mençur dhe e argumentuar. Ai nxiti të mësohej e të shkruhej mirë gjuha shqipe. Autori Idriz Ahmeti, me të drejtë e ka titulluar “Njeriu i punëve të mira”, por banorët e fshatit Micoj, nxënësit e bashkëkohësit e tij e kanë vlerësuar si “Njeriu i fjalëve të mira” e prej këtu vijon edhe suksesi i punës së tij.”
Më pas Adriana Asllanaj (mbesa e Shaban Hoxhes) mbajti kumtesën “Homazh për njeriun tonë të dashur Shaban Rexha” Asllanaj tha: “Fëmijëria e Shabanit ka qenë e vështirë e plot peripeci, ashtu si e shume moshatarëve të tij. Ndërsa ishin të varfër për nga pasuria, nga zemra ishin shumë të pasur. Shabani, ndonëse i ri nga mosha, karakterizohej nga mendime të pjekura e përparimtare. Ai dallohej midis shokëve si nxënës i mirë dhe i vullnetshëm, pavarësisht nga vështirësitë që përballonte. Ai zotëronte mirë gjuhet turqisht dhe arabisht, që ishte një luks i madh për kohen. Meritë të veçantë ka Shabani për hapjen e shkollës shqipe në fshatin Micoj, meritë që nuk iu njoh sa ishte gjallë.”

Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Pukës imam Gezim Kopani i cili ndër të tjera tha: “Ishte puna dhe kultura e imam Shaban Rexhës që të bëhet i njohur, jo vetëm në Lajthizë e Kabash, por në gjithë rrethin e Pukës. Ishte vetëm 15 vjeç kur kreu detyrën si myezin i fshatit Kabash dhe për të vazhduar më vonë, për 25 vjet imam në xhamitë e fshatit Micoj dhe Lajthizë. Më aftësitë prej një teologu islam, ai dha mësime islame nëpër Mejtepet e Pukës. Përveç diturisë islame, ai kishte aftësi edhe për mësime të tjera si, shkrim e këndim shqip, gjeografi etj. Këto dituri bëri që imam Shaban Rexha me mbështetjen e Pleqësisë së fshatit Micoj më 1924 të hap shkollën e parë shqipe në fshatin Micoj.”

Më pas Myftiu i Pukës Gëzim Kopani i dorëzon familjes Certifikatën e Mirënjohjes (pas vdekjes) për Imam Shaban Rexhë Ahmeti.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia e rrethit Pukë, i jep Certifikatë Mirënjohje Shaban Rexhë Ahmeti (pas vdekjes) me motivacion: “Për kontributin e dhënë në përhapjen e fesë islame në rrethin e Pukës, si dhe për kontributin e dhënë në forcimin e Mejtepeve të këtij rrethi.” (Myftinia e rrethit Pukë, Myftiu Gëzim Kopani, Pukë më 27 nëntor 2013)

Në emër të familjes foli djali më i madh Muhamet Duli si dhe vajza Sabrie Lahi. Ata ndër të tjera thanë: “Së pari falënderojmë autorin Idriz Ahmetin, Myftininë e rrethit Pukë dhe Myftiun Gezim Kopani dhe të gjithë ata që kontribuuan  në botimin e këtij libri kushtuar babait tonë. Ky libër është i rëndësishëm për familjen tonë dhe për gjithë fshatin Lajthizë. Jemi krenarë për babain tonë i cili na edukoi dhe na mësoi me kulturen më të lartë. Puna e tij e mirë, ka bërë që emri i babait tonë të kujtohet sot pas 112 vitesh.”

Në mbyllje të aktivitetit autori i librit Idriz Ahmeti falënderoi mësuesin Dashamir Sokoli, Myftininë e rrethit të Pukës të cilët ndihmuan në botimin e librit “Shaban Rexhë Ahmeti, Njeriu i punëve të mira.”

Për të pranishmit u shpërnda libri “Shaban Rexhë Ahmeti, Njëriu i punëve të mira” si dhe u shtrua një koktej nga familjarët e imam Shaban Rexhës.

puke promovimi (2)

You must be logged in to post a comment Login