Programi “Frytet e Besimit” ndalet në Fushë-Krujë

Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” është ndalur mbrëmjen e djeshme në Fushë-Krujë. Dhjetëra besimtarë myslimanë ishin mbledhur për të marrë pjesë në këtë tubim të përjavshëm vëllazëror.

Të ftuar ishin nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli dhe pedagogët e Kolegjit Universitar Bedër, Dr. Xhemal Saferti dhe Veton Tulla.

Nënkryetari i KMSH-së foli për lidhjen që besimtari duhet të ketë me Allahun, përmendjen dhe falënderimin ndaj Tij.

“Besimtari duhet ta ketë të fortë raportin me Allahun e Madhëruar. Ai duhet ta ketë të vazhdueshme lidhjen me Allahun në çdo veprim të jetës së përditshme. Gjithmonë kërkesat, mbrojtjen, ndihmën dhe pendesën ta drejtojmë nga Allahu i Lartësuar. Të bëhemi besimtarë të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm në mënyrë që mos t’i prishim urat që na lidhin me Allahun e Madhëruar”, tha ndër të tjera z. Luli.

Pedagogu i Kolegjit Universitar Bedër foli për Krenarinë e Njerëzimit, Profetin Muhamed a.s.

“Profeti Muahamed a.s është dhurata më e madhe që Allahu i ka bërë njerëzimit. Zoti i Madhëruar na do aq shumë neve sa na ka dërguar një Profet kaq të dashur dhe të urtë. Profeti Muhamed a.s erdhi si mëshirë për të gjithë botët. Ai ka kërkuar falje dhe mëshirë për gjithë umetin e tij deri në frymën e fundit të vdekjes. Ne duhet të jemi besnikë ndaj Profetit tonë fisnik. Besnikëria është që ne të ndjekim traditën dhe këshillat e atij njeriu të madh”, tha z. Saferti.

Myftiu i Krujës, z. Erjol Haxhiu, falënderoi ligjëruesit për mesazhet e dhëna dhe theksoi se çdo njeri duhet ta rifreskojë besimin e tij. Këto takime janë shumë të dobishme për të forcuar besimin dhe dashurinë ndaj Allahut.

1 nëntor 2017

You must be logged in to post a comment Login