Përurohet muzeu që na njeh me periudhën profetike

Profeti Muhamed

U përurua në Mbretërinë e Arabisë Saudite muzeu më i ri, i ndërtuar sipas teknologjisë më të fundit, për të ndihmuar vizitorët që të kenë mundësi të imagjinojnë jetën e përditshme në periudhën  profetike.

Në muret e muzeut janë vendosur monitorë gjigantë, të cilët pasqyrojnë foto nga Meka e Nderuar dhe Medina e Ndritshme, pemën gjenealogjike të Profetit Muhamed (a.s.), si dhe informacione të tjera nga jeta e tij.

Themeluesi i muzeut,  dr. Nasir El-Zahrani thotë se materialet e prezantuara, pasqyrojnë një përfytyrim real e të bazuar shkencërisht, për mënyrën e jetesës në periudhën profetike.

Muzeu përbëhet nga disa pavionë dhe çdonjëri prej tyre është specifik për prezantimin e një grupi të caktuar objektesh, si p.sh.: orenditë, enët, ushqimet, rrobat, armët, peshoret dhe stolitë, sipas rendit që janë përmendur në Kur’an.

Dr. Zahrani shton se ai ka përgatitur një enciklopedi të veçantë, e cila përbëhet nga disa vëllime, tri nga të cilat përshkruajnë elementet e shtet-formimit në periudhën profetike.

“Shteti i Profetit – shprehet ai – i ka pasur të gjitha institucionet, rregulloret dhe elementet e një shteti të kohës që jetojmë, mirëpo ato nuk mbanin të njëjtat emërtime që kanë sot, prandaj i kam përshtatur dhe i kam paraqitur me emërtimet bashkëkohore”, duke shtuar: “Profeti ka qenë kryetari i shtetit. Ekzistonte Divani i Profetit ose Këshilli i Lartë, i cili përbëhej nga këshilltarët, sekretari, shoqëruesi i veçantë e të tjerë funksionarë si këta. Pa harruar çështjet private të Profetit, për të cilat ishte caktuar një përgjegjës për misvakët (furçat e dhëmbëve), një tjetër për paraqitjen e jashtme dhe oratorinë, një përgjegjës për abdesin dhe një për përgatitjet e udhëtimit”.

Më tej dr. Zahrani përmend ekzistencën e ministrisë së brendshme, të jashtme, të rendit dhe ministri të tjera për çështje të tilla si: çështjet e të shpërngulurve, financa, arsimi dhe sipërmarrësit e sipërmarrëset.

Ky projekt ka për qëllim të bëjë të njohur Profetin e myslimanëve dhe Mesazhin e Islamit nëpërmjet globalizimit të tij dhe ofrimit të metodave e mënyrave të reja për prezantimin e Kur’anit dhe të Traditës Profetike, si për myslimanët ashtu dhe për jomyslimanët.

(aiitc)

 

You must be logged in to post a comment Login