Personalitete të vendit urojnë Fitër Bajramin

Drejtues të lartë të shtetit dhe personalitete të jetës fetare, politike e shoqërore kanë vizituar sot selinë e Komunitetit Mysliman për të uruar besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit.

Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij uroi në emër të institucionit që përfaqëson të gjithë besimtarët myslimanë për sa më shumë paqe, lumturi dhe gëzime.

“Festa gjithmonë është e bukur, por, kur vjen pas sakrificave është shumë më e bukur dhe kuptohet më mirë. Të gjitha festat e besimeve në Shqipëri janë një vlerë  dhe tregues të qartë të bashkëjetesës fetare. Ishte një fat i keq që kaluam disa dekada pa këshillat e fesë. Është atmosfera e shpirtit ajo që e komandon dhe orienton njeriun dhe tani që janë mundësitë ju keni një detyrë të rëndësishme për të përcjellë mesazhet më të mira për shoqërinë”, u shpreh Nishani.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, në mesazhin e tij theksoi se kjo është një festë e paqes, dashurisë dhe vëllazërisë.

“Në këtë festë uroj që të shpërblehen gjithë sakrificat e besimtarëve. Në bazë të sakrificave vijnë edhe mirësitë. Uroj për çdo besimtar vetëm lumturi, paqe dhe gëzime”, u shpreh kryeparlamentari Meta.

Mesazhe urimi përcollën edhe Kryebashkiaku i ri i Tiranës, z. Erion Veliaj, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Gramoz Ruçi, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj, deputetë, politikanë, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë.

Në emër të Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj z. Lulzim Basha, urimet për besimtarët i përcolli z. Edi Paloka, kryetar i grupit parlamentar të kësaj force politike.

Pjesë e kësaj dite të begatë e festive u bënë edhe drejtues të komuniteteve fetare, Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Haxhi Dede Edmond Brahimaj, zv/kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale, z. Andon Merdani, përfaqësuesi i Kishës Katolike, Don Henry, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet z. Ilir Hoxholli, personalitete të jetës publike, përfaqësues të shoqatave bamirëse, drejtues të institucioneve arsimore islame, si dhe një numër i madh besimtarësh e qytetarësh të kryeqytetit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon të gjithë ata që morën pjesë në pritje, si dhe të gjithë shqiptarët që kanë dërguar mesazhe urimi me rastin e kësaj dite të shënuar.

ZK1A0547

ZK1A0553

ZK1A0513

ZK1A0475

ZK1A0432 ZK1A0448ZK1A0445 ZK1A0497 ZK1A0460     ZK1A0423

 

You must be logged in to post a comment Login