“Nuk mund të themi që nuk e dinim. Në Halep, shpartallimi i Perëndimit”

Në Halep jemi duke parë rikthimin e tmerreve të Srebrenicës në Bosnje dhe të Groznit në Çeçeni, por me një dallim. Këtë herë masakrat na i rrëfejnë minutë pas minute në Twiter, vetë viktimat. Shpërqendrimi i qeverive tona dhe opinioneve tona publike është shenjë e shpartallimit të Perëndimit, të humanizmit, të Europës”. Raphaël Glucksman, aktivist për të drejtat e njeriut dhe shkrimtar, biri i Andre Glucksman, ka organizuar dje, bashkë me Amnesty International, Medecins du Monde dhe organizata të tjera humanitare, një manifestim në Paris, në solidaritet me viktimat e Putinit dhe Bashar al Assadit në Siri.

Në vitet e para të epokës së internetit, thuhej se “Aushvici nuk do të jetë më kurrë i mundshëm, për shkak se e vërteta del menjëherë”. Në fakt, falë internetit mësojmë menjëherë për një masakër që po kryhet e prapëseprapë nuk arrijmë ta ndalim.

Merita e internetit dhe rrjeteve sociale është ajo që të paktën na heqin justifikimin, nuk mund të themi “nuk e dinim”, sepse dimë gjithçka dhe ndërkohë që është duke ndodhur. Kjo na mbush me përgjegjësi dhe e bën edhe më të fajshëm mosveprimin e qeverive perëndimore, si dhe të vështirë për t’u mbrojtur.

A është një moment kthese për Perëndimin?

Fatkeqësisht po, më duket një fiasko humanitare, e cila do të njollosë ndërgjegjet dhe historinë. Perëndimi dhe Europa nuk kanë një zë në këtë kapitull. Drejtuesit tanë më të mirë janë katandisur në një rol komentatorësh: gjykojnë krimin, në vend që të provojnë ta parandalojnë. Administrata e SHBA flet për katastrofën më të rëndë të shekullit XXI, por nuk është në gjendje të bëjë asgjë. Në botën e re, Putini dhe Erdogani do të vendosin gjithçka, pa ne, pa i përfillur të drejtat e njeriut dhe ligjet ndërkombëtare.

A nuk hyn në lojë edhe njëfarë konfuzioni i opinionit publik? Kur flitet për Sirinë, kemi prirjen të mendojmë për vendin ku Shteti Islamik mban bazat e veta. Në Francë, kandidati favorit për president, François Fillon, ka thënë në televizion se ka dy kampe në Siri: terroristët dhe të tjerët, dhe ai është me të tjerët.

Por ai nuk përshkruan aspak realitetin. Atentatet në Francë kanë trazuar ndërgjegjet tona, dhe tashmë në emër të luftës ndaj terrorizmit, gjithçka autorizohet. Viktima e parë është e vërteta. Por në Halep nuk është ISIS. Terroristët e Shtetit Islamik janë dëbuar nga Halepi. Duke rrafshuar një qytet ku nuk ka terroristë, Putini dhe Assadi po kryejnë terrorizëm shtetëror. Lufta jonë kundër Shtetit Islamik është e drejtë dhe duhet bërë deri në fund. Po ç’hyjnë këtu gratë, fëmijët dhe burrat civilë të Halepit?

Çfarë mund të bëjnë qytetarët europianë?

Gjithsecili ndihet i pafuqishëm dhe mendon të bëjë fushata në rrjetet sociale, apo të zbresë në sheshe. Kjo është pak. Është një pikë, por shumë pika së bashku mund të krijojnë një lëvizje të opinionit, në gjendje të kushtëzojë politikanët, për shembull kandidatët për presidentë në Francë.

Shumëkush kërkon fundin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Duhet bërë e kundërta, të ashpërsohen. Askush nuk do një Luftë të Tretë Botërore, por mes shkaktimit të një lufte me Rusinë dhe të mos bërit asgjë, ka shumë gjëra në mes, dhe kjo quhet politikë. Tani më shumë se kurrë, Europa duhet të gjejë një pozicion politik të fortë dhe të bashkuar, nëse nuk dëshiron të shndërrohet në këlyshin e Putinit dhe Trumpit. Për shembull, të mendojë për bojkotimin e Botërorit të Futbollit 2018 në Rusi, që përndryshe do të jetë një makineri gjigande propagandistike, në shërbim të presidentit rus, i cili bashkë me aleatin e tij sirian, Assad, po kryen një masakër në Halep.

/ Corriere della Sera – www.bota.al /

You must be logged in to post a comment Login