Përjetësisht mirënjohje H. Selim Muçës

img_2468H. Selim Muça lindi në vitin 1936 në fshatin Sebishtë të krahinës së Gollobordës. Babai i tij, Destani, i mbrujtur me ndjenja atdhetare liridashëse e fetare, u interesua për arsimimin e djalit të tij. Arsimimin 7-vjeçar e mbaroi në vendlindje. Si familje me ndjenja fetare islame e dërguan në Medresenë e Tiranës. Falë zgjuarsisë dhe vullnetit të tij, ai rrëmbeu zemrat e shokëve, por edhe të pedagogëve, e dallohej si një nga nxënësit më të spikatur të klasës e të shkollës në tërësi. Në vitin 1956 diplomohet në Medresenë e Tiranës. Dëshira për studime të larta i plotësohet duke përfituar bursë jashtë shtetit, për të vazhduar studimet në Çekosllovaki në Fakultetin e Inxhinierisë.

Pasi merr diplomën shërben me devotshmëri në zonat më të thella të vendit pa harruar në asnjë moment ndjenjat e besimit islam, që i kishte të forta edhe në familjen e tij. Me ndërrimin e sistemit komunist dhe vendosjen e demokracisë në vitin 1991, u rihapën institucionet fetare. H. Selimi del në pension dhe i përkushtohet ringjalljes së fesë e ringritjes së institucioneve fetare.

Në vitin 1992 bëhet pjesë e Komunitetit Mysliman dhe angazhohet me detyra fetare si imam, vaiz e myfti, të cilat i kryen me devotshmëri.

Sistemi i ri demokratik, krahas ndryshimeve në të gjitha fushat, solli ndryshime edhe në krijimin e funksionimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Hapin e parë e bëri i ndjeri H. Sabri Koçi, që i takoi barra e ringritjes dhe funksionimit të institucioneve fetare në tërë Shqipërinë, si dhe i shkollave me drejtim fetar të quajtura medrese. Pas tij i erdhi radha intelektualit të mirënjohur, medresistit të hershëm, i formuar me njohuri fetare islame, H. Selim Muçës, të vijë në krye të Komunitetit Mysliman në vitin 2004.

Angazhimi i tij për një drejtim më efikas u arrit në riorganizimin e medreseve dhe ngritjen e Universitetit Bedër. H. Selim Muça, që merr dhe titullin e haxhiut, u dallua për punën e tij në ekip me të gjithë stafin e Komunitetit Mysliman. Krijoi një frymë bashkëpunimi, evidentoi problemet që kishin nevojë për zgjidhje, veçanërisht në ato pronave, përcaktoi rregullat e punës në ekip, ndarjen e detyrave sipas departamenteve duke i deleguar kompetencat për zgjidhje. Komunikimi me stafin e tij luajti rol parësor për transmetimin e orientimeve e direktivave në qendër e në bazë te myftinjtë e rretheve e këta tek imamët. Ai u bë një drejtues i kujdesshëm së pari për të kontrolluar veten e pastaj stafin e tij, duke u bërë shembull për të tjerët e pastaj për t’i motivuar ata në punë.

H. Selim Muça bëhet një drejtues i mirë i Komunitetit Mysliman, e njohu suksesin e punës së tij dhe e vlerësoi atë, por mori vlerësime edhe nga institucionet fetare brenda dhe jashtë vendit, si dhe ato shtetërore. Ai bëhet një lexues i rregullt i literaturës fetare, që ndikoi në rritjen e nivelit e të kulturës së drejtimit dhe menaxhimit nëpërmjet organizimit të seminareve e konferencave. Ishte i hapur për shkëmbime idesh e eksperiencash në drejtim të Islamit në Shqipëri. Dallohet në shtimin e dialogut me fetë e tjera në vend, duke shprehur harmoninë e tolerancën në mes tyre, për një bashkëpunim të ngushtë për interesat e vendit.

Punoi me përkushtim për dy legjislatura me radhë 2004-2014 dhe për arsye moshe lë detyrën, duke ia dorëzuar një intelektuali tjetër të njohur e të ri në moshë, z. Skender Bruçaj. Përsëri mbeti i nderuar e i respektuar, pasi Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së e zgjedh Kryetar Nderi. Së fundi, Universiteti Bedër e nderoi me titullin “Doctor Honoris Causa”.

H. Selim Muça u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Shkaktoi dhimbje të rëndë te familjarët, kolegët e tij në institucionin e KMSH, si dhe tek të gjithë besimtarët myslimanë, për vlerat e larta që la pas. Edhe pse ishte 10 vjet në detyrën e kreut të KMSH-së, i gjithë stafi apo kolegët që punuan me të, panë të personifikuar modelin e qetësisë dhe dashurisë njerëzore, panë dhe ruajnë të gjallë në kujtesë një figurë drejtuese me zemër të madhe, që rrezatonte vazhdimisht e pa u lodhur devocion, përkushtim e dashuri vëllazërore prej myslimani me të gjithë. Një drejtues të cilit zëri iu dëgjua veç për mirë, gojëmbël dhe kurajoz, që mbronte me dinjitet pikëpamjet e drejta e të vërteta të Islamit. Ai gjykonte e vlerësonte vazhdimisht me sinqeritet e dashamirësi gjithçka të mirë e të bukur që kjo fe ofron.

Emri i H. Selim Muçës do të mbetet përjetësisht në memorien e të gjithëve për mirësinë, fisnikërinë, respektin dhe dashurinë njerëzore që kultivoi e trashëgoi.

Zoti i dhëntë paqe e qetësi shpirtit të tij në parajsën e amshuar.

Xhemal Balla

You must be logged in to post a comment Login