Presidenti Nishani uron myslimanët për fillimin e Ramazanit

bujar nishani

Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit.

Në mesazhin  e tij për besimtarët z. Nishani e cilëson  Ramazanin si periudhë që ndërthur shenjtërisht sakrificën materiale me lartësimin shpirtëror. “Ramazani është një akt i lartë religjioz dhe human me përmasa kolosale. Duke qenë gjithëpërfshirës dhe universal, efektet dhe dobitë e Ramazanit, paqja, purifikimi, lartësimi, mbarëvajtja, janë të shkrira brenda Tij në një mënyrë harmonike të përsosur brenda një diapazoni mahnitës, që përfshin gjithçka njerëzore, nga aspekti shpirtëror në atë utilitar, nga secili besimtar veç e veç, tek i gjithë komuniteti bashkërisht”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

Më tej, z. Nishani përmend edhe disa nga mesazhet e këtij muaji kur shprehet se:  kthimi i vështrimit nga vetja; uria dhe etja, dhe në përgjithësi vuajtjet materiale, janë vuajtje provizore që shpërblehen; vazhdimi i ekzistencës bëhet vetëm përmes mbajtjes gjallë të shpresës, e cila, nga ana e vet, ushqehet nga dhimbjet e sakrificës; ndjenja e mëshirës dhe dashurisë për të gjithë njerëzit njëlloj, të cilat sipas tij janë disa nga arsyet pse Ramazani prej shekujsh zbatohet dhe nderohet me aq devocion dhe përpikmëri nga shqiptarët dhe besimtarët myslimanë të mbarë botës.”

Me urimin “Ramazan të lehtë të gjithëve”, mbyllet mesazhi i Presidentit të Republikës drejtuar myslimanëve shqiptarë.

/Drita Islame/

 

 

You must be logged in to post a comment Login