Profeti a.s. me gjuhën e kundërshtarit të përbetuar

Perandori bizantin Herakliu, që mundi persët në vitin 628, gjatë kthimit në Siri, mori letrën me të cilën Profeti Muhamed a.s. e ftonte në Islam. Perandori tregoi interes për këtë dhe deshi të mësojë se ç’ftesë ishte ajo. Urdhëroi të sillnin në takim disa nga bashkëkombësit e letërdërguesit. Në mesin e tyre ndodhej edhe një prej kundërshtarëve të Profetit a.s., Ebu Sufjani, i cili ishte në krye të një karvani  tregtarësh mekas. Perandori ndodhej në Jeruzalem. Ai e priti Ebu Sufjanin me shokët e tij në prani të parisë së vet. Biseda filloi me pyetjen e perandorit:

– Cili nga ju është më i afërt në fis me këtë person që thotë se është profet?

– Më i afërti jam unë. – u përgjigj Ebu Sufjani.

Herakliu iu drejtua përkthyesit:

– Thuaj këtyre se do ta pyes këtë njeri për disa gjëra. Po të gënjejë, shokët do të thonë se gënjen.

Këtë ngjarje e tregon më vonë vetë Ebu Sufjani.

– Ç’vend zë prejardhja e tij mes jush?

– Prejardhja e tij është shumë e fisme?

– A pati më parë ndër ju ndonjë që të ketë pretenduar si ky?

– Jo.

– A pati sundimtarë mes të parëve të tij?

– Jo.

– Ata që e ndjekin atë, a janë nga paria apo shtresa e ulët?

– Shtresa e ulët.

– Ata që ndjekin, shtohen apo pakësohen?

– Shtohen.

– A ka mes tyre që, pasi ta kenë pranuar fenë e tij, të kenë ndërruar mendje?

– Jo.

– Para se të dilte, a pati ndodhur ndonjëherë ta keni akuzuar për gënjeshtër?

– Jo.

– A pati ndodhur ndonjëherë të mos e ketë mbajtur fjalën?

– Jo. Ai e mban fjalën që jep.

– A keni luftuar me të?

– Po.

– Si kanë përfunduar këto luftëra?

– Disa herë na mundi ai, disa herë e mundëm ne.

– Mirë, po ç’kërkon prej jush?

– Na thotë: Faljuni vetëm Allahut, mos i bëni shok askënd Atij dhe braktisni idhujt, të cilëve u janë falur etërit tuaj. Pastaj na porosit të falim namaz, të jemi të drejtë dhe të ndershëm, si dhe të kujdesemi për prindërit dhe të afërmit.

Pastaj Herakliu kërkoi t’ia sillnin letrën. Në letër shkruhej:

Nga robi dhe i dërguari i Allahut, Muhamedi.

Të madhit të romakëve, Herakliut.

Paqe atyre që janë në rrugë të drejtë.

Po të ftoj ty në Islam. Hyr në Islam që të shpëtosh dhe Allahu të të shpërblejë shumëfish. Nëse nuk e pranon, mëkati i atyre që ke nën sundim do të rëndojë mbi qafën tënde.

Pas leximit të letrës Herakliu tha: “Nëse këto që the janë të vërteta, ai njeri do të sundojë shumë shpejt në këtë vend ku shkelin këmbët e mia. Unë e kam ditur se ka për të dalë ky profet, por nuk e parashikoja se do të ishte prej jush. Po ta dija se mund të takohesha me të, do të merrja parasysh të gjitha vështirësitë dhe, po t’i ndodhesha pranë, do t’ia laja këmbët.

Pas fjalëve të tij u krijua një zhurmë dhe një rrëmujë e madhe. Ne, thotë Ebu Sufjani, na nxorën jashtë. Unë u thashë shokëve:

– Pa shikoni, puna e Ibni Ebi Kebshes (një prej emërtimeve të Muhamedit a.s.) u bë e madhe. Edhe Herakliu po ka frikë prej tij.   

/Drita islame

You must be logged in to post a comment Login