Përtej zgripit

Njeriu është qenia më komplekse, i aftë të shfaqet edhe ai që nuk është, por jo gjithmonë, pasi me apo pa dëshirën e tij, tradhtohet nga vetvetja. Ai endet midis dy rrugëve, të dyja të qartësuara më së miri, ku njëra prej tyre ruan dhe mban gjithmonë të njëjtën pamje, ndërsa tjetra mund të marrë me dhjetëra, qindra, mijëra pamje konjukturale. Përkatësia dhe rrugëtimi nuk janë çështje për të cilat mund të vendosë katërcipërisht njeriu vetë me vullnetin e tij, por ndërhyrja e një intelekti të jashtëm është po aq i rëndësishëm në përkatësinë dhe rrugëtimin e njeriut. E megjithatë, qartësia e pamjes së dy rrugëve, të vendosura para njeriut, nuk i lë shteg të justifikohet se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për atë çfarë është njëfytyrëshe. Tek e fundit, secili është përgjegjës direkt për vendimin që merr, për rrugën në të cilën do të rrugëtojë. Askush nuk mund t’i shmanget kësaj përgjegjësie.

Bota ku jetojmë dhe jemi të angazhuar, historikisht ka qenë arenë e ndeshjes së vazhdueshme të këtyre dy rrugëve. Secila prej tyre ka bashkudhëtarët e vet. Vërtetësia e njërës apo tjetrës rrugë nuk varet nga numri i ndjekësve që secila ka, sepse diçka tjetër ndërhyn në këtë përcaktim. Njeriut do t’i mjaftonte të ishte në anën e së vërtetës, madje edhe sikur të ishte krejt fillikat. rruga e kundërt me të vërtetën, mund të shfaqet në një larushi formash e ngjyrash dehëse dhe tërheqëse për shumicën historike të shoqërisë njerëzore, aq sa ata që rrugëtojnë në të mund të besojnë se janë kërthiza e botës dhe e gjithë bota sillet rreth tyre. Kushdo që është i përfshirë nga ky lloj përfytyrimi nuk do të vonojë të shfaqet pa maskë dhe rrjedhimisht, i pozicionuar në llogoren e vet, i gatshëm për të mbrojtur me sakrificë rrugën ku ka vendosur të hapërojë.

Ky tip njeriu është gjithmonë në kërkim të vetes, por në kah të kundërt me qenien e vet. Është pikërisht kjo kontradiktë ende e pazgjidhur në brendësinë e këtij tipi, që gjeneron atakimin me çdokënd që nuk i shkon për shtat përfytyrimeve të tij. Manifestimi më tipik i këtij kontradiksioni përfaqësohet nga adoleshenti, por jo vetëm, dhe rrjedhimisht vendi më tipik i zbrazjes së kësaj ngarkese kontradiktore mbetet shkolla. Kontradiktat e forta mes vetes dhe qenies së tij, mes qenies së tij dhe dashurisë së sëmurë për veten, prodhojnë tension të brendshëm, që në rastin më të mirë shkarkohet me veprime që, edhe pse në pamje të parë mediokre, synojnë tërheqjen e vëmendjes së atyre që e rrethojnë mbi veten e vet. Adoleshenti që vuan nga dashuria e sëmurë për veten, do gjejë gjithmonë një precedent, e sikur të jetë nevoja, do ta inskenojë atë, sepse në qoftë se nuk do të jetë në qendër të vëmendjes, do të ndihej njëlloj si të ishte i asgjësuar. për të, të ndjerit i asgjësuar nga vëmendja e bashkëmoshatarëve është ndoshta më e kobshme se edhe vetë vdekja. për këtë arsye, veprimet gjoja spontane apo të pakontrolluara, janë tërësisht të qëllimshme, në mënyrë që e gjithë vëmendja të fokusohet tek ai/ajo.

Duke pasur udhërrëfyes këtë busull, për këtë adoleshent nuk ka rëndësi autoriteti jashtë vetes së tij, pasi e konsideron veten tepër të dijshëm dhe jonevojtar për ndihmën e një autoriteti tjetër. Madje, ky tip hyn pa asnjë rezervë në debate, për arsye krejt të pavlefshme, duke mos respektuar as minimumin e kodit etik të komunikimit njerëzor. E ka të vështirë që dikush ta marrë për dore, ta udhëheqë dhe t’i rrëfejë shtigjet ku kalohet dhe ku nuk kalohet, pasi nuk mund të pranojë që vetja e tij të jetë kaq e paditur rreth asaj çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet bërë. Kur sheh që nuk ka rrugëdalje vetëm se të pranojë atë çka në të vërtetë është, atëherë tensioni kontradiktor do ta çmontojë strukturën e tij të brendshme dhe ai do të atakojë me anën më të errët të karakterit të tij, personin që, sipas përfytyrimeve të tij, është përgjegjës direkt për humbjen apo dështimin e tij. Ndërkohë, asnjë kritikë drejtuar vetvetes. Duke u shumuar dhe duke mbushur hapësirat e shkollës ditë pas dite, ky lloj individi është kthyer në mbizotëruesin e jetës publike në shkollë, duke manifestuar atakim ndaj atyre që duan t’i çelin sytë, mbushur me arrogancë, urrejtje, zemërim, përçmim e mllef. Këto valë të rrugës së 1001 ngjyrave e 1001 fytyrave përplasen furishëm mbi këdo që manifeston refleksione morale dhe etike, komunikim njerëzor dhe respektim të njerëzores. Duke u kthyer në normalitet masiv, gati si një ortek i pandalshëm, kjo gjendje është tregues i hapët dhe i qartë i mbërritjes në përtej zgrip dhe përgjegjës për këtë nuk mund të jetë vetëm adoleshenti, por drejtpërdrejt edhe hapësira që i ka krijuar dora e ngrohtë e sistemit, që pretendon të jetë më e ngrohtë se dora prindërore. Këta të fundit nga ana e tyre, duke u përhumbur në angazhimet për të siguruar jetesën apo mbijetesën, kanë harruar së përgjegjësi kryesor për futjen në hulli apo nxjerrjen e nxënësit nga binarët janë pikërisht vetë ata.

Gjendja reale dhe aktuale nuk është aspak pozitive, madje as shpresëdhënëse, por kush qëndron në anën e rrugës njëfytyrëshe, është i bindur se çdo gjendje sado joshpresëdhënëse të duket, ka anën e vet të pakuptueshme nga mendja njerëzore. përtej zgripi është një realitet që nuk mund ta fshehim pas sofizmave e as pas nanurisjeve shpresëmëdha për rritjen e një brezi të suksesshëm në shekullin XXI. Në gjendjen e përtej zgripit, çdokush që është begatuar me virtyte morale dhe etike, duhet të kryejë përpjekjet maksimale që modeli etiko-moral të mbërrijë në përtej zgrip, si provë e prekshme e njëfytyrësisë së të vërtetës.

Nuredin Nazarko

/Drita islame

You must be logged in to post a comment Login