Për një dimension të munguar në pedagogji – PRANVERA BARDHI

 


nga Pranvera Bardhi 

Dispozitat Islame për problemet e edukimit dhe mësimit janë madhështore. Kur flitet për edukim nënkuptohet aspekti efektiv, moral e shoqëror. Dimensioni shpirtëror në këtë edukim është primar.

Feja është ligj, sheriat dhe qëllim kryesor i sheriatit islam është transformimi i njeriut për mirë, transformim që i siguron atij drejtësinë, mirësinë, lumturinë në këtë botë por edhe në tjetrën. Pra në aspektin hapësinor ajo është harmonike në atë dualizëm të mrekullueshëm që është prioritet i fesë Islame, në atë dualizëm që është kuintesenca e ekzistencës, në raportin shpirt-materie.

Por edhe në një aspekt tjetër, ajo është universale. Mëshira për të cilën flitet në Kuran mund të realizohet vetëm përmes dominimit të të drejtave të barazisë, dinjitetit dhe lirisë në mbarë botën.

Këto mesazhe janë sot më aktuale se kurrë. Didaktika ka evoluar nga racionalizmi i Dekartit në sensualizmin e Bakonit. Sot kur bota është bërë tejet agresive apelohet për një didaktikë me karakter human e dashamirës. Domosdoshmëria e këtij dimensioni është aktual aq më shumë se humanizmi klasik është bërë shkencor e teknik, kur bota po shpalos një perspektivë të frikshme, sot kur primare është ruajtja e traditës dhe përgatitja për të ardhmen.

Mesazhi themelor i kësaj didaktike është toleranca e dinjiteti.

Një pedagog spanjoll shprehet: “Çdo sekondë është një çast i ri, dhe i veçantë i universit, një çast që s’ka qenë më parë dhe kurrë s’do të jetë më. Dhe çfarë u mësojmë fëmijëve? Vetëm që dy e dy bëjnë katër! E kur do t’u mësojmë se cilët janë? Duhet t’u themi secilit: Ti je një mrekulli, ti je i papërsëritshëm. Në gjithë botën nuk ka fëmijë si ti. Mund të bëhesh Shekspir, Bet’hoven… A mund t’i bësh keq një njeriu tjetër mrekulli si ti? Duhet të vlerësoni njëri-tjetrin. Duhet të punojmë që këtë botë ta bëjmë të vlefshme për fëmijët që mban”.

Nderoni njëri-tjetrin, Zoti nderoi njeriun duke bërë t’i përulen engjëjt, thuhet në Kuran.

Shkolla laike sot është e njëanshme. Ajo do të vazhdojë të reflektojë probleme e mangësi sepse metodologjia e studimit është materialiste.

Leopardi, poet italian thotë: “Forca, madhështia, fisnikëria e mendjes njerëzore qëndron tek fuqia e saj për të kuptuar sa e pafuqishme është”.

Dualizmi është forma më e lartë e jetës. Është dualiteti i mrekullueshëm trup, frymë, mendje-zemër, shkencë e fe, filozofi. Është dualizmi mes lirisë së shpirtit dhe determinizmit të natyrës.

Le të marrim një kategori filozofike, moralin. Alija Izetbejgoviç jep në mënyrë të plotë përkufizimin në marrëdhënie me të tjerët e harmonizuar me faktin se Zoti ekziston.

Pra, njeriu që të jetë i moralshëm duhet të besojë në Arsyen Universale, në Frymën Absolute, në Inteligjencën Supreme, në Arkitektin, Projektuesin e Ligjvënësin. Si mundet një mësues bashkëkohor (ateist) të shpjegojë si shkarkesat elektrike në tru, transformohen në fjalë, si mund të flasë për enigmat e ekzistencës, humnerat e llojeve të jetës, këtë univers të drejtuar në mënyrë perfekte nga ligje të fizikës, nxehtësisë, dritës, aq i përllogaritur sa trupat qiellorë shërbejnë për kohëmbajtje? Si mundet një mësues bashkëkohor (ateist) të flasë për misteret e trurit, për kategori filozofike si humanizmi, apo mënyrën e administrimit të miliona mesazheve në tru apo enigma të tilla si jeta e vdekja pa besuar në Zot?

Shkolla jonë sot vetëm reklamon madhështinë pa zbuluar Krijuesin.

Gjuha, thotë Branko Merxhani, që të bëhet gjuhë i duhet edhe ndërgjegjja kombëtare. Ndërsa letërsia është shpirt, është frymëzim, është art, është dashuri, sepse ajo buron nga shpirti, është metafizike e spontane.

Mësimi bashkëkohor duhet të jetë efektiv. Ai duhet t’i japë impulse ndjenjës. Mësuesi i suksesshëm nuk duhet të gjykojë si materialist vulgar. Nuk duhet menduar nxënësi si një enë që duhet mbushur. Jo vetëm një sërë faktorësh psikofiziologjikë si zhvillimi i të menduarit, kujtesa, vëmendja, niveli i aftësive njohëse, gjendja patologjike, ndryshime që lidhen me seksin, kushtet e jetesës, faktorët gjenetikë i bëjnë nxënësit të ndryshëm, por edhe faktorët shpirtërorë janë agjentë të suksesit si: motivimi, gjendja emocionale, afektive, gjendja morale…

Në rast se do të injorojmë sot dimensionin shpirtëror në shkollë, çmimi do të jetë i lartë nesër. Shkolla do të nxjerrë teknokratë pa shpirt, pragmatistë, njerëz pa dinjitet, shoqërisë do t’i mungojë humanizmi e demokracia.

Le të trajtojmë vetëm një aspekt të orës së mësimit: “vlerësimin”.

Vlerësim do të thotë të gjykosh brenda kuadrit të vlerave. Vlerësim do të thotë që të gjithë janë të vlefshëm për shkak të diversitetit të tyre, vlerësim do të thotë diagnostikim e gjykim i vlerave, matja karshi standardeve. Vlerësimi duhet të jetë i tillë që nxënësi duhet ta ndjejë veten të aftë e të zotin. Ai duhet të respektojë autonominë, lirinë, gjykimin profesional të mësuesit por edhe shprehitë, njohuritë e përvojën e nxënësit. Por për fat të keq ka mësues që e përdorin notën si instrument ndëshkimi, për një autoritet fiktiv ose duke qenë të paaftë profesionalisht për t’i detyruar nxënësit të mësojnë. Mësuesi bashkëkohor është afektiv, është partner i nxënësit. Ai është spontan, i thjeshtë, i natyrshëm, i ç’veshur nga aureola e një autoriteti fiktiv. Që shkolla të lëshojë mesazhe paqeje, të jetë kronikë brezash, duhet të funksionojë me një dimension të domosdoshëm shpirtëror dhe të mos komprometojë lirinë e mendimit.

Në frazën e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, respekti për të drejtat e dinjitetit, është themeli i lirisë, drejtësisë e paqes në botë.

Por ky respekt për të drejtat e dinjitetin e njeriut është kozmetikë, truk e formal pa atë besim që mbush, orienton e plotëson jetën e tij, besimin në Zot.

Feja Islame jo vetëm që nxjerr njeriun nga errësira e padijes në tolerancë e liri, por ajo e çliron atë dhe i siguron dinjitetin.

 

You must be logged in to post a comment Login