Orenja, “mbretëria e largët”

nga: Ferit Lika

Atë mëngjes dielli, rrezatonte si jo ditë më parë gjatë këtij shkurti. Një natë më parë  shërbimi meteorologjik kishte njoftuar rritjen e temperaturave. Një lajm i mirë ky përballë dëborës së këtij moti. Nisemi nga Tirana si shumë herë të tjera herët, për t’u përgjigjur thirrjeve për ndihmë që vinin nga verilindja e vendit.  Pas një orë e gjysmë mbërrijmë në Librazhd, vendin i cili përveç disa pallateve 4-5 katëshe dhe dy rrugëve të asfaltuara nuk ka ndonjë gjë tjetër që të kujton qytetin.  Pas një ndalese të shkurtër aty pasi na dalin disa probleme të vogla koordinimi, nisemi drejt destinacionit tonë.

Siç ishim njoftuar rruga ishte e vështirë për t’u kaluar. Ylli Gurra funksionar i lartë i KMSH-së, një njeri i thjeshtë e modest, përtej petkut të postit, ai i cili kishte organizuar edhe këtë “operacion” ndihmash, njofton një mikun e tij që punonte si shofer që të na çonte atje për ku ishim nisur. Kamioni i ushtrisë i ngarkuar me pakot ishte nisur më parë, bashkë me të kishte shkuar administratori i Myftinisë së Librazhdit Xhevahiri dhe një person tjetër që njihte mirë rrugën.

Në kohën kur po bisedonim së ku mund të ishte tashmë kamioni i ushtrisë, vjen edhe makina me të cilën do të niseshim. Ishte një benz i vjetër që fillimisht nuk ma mbushi mendjen se  do të mund të çante rrugën, por që shumë shpejt ndryshova mendim.

Rrugës ndalemi në një karburant gjysmë të shkatërruar, për të furnizuar makinën me naftë edhe pse kur ishim nisur ishim furnizuar, menduam që të sigurohemi më mirë përpara se të mbeteshim rrugës. Aty edhe pyetëm se  kë rrugë duhet të marrim sepse ndodheshim në një kryqëzim. Pasi punonjësi i karburantit na tregon rrugën, pak metra më tutje një tabele e hedhur përtokë  shkruan “ Welcome to Orenja”, kjo ishte edhe copëza e fundit e “qytetërimit” në këto anë. Pak më parë isha ankuar se rruga ishte e keqe dhe nuk i kisha besuar shoferit kur më kish thënë se kjo nuk është gjë farë, ka edhe më keq.  Me të vërtetë që pas kalimit të tabelës rruga nuk ka më asgjë të ngjashme me rrugën, aty fillojnë të duken edhe gjurmët e para të dëborës.

Shumë shpejt kalojmë kamionin dhe ndalojmë pasi Besimi (shoferi i kamionit) na bën shenjë që të presim. Xha Xhevahiri, për shkak të moshës dhe rrugës me gurë e gropa nuk mund të udhëtonte dot me IFON e ushtrisë, kështu që   vjen e hipën ne benz për të vazhduar rrugën.  Gjatë udhëtimit Xhevahiri na tregon fshatrat që kalojmë  njëri pas tjetrit. Ai na tregon për malet përballë dhe për rrugën që duket atje tej që të lidh edhe me Dibrën  e Maqedoninë.  – Këtu jemi në Funarës thotë xhaxha Xhevo, dikush nga ne ia kthen me shaka – Ky emër duhet të rrjedhe nga rrënjët “Në fund të Arës”, por Xhevo vazhdon të na tregojë: – Atje tej është mali i Shebenikut.

Sa më shumë ngjitemi aq më shumë shtohet edhe trashësia e dëborës, megjithëse krahasuar me ditë më parë siç mësojmë më pas,  gjendja ishte shumë më e mirë, e normalizuar. Por ngrica,  dhe rruga e deformuar bënte punën e saj në vonesën tonë, diku rruga ishte tërë baltë e llucë e diku me shtresa të fshehura akulli, çka e bënte më të rrezikshme.Fshatrat që shohim ndanë rrugës janë në një gjendje të mjerueshme, shtëpitë e vjetra të plasaritura, gjysmë të rrënuara, ku vetëm ndonjë antenë e vendosur mbi tjegullat e thyera në bën të kuptojmë se është e banueshme. Në rrugë e sipër na bën përshtypje kur kalojmë pranë një ndërtese e vjetër me gurë por disi e mirëmbajtur ku shkruhej “Bar Kafe Adrenalina”, a thua kishte  mbetur ndo pak vend për adrenalinë përballë asaj pamje të trishtë.

Vendi i zbardhur nga dëbora, nga ngrohja e motit  kish filluar të bëhej njolla-njolla të zeza, ku bora ishte shkrirë pjesë-pjesë duke krijuar një panoramë bardhë e zi. Përballë kësaj panorame, fshatarët e kësaj zonë jetonin me shpresën se një ditë do t’u asfaltohej rruga, ky ishte edhe shqetësimi më i madh i tyre. Një tricikël e ngarkuar me ushqim për bagëtinë rreth 500 metra larg na hap krahun në rrugën njëkalimëshe. Edhe në këto ditë të ftohta banorëve përveç jetesës së tyre u duhej të siguronin edhe ushqim për bagëtitë. “Më mirë të rri vetë pa ngrënë se sa të lë bagëtinë”, na thotë një fshatar i cili po përpiqej të ngarkonte gomarin me bar nga mullari i shprishur, në një arë larg shtëpisë.

Rrugës ndalemi edhe disa herë pasi makina ta mëdha me ushqime na kishin zënë rrugën. Disa banorë të fshatrave të tjerë përreth kishin shfrytëzuar këtë situatë për të bërë tregti. Në këto zona të thella. Xhevahiri  vazhdon të na informojë me emrat e zonave dhe duke na treguar ndonjë ndodhi të kohëve më parë, gjë që na e bënte udhëtimin më interesant dhe na bënte më kureshtar për të mësuar më shumë. Në një rrugë ku mezi po kalonim takojmë dy fëmijë. Një vajzë dhe një djalë pak më i vogël duke ecur ndanë rrugës ku këmbët i humbisnin në dëborë. Kishin ngarkuar nga një thes në krah, fillimisht nuk po e dallonim dot, por kur afrohemi shohim se në thasë kishin hekurishte për skrap. Kush e di se ku kishin mundur t’i siguronin mes asaj dëbore.

Pas tre orë udhëtimi më në fund arrijmë në “mbretërinë e largët” të Orenjës, mes maleve, dëborës  e të ftohtit.  Pamja ishte e zymtë. Fshati shtrihej një luginë buzë një gremine të vetmuar e rrethuar me male të larta e të mbuluara në dëborë.Në lokalin në dalje të fshatit na prisnin shumë njerëz, kreu i komunës Ndriçim Lila, i kishte njoftuar më parë. Matanë atje tej mes maleve ndodhej Gurakuqi, na tregojnë banorët  që kishin ardhur që andej, ku dëbora arrinte në trashi shumë më të mëdha. Banorëve u duhej një orë ecejake mes dëborës e pyllit për të ardhur aty.

Pasi shpërndajmë pakot, mes turmës vërej vajzën dhe djalin që kishim takuar më parë rrugës. Aty mësojmë se vajza ishte diku 10 vjeç dhe kishte shumë dëshirë që të shkonte në shkollë, por siç na rrëfen më vonë i ati nuk kishte mundësi financiare që ta çonte në shkollë dhe se shkolla ishte shumë larg dhe rruga behej e rrezikshme për fëmijët me përrenjtë e pyjet që mbulonin vendin.  Historia e vajzës që donte të shkollohej, vajzës që për fat keq nuk ia mësuam dot emrin na preku të gjithëve. Largohemi që aty dhe zbresim në te tjerë fshatra për të shpërndarë pako të tjera ndërkohë që nata kishte kohë që kishte mbuluar ato zona të thella. Kthehemi në Librazhd rreth orës 21. Gjumi na merr pa pyetur, pas atij rrugëtimi të lodhshëm prej 12 orësh.

22 Shkurt 2012 

You must be logged in to post a comment Login