Pikëpamjet politike të elitës kombëtare shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe konfigurimi i dy palëve ndërluftuese Bllokut Qendror (Austro-Hungari, Gjermani, Perandori Osmane) dhe Antantës (Angli, Francë, Rusi, Serbi, Itali) u pasqyrua edhe në pikëpamjet politike të elitës kombëtare shqiptare, duke e vendosur atë përballë një dileme të vështirë: me Bllokun Qendror ku bënin pjesë shtete që nuk kishin aspirata të drejtpërdrejta territoriale ndaj Shqipërisë; që kishin luajtur një rol kryesor në pavarësinë dhe në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar (siç ishte Austro-Hungaria); që ishin armiq dhe kundërshtarë kryesorë të armiqve të popullit shqiptar; që ishin armiq kryesorë të miqve të popullit shqiptar, etj; apo me Antantën, ku bënin pjesë shtete që kishin aspirata të drejtpërdrejta territoriale ndaj Shqipërisë (Serbia dhe pak më vonë Italia me Greqinë); që kishin luajtur një rol negativ dhe pengues për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar; që ishin miq kryesorë (Franca, Anglia, Rusia) të armiqve historikë të popullit shqiptar (Serbisë dhe Greqisë); që ishin armiq kryesorë të shteteve që, krahasuar me shtetet e Antantës, kishin mbajtur një qëndrim më pozitiv ndaj Shqipërisë.

Përcaktimi i pozicionit të shqiptarëve ndaj fuqive ndërluftuese kishte rëndësi të madhe, pasi në varësi të këtij qëndrimi do të varej edhe fati i Shqipërisë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Që në fillim të konfliktit në gjirin e elitës politike shqiptare u kristalizuan katër grupime kryesore:

1. Një grupim i drejtuar nga Esat Pashë Toptani, i cili ishte i bindur se ndonëse në Bllokun Qendror bënin pjesë shtete që ishin pro interesave të Shqipërisë, e kishte nuhatur se luftën do ta fitonte Antanta. Prandaj, për të fituar të drejtën dhe legjitimitetin e rreshtimit përkrah fituesit të ardhshëm, e kishte shpallur haptazi se ishte në aleancë me të duke organizuar edhe një forcë prej 600 trupash, e cila ishte vendosur nën komandën e Armatës së Lindjes me qendër në Selanik.

2. Një grupim tjetër ishte i mendimit se shqiptarët duhet ta deklaronin haptazi aleancën e tyre me vendet e Bllokut Qendror, sepse ata sipas tyre ishin të pathyeshëm[1] e se vetëm kështu mund të ruhej integriteti territorial dhe vetëm me mbështetjen e këtyre shteteve mund të rikonfirmohej pavarësia e Shqipërisë pas lufte. “Në ato kohëra, – do të shkruante më vonë një dëshmitar i atyre viteve, – filoaustriakë thuaj se ishin të gjithë shqiptarët”.[2] Gazeta “Besa Shqyptare”, e cila botohej nga dom Ndoc Nikaj, nuk ngurronte të shfrytëzonte në këtë drejtim edhe ndjenjat fetare të popullsisë myslimane. “Në Egjipt Turqia ka ushtri nga morali ma të mire tue luftu për din e iman… Nga Ismailia, – shkruante ajo, – turqit që në këtë luftë ishin rreshtuar me Bllokun Qendror, kanë me gjet rrugë të mirë përbrenda e pak kundërshtime, se populli arab asht gati me ba pas urdhnave të Kalifit”.[3] Në një numër tjetër po e njëjta gazetë shkruante se në kolonitë e saj Anglia kishte ndaluar hoxhallarët të përmendnin emrin e Kalifit nëpër xhami, e shumë prej tyre qenë burgosur, ndërsa shumë gazeta në gjuhën arabe ishin mbyllur.[4] Shtypi pro-austriak, në kuadër të aleancës së Bllokut Qendror me Perandorinë Osmane kishte filluar të shkruante hapur se shkaqet e kryengritjes kundër Princ Vidit gjatë vitit 1914-1915 nuk mund t’i visheshin Turqisë dhe xhonturqve, sepse ata, sipas tyre, ishin aleatët e mundshëm dhe të interesuar për një Shqipëri të fortë. Gazeta “Koha” shkruante se “Turqia nuk mendon të vijë prapë këtu, ajo don që të jemi të fortë sepse kemi armiq të përbashkët”.[5]

Në fillim të luftës, të njëjtës pikëpamje iu bashkua edhe emigracioni shqiptar në SHBA. Pjesa dërrmuese e patriotëve shqiptarë në Amerikë ushqyen shpresën që kjo luftë do të fitohej nga blloku austro-gjerman dhe kështu fati i Shqipërisë do të ishte më i mirë.[6] Të grupuar rreth shoqërisë “Vatra” ata i trembeshin fitores së Antantës duke e vlerësuar atë si një rrezik të madh për të ardhmen e Shqipërisë. Por brenda “Vatrës” kishte edhe mendime se pas luftës aleancat aktuale do të ndryshonin dhe se Anglia me Francën do ta kundërshtonin avancimin e pan-sllavizmit drejt Adriatikut dhe nuk do të lejonin copëtimin e Shqipërisë.[7]

3. Një grupim i tretë ishte ajo kategori e cila bënte thirrje për mbajtjen e një qëndrimi pragmatist, duke marrë si model luhatjet që kishte politika e shteteve të tjera ballkanike si Bullgaria, Rumania dhe Greqia, të cilat anonin nga ai bllok që ishte në pozita më superiore në luftë.[8]

4. Në grupin e katërt bënin pjesë të gjithë personalitetet që ishin për mbajtjen e një pozite neutrale. Një qëndrim të tillë ata e argumentonin me faktin se që të dyja palët i kishin taksur Greqisë dhe shteteve të tjera copëra nga kurrizi i Shqipërisë.[9]

Në vija të përgjithshme këto ishin pikëpamjet politike të elitës kombëtare shqiptare dhe grupimet kryesore në raport me pozicionimin e shqiptarëve gjatë LPB. Se cilit prej tyre historia i dha të drejtë, pavarësisht se që të gjithë përpiqeshin për të mirën e Shqipërisë, këtë do ta shohim më poshtë.

Në vjeshtën e vitit 1916, pasi u vu re se balanca filloi të anonte gjithnjë e më shumë nga Antanta, shoqëria patriotike “Vatra” dhe disa personalitete të njohura shqiptare ndryshuan qëndrim. Ndonëse ata kishin deklaruar neutralitetin e shqiptarëve në LPB, i propozuan Ministrisë së Jashtme Britanike që të dërgonin në Shqipëri dy regjimente me vullnetarë shqiptarë nga Amerika, për të luftuar kundër ushtrive të Bllokut Qendror.[10] Prof. Beqir Meta konkludon se, “realizimi i kësaj iniciative do të kishte rëndësi edhe për Shqipërinë, pasi kështu ajo do të renditej përkrah aleatëve të Antantës në një moment kur Greqia lëkundej dhe nuk po dilte nga pozita e neutralitetit, madje atje zhvillohej një luftë e ashpër politike për të përcaktuar se në cilin bllok do të rreshtohej Athina”.[11] Londra deklaroi se e përkrahte këtë nismë, por meqenëse bëhej fjalë për veprime që do të bëheshin brenda territorit të një shteti tjetër, vuri si kusht që grumbullimi i vullnetarëve shqiptarë të fillonte pasi SHBA, e cila nuk ishte përfshirë ende në konflikt, të kishte hyrë në luftë.

Një qëndrim të tillë “Vatra” e diskutoi edhe në kuvendin që zhvilloi më 18 maj 1918, ku u lexua një letër e përfaqësuesit të saj në Londër, Mehmet Konica, i cili propozonte organizimin e një regjimenti shqiptar nën komandën e kolonelit dhe diplomatit anglez Aubrey Herbert, që të luftonte nën flamurin e Shqipërisë bashkë me shtetet e Antantës. Menjëherë “Vatra” i shpërndau degëve të saj edhe një qarkore:

“Të dashur Pleq,

Delegati ynë Mehmet bej Konica ka patur gjithnjë idenë që e vetmja mënyrë për të siguruar indipendencën tonë është të kemi një fuqi shqiptare të armatosur, e cila të luftojë bashkë me Aleatët në Shqipëri, dhe e cila mund të mbajë vendin dhe mund të mbrojë kufinjt e vendit tonë, porsa të zbrazet Shqipëria prej ushtrive të huaja. Ai u përpoq me anë të qeverisë Angleze të jepet leje prej Aleatëve për një regjiment shqiptar, i cili të organizohet, të stërvitet dhe të armatoset në Amerikë, dhe i cili të vejë në Shqipëri me Flamurin e Shqipërisë nën komandën e shqiptarofilit të njohur Kolonelit dhe deputetit anglez Aubrey Herbert…”.[12] Por megjithë organizimin e vullnetarëve shqiptarë në SHBA mbërritja e tyre në Shqipëri nuk u bë e mundur për shkak se LPB mbaroi. Fitorja e shteteve të Antantës i dha të drejtë atyre shqiptarëve që luftuan përkrah forcave të Antantës. Në të njëjtin krah ishte rreshtuar edhe Themistokli Gërmenji dhe disa patriotë shqiptarë që me përpjekje të mëdha kishin mundur që me dëshirën e Komandës Ushtarake Franceze të krijonin një administratë lokale shqiptare nën atë që tashmë ka hyrë në histori si “Republika e Korçës”. Për ironi të fatit, Themistokli Gërmenji, bashkë me qëndrimin që “Vatra” adaptoi më vonë, vlerësohet, ndërsa disa shqiptarë të tjerë denigrohen. Gjithsesi, të gjitha palët lëkundeshin nga moral-politika te real-politika, të gjitha përpiqeshin sipas përllogaritjeve që bënin për pavarësinë e Shqipërisë.

Dr. Hasan Bello

/Revista ‘Drita Islame’ – shkurt 2017/

———————————————————————————————————-           

[1] V. A. Plumbi, “Pse Gjermania nuk mund të thyhet prej luftës së sotme”, Koha, 4.3.1915.

[2] V. J. Tako, Bisedimet, 19.9.1925.

[3] “Lufta Turko-Ingleze”, “Besa Shqyptare”, 11.2.1915.

[4] “Besa Shqyptare”, 13.2.1915.

[5] “Turqia dhe Shqipëria”, “Koha”, 11.2.1915.

[6] Beqir Meta, Federata Panshqiptare “Vatra”, Tiranë: Globus R., 2001, f. 144.

[7] Po aty, f. 145.

[8] Po aty, f. 156.

[9] Mihal Turtulli, “Qysh duhet të punojmë”, “Dielli”, 10.7.1916.

[10] B. Meta, Federata Panshqiptare “Vatra”, f. 169.

[11] Po aty.

[12]Refat Xh.Gurazezi, Historia e Federatës “Vatra”, Tiranë: Glonus R., f. 79-80.

You must be logged in to post a comment Login