Personalitete të larta të vendit urojnë besimtarët për Fitër Bajramin

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka hapur dyert sot paradite për të pritur urimet e festës së Fitër Bajramit nga krerët e shtetit, përfaqësuesit e spektrit politik, trupit diplomatik, personalitetet e shquara të jetës fetare e publike, si dhe besimtarët e qytetarët shqiptarë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës në KMSH, uroi të gjithë besimtarët për festën e Bajramit.

“Kjo festë pas asaj sakrifice, është rasti fatlum për ndriçimin e shpirtit, kthjellimin e mendjes, ngrohjen e zemrës. Ta festojmë Bajramin si duhet, si na ka hije; si besimtarë të devotshëm dhe njerëz të qytetëruar, që njohim dhe respektojmë normat e Besimit; me vëllazërim me njëri-tjetrin, dhe kryesorja; mirënjohje për Zotin”, tha kreu i shtetit shqiptar.

Kryeministri  Edi Rama uroi kryetarin e Komunitetin Mysliman, z. Skender Bruçaj dhe nëpërmjet tij të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e kësaj dite të shënuar.

“Urime, dhe Gëzuar, sot janë të gjithë të barabartë ”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në urimin e tij theksoi se të gjithë duhet të tregohen të gatshëm për të reflektuar.

“I uroj të gjithë shqiptarëve dhe besimtarëve myslimanë gëzuar Fitër Bajramin. Është një ditë kur duhet të tregohemi më të gatshëm për të reflektuar për një të ardhme më të mirë për gjithë vendin. Nga mot gëzuar Fitër Bajramin”, tha kryeparlamentari Meta.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh:

“Një urim të veçantë për përfaqësues të klerit, që e kanë nisur ditën në orët e para të mëngjesit, e ta vazhdoj me agjëruesit myslimanë e t’i falënderoj për përgjegjësitë që kanë treguar dhe për shoqërinë tonë. Sakrifica e tyre të shpërblehet për ata vetë, për komunitetin, për shqiptarët pa dallim kudo që janë.”

Për të përcjellë urimet e festës në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë kanë ardhur gjithashtu ministra, deputetë, politikanë, drejtues të njësive bashkiake të kryeqytetit, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë.

Urime me rastin e kësaj dite kanë përcjellë edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, personalitete të njohura të jetës publike, përfaqësues të shoqatave bamirëse, përfaqësues të shoqërisë civile, drejtues të institucioneve arsimore dhe kulturore islame, si dhe një numër i madh qytetarësh e besimtarësh të kryeqytetit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon me këtë rast të gjithë personat që morën pjesë në këtë pritje zyrtare dhe të gjithë shqiptarët që kanë dërguar mesazhe urimi në adresë të institucionit me rastin e kësaj feste të shënuar.

 28 Korrik 2014

fiter bajram 2014 (6)

fiter bajram 2014 (4)

fiter bajram 2014 (3)

fiter bajram 2014 (5)fiter bajram 2014 (7)

fiter bajram 2014 (1) fiter bajram 2014 (2)

You must be logged in to post a comment Login