Presidenti Nishani shtron iftar me rastin e Natës së Kadrit

presidenti-nishani-iftar-5

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shtroi një iftar me rastin e Natës së Kadrit të Muajit të Ramazanit.

Në fjalën e tij para të ftuarve z. Nishani vlerësoi lart sakrificën e myslimanëve shqiptarë për të mbajtur gjallë edhe në kohë të vështira besimin e tyre ndaj Zotit. “Është jashtëzakonisht entuziazmues fakti se brenda urisë së imponuar të asaj kohe të mallkuar, kishte jo pak shqiptarë që mbanin Ramazan. Është vërtet një gjë madhështore dhe njëkohësisht rrëqethëse ta kujtosh sot atë heroizëm.”

“Gjatë këtyre ditëve dhe netëve të Ramazanit të madhnueshëm, – vazhdoi më tej z. Nishani, – ju përbuzni materialitetin dhe ngrini lart idealizmin. Përmes kësaj sfide që i bëni materialitetit, ju bëni atë që më tepër se gjithçka i duhet njerëzimit; dëshmoni dhe forconi besimin tek Zoti.”

Kreu i shteti nënvizoi se myslimani me mbatjen e këtij riti rievokon vlerat morale dhe shenjtërore përmes; reflektimit mbi Krijuesin, botën, njerëzit, marrëdhëniet e tyre, problematikat, si dhe për zbutjen e atyre problematikave, humanizimin e tyre; ngjalljes së shpresës tek të varfrit, duke u kujtuar atyre se nuk janë të harruar, nuk janë vetëm, se për ta dikush mendon, dikush i mëshiron, dikush me ta diçka ndan, etj.

Sipas z. Nishani, me këtë privim dhe sakrificë për hir të Zotit, myslimani dëshmon superioritetin e virtytit ndaj vesit, seriozitetit ndaj papërgjegjshmërisë, punës ndaj parazitizmit, vlerave ndaj antivlerave, principe universale këto, zbatimi i të cilave me kalimin e kohës sjell vetëm të mira.

Në iftarin e shtruar nga Presidenti i Republikës krahas drejtuesve të lartë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ishin të ftuar edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, politikanë, ambasadorë, si dhe personalitete të fushave të ndryshme.

03.08.2013

/Drita Islame/

presidenti-nishani-iftar-3presidenti-nishani-iftar-6

You must be logged in to post a comment Login