Pranon fenë Islame pas sulmit të Breivek

islamdusmaniMorten Abrahamsen, i shpëtuar nga sulmi i organizuar në vitin 2011 në Norvegji nga Anders Behring Breivik,  ka pranuar fenë islame duke marrë emrin “Ibrahim”. 22-vjeçari Ibrahim flet për herë të parë pas ngjarjes së llahtarshme ku ndërruan jetë 69 persona duke  pohuar se më parë kishte qenë një i ri i alkoolizuar. Pas kësaj ngjarjeje ai ka bërë kërkime rreth feve të ndryshme dhe ka  arritur në konkluzionin se Islami është feja më e përshtatshme për të.

Ibrahim pohoi se tashmë ai frekuenton rregullisht xhaminë, lexon përkthimin e Kuranit dhe kryen  të gjitha adhurimet. “Sulmi  makabër i Breivek në të vërtetë ka treguar se sa i fuqishëm është Krijuesi. “Zgjedhja e Islamit pas sulmit është një ironi pozitive”, pohon Ibrahim duke theksuar se Breivik me anë të sulmit pati si qëllim prishjen e imazhit të Islamit në Europa, por sulmi i tij, duket se pati reagim të kundërt.

Gjatë kohës së sulmit Ibrahim tregon se ka qenë nën shoqërinë e një vajzeje myslimanë nga Kenia dhe të tre shokëve të tjerë, të cilët ishin fshehur. Ibrahim shpreh prekjen e tij nga fjalët e vajzës myslimanë e cila i kishte nxitur shokët të luteshin së bashku. Shqiptimi i fjalëve “Allahu Ekber” nga goja e vajzës myslimane e kishte bërë Ibrahimin të ndjehej ndryshe. “Ndjeva fuqinë, forcën  në lutjen e bërë, drejtuar Krijuesit gjatë momentit të sulmit, të  nxitur nga  shoqja ime myslimane”, shprehet Ibrahim, duke pohuar se deri atëherë e kishte parë me dyshim çështjen e fesë. “Pas sulmit kam kërkuar shpesh përgjigjen e pyetjes: Pse shpëtova, ndërkohë që shokët tanë disa metra larg nesh u vranë?”

Gjatë intervistës së tij ai nuk lë pa kujtuar dhe ajetin kuranor ku thuhet “Ai i cili vret një njeri të pafajshëm ka vrarë të gjithë njerëzimin”.

I njohur si  një i djathtë i tepruar Breivik më 22 Korrik të  2011 ka organizuar një atentat me bombë në Oslo ku humbën jetën 8 persona. Më pas i veshur si një polic ka masakruar 69 të rinj të cilët merrnin pjesë në një kamp veror në ishullin Utoja. Në dëshminë e dhënë nga ai thuhet se masakrën e ka bërë për të mbrojtur Europën nga myslimanët dhe se kërkonte të zgjonte masat me anë të manifestimit të tij prej 1500 faqesh.

 

 

 

You must be logged in to post a comment Login