Përkushtimi në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit

lutja

Aishja (r.a.) ka thënë: “Kur vinte dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit, Profeti (a.s.) e gjallëronte natën, zgjonte pjesëtarët e familjes, ishte më i përkushtuar dhe shtrëngonte rrobën”[1]. Në një transmetim tjetër thuhet: “Në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, Profeti (a.s.) përkushtohej më shumë seç ishte përkushtuar më parë”[2].

Shpjegimi i hadithit

Ky hadith tregon se dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit dallohet nga ditët e tjera për shkak të përkushtimit më të madh. Nëna e besimtarëve, Aishja (r.a.) na e ka përshkruar adhurimin e Profetit (a.s.) në këtë dhjetëditësh me katër cilësi:

Cilësia e parë: E gjallëronte natën, që do të thotë se tërë natën e kalonte në adhurim, rrinte zgjuar dhe nuk flinte sepse gjumi është gjysmë vdekje. E gjallëronte natën duke u falur dhe duke adhuruar Allahun, Zotin e botëve. Në një hadith të transmetuar nga Abdullah ibnu Amër lexojmë se nuk është e lejuar që myslimani ta gdhijë tërë natën duke u falur[3].  Ky hadith nuk bie në kundërshtim me hadithin e Aishes, sepse qëllimi i këtij hadithi është për atë njeri që falet vazhdimisht përgjatë gjithë vitit.

Cilësia e dytë: Zgjonte pjesëtarët e familjes, në mënyrë që edhe ata të përfitonin nga mirësia e dhikrit dhe adhurimit në këtë kohë të begatë.

Cilësia e tretë: Ishte më i përkushtuar; që do të thotë se në këtë periudhë ai ishte më i përkushtuar se në dy dhjetëditëshat e parë. Arsyeja pse ai ishte më i përkushtuar, sepse në këtë dhjetëditësh gjendet Nata e Kadrit.

Cilësia e katërt: Shtrëngonte rrobën; që nënkupton përkushtim më të madh në adhurim. Dihet se në këtë dhjetëditësh Profeti (a.s.) hynte në Itikaf, ndërkohë që ai që është në itikaf e ka të ndaluar t’i afrohet gruas.

I nderuar vëlla dhe motër!

Përshkruaje veten me këto cilësi. Fale namazin e Tehexhudit (natës) bashkë me imamin plus namazin e teravive. Sepse kështu arrin që të jesh më i përkushtuar se në dy dhjetëditëshat e parë. Gjallëroje natën duke u falur.

Duhet të jesh sa më i durueshëm gjatë këtij adhurimi, sepse realisht namazi i tehexhudit karakterizohet nga durimi, por në të njëjtën kohë shpërblimi i tij është shumë i madh. Falja e namazit të tehexhudit realisht, është rasti më i mirë dhe plaçka më e mirë. Ndoshta njeriun mund ta prekë puhiza e Zotit të tij dhe kështu ai është i lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër.

Të parët e këtij ymeti, e zgjasnin shumë faljen e namazit të natës. Duke marrë si shembull Profetin (a.s.) Saib ibnu Zejd thotë: “Prijësi i besimtarëve Omeri urdhëroi Ubej ibnu Ka’bin dhe Temim Ed Darin që të falnin namaz me nga 11 rekatë si imamë.  Në namaz ata lexonin suret që kanë 200 ajete, kështu që nga lodhja ne u mbështetnim tek shkopat, dhe si rrjedhojë namazi përfundonte në prag të agimit.”

Në Ramazan, myslimani ka dy beteja me veten e tij; ditën duke agjëruar dhe natën duke u falur. Ai i cili bashkon ndërmjet këtyre të dyjave duke i dhënë secilës prej tyre hakun që i takon, konsiderohet prej durimtarëve që shpërblehen pa kufi.

Ky dhjetëditësh është në përfundim të muajit të Ramazanit, ndërkohë që veprat që njeriu kryen lidhen ngushtë me përfundimin e tyre. Në këtë dhjetëditësh gjendet Nata e Kadrit, dhe mund të ndodhë që myslimani e arrin Natën e Kadrit duke qenë në adhurim dhe si rrjedhojë i falen mëkatet.

Myslimani po ashtu duhet që të nxisë pjesëtarët e familjes që edhe ata të përkushtohen me adhurim, sidomos në këto kohë madhështore nga të cilat neglizhon vetëm ai që e privon veten për të përfituar prej tyre. Në kohët që jetojmë zgjimi është shumë i thjeshtë, por ajo që është e rëndësishme është se njeriu duhet të këshillojë familjen që orët e natës t’i shfrytëzojë për mirë dhe jo t’i humbasë duke u marrë me thashetheme. Humbja më e madhe për njeriun është që në kohën kur njerëzit janë duke e falur namazin e Tehexhudit, ai e harxhon kohën në gjëra të padobishme, apo në haram.

Prandaj, myslimani duhet të shpejtojë që të bëjë sa më shumë vepra të mira në ato pak ditë që kanë ngelur nga ky muaj, sepse përfitimi nga këto ditë mund të jetë shkak i mbulimit të veprave jo të mira që njeriu ka vepruar gjatë jetës.

Është për të ardhur keq me disa njerëz, të cilët në fillim të këtij muaji bëjnë vepra të mira, falen e lexojnë Kur’an, por më pas tek ta shfaqen shenjat e mërzitisë dhe pesimizmit, sidomos në dhjetëditëshin e fundit, i cili dallohet nga fillimi i tij. Prandaj njeriu duhet ta vazhdojë përkushtimin, madje ta shtojë atë akoma më tepër, sepse veprat lidhen ngushtë me përfundimin e tyre. Dhe nëse kushtet plotësohen, atëherë veprat janë më të pranueshme. Prandaj, në këtë dhjetëditësh myslimanët duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin se kush të bëjë më shumë punë të mira.

/Elton Harxhi-Drita Islame/



[1]  Transmeton Buhari.

[2]  Transmeton Muslimi.

[3]   Transmetojnë Buhari dhe Muslimi.

You must be logged in to post a comment Login