Nuk e harroi xhaminë e lagjes Garuc, i bardhi Hoxhë…

SANYO DIGITAL CAMERASa herë kaloj në lagjen Garuc dhe vështroj vendin e vakëfit të saj, aty ku dikur kishte një xhami, më vjen ndër mend Hoxha, i bardhi Hoxhë…

Nuk më hiqet nga mendja insistimi i tij i vazhdueshëm; në takime të drejtpërdrejta, me letra, me telefonata, në të gjitha format.

H. Vehbi S. Gavoçi u dishru për ta rindërtuar atë xhami të vogël, ku dekada më parë kishte shërbyer si imam e hatib, i ati, H. Sulejman Gavoçi. Në fund të fundit ajo ishte edhe xhamia e lagjes së tij, aty afër kishte shtëpinë e vjetër, ku ishte lindur e ku kishte kaluar fëmijërinë e parë, derisa një ditë…

Në një prej atyre ditëve, kur fëmijëria burrërohet dhe kujtimet e saj barten në valixhet e udhëtimeve të gjata pa kthim, larg shtëpisë, larg lagjes, larg xhamisë, shokëve e mësuesve, vendlindjes e të dashurve… larg, pa kthim…

Në një prej atyre ditëve, pasi H. Sulejmani kishte vendosur të emigronte për hir të Zotit, për të ardhmen e fëmijëve të tij, teksa shihte se në sfondet e largëta të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë, errësira dhe njerëzit e saj, ishin bërë të gati të vërshonin me tërë fuqitë e tyre… Dhe, historia vërtetoi se ashtu ishte, ashtu ndodhi, ashtu vazhdon të jetë…

Nga ajo ditë e derisa mbylli sytë (në vitin e afërt 2013), Hoxha nuk e harroi xhaminë e lagjes, mihrabin e babës së dashur, minberin, prej ku zëri i tij kumbues, tamam si në ato ditë, kur dilte në llogoret e mbrojtjes së qytetit kundër malazezëve, thërriste pa pushim për besim, shpresë, dritë, të ardhme e qëndrueshmëri… Nuk e harroi xhaminë e lagjes Garuc, i bardhi Hoxhë…

Më kujtohet edhe ajo ditë, kur, me porosi të Hoxhës, kisha mbërritur para derës së Myftinisë Shkodër, për të biseduar me vetë Myftiun. Isha bartës i një amaneti të madh nga Hoxha… Asokohe isha student në Damask. Isha kthyer për pushimet e verës. Kujtoj se në takim, te Myftiu, një dëshirë e madhe për kryerjen e amanetit dhe finalizimin e tij më kishte pushtuar. Mezi prisja të mbaronte biseda jonë me një pohim a miratim të Myftiut, ndonëse ajo ende nuk kishte filluar… (Më vonë do më rezultonte se ajo ishte e mbaruar, që pa filluar)…

Më kujtohet se si Myftiu, pasi i komunikova se Hoxha më kishte nisur me një amanet, kërkesën për ndërtimin e asaj xhamie të shtrenjtë për të dhe kujtimet e tij, nga fondet e familjes, thirri administratorin (një person që nuk ia kujtoj as emrin, as më intereson t’ia kujtoj tani), i cili, si ta kishte shabllon të gatshëm përgjigjen, e mbylli pa e hapur mirë si bisedë.

I heshtur e pa fjalë, dola nga ajo zyrë, duke menduar se çfarë do t’i thosha Hoxhës… Si do ia komunikoja përgjigjen e marrë në myftini? T’i thosha se një pjesë toke e ka zënë filani e një pjesë tjetër shteti? Aty ka ndërtuar iksi, ndërsa ipsiloni ka nisur procedurat për të legalizuar një llokmë më tutje? Apo t’i thosha se…? Çfarë t’i thosha?

Pamundësia e myftinisë asokohe, për t’i dhënë drejtim kësaj kërkese, ishte një dhembje më shumë, që i shtohej përgjigjes negative dhe faktit, se xhamia e shumëdëshiruar, ndoshta nuk do të ndërtohej më në atë vend… Ose, të paktën, kështu përktheheshin fjalët, letrat dhe realiteti i dëshmuar mbi tokën-letër e fakteve konkrete-bojë e zezë.

Pastaj, teksa vështroj një dyqan të madh para syve të mi, tamam mbi vakëfin e xhamisë, më kujtohet poshtërsia e një ish-drejtori të ALUIZNI-t Shkodër, që pas shumë gjarpërimesh, i legalizoi të afërmit të tij atë objekt, pengesë për rikthimin e vakëfit të shenjtë në shenjtërinë e tij dhe legjitimitetin e mohuar…

Poshtërsi, po, po, poshtërsi! E di mirë, se një thirrësi islam nuk i shkon të përdorë këtë zhargon fjalësh, por disa realitete të hirta në qytetin tim të deformuar, nuk mund të përkthehen ndryshe, vetëm se me një numër të caktuar fjalësh, që shpesh, edhe pse nuk na pëlqen t’i themi, jemi të detyruar, jashtë vullnetit…

Më kujtohen tërë këto dhe mendoj me vete sesa harame janë akumuluar në këtë vend, ku dikur burrëria e besimit, gjeni islam dhe trashëgimia e vlerave familjare tregoheshin me gisht, si nishan, ndërsa sot… dhe, më dhemb…?!

Mendoj me vete se sa haram futet në barqet e hallkut, pa pyetur për origjinën, burimin, pasojat…?! Sa familje jetojnë mbi toka të zaptuara, mbi ish-varreza myslimane, mbi troje të shenjta, që nuk janë të tyret, as mund të jenë, edhe pse një ligj vjedhacak, a një bracni bashkëkohore, ia ka legjitimuar…

Mendoj me vete, se sa të shumtë janë ata, që mezi presin të vishen edhe me rrobat e fetarizmit, si kameleonë a klounë cirqesh, si e si të zhvatin diçka jo të tyren; diku një dyqan vakëf, diku një tokë vakëf, pale se nuk kanë asnjë të drejtë, pale se është HARAM, pale se harami të del për hundësh!

Dhe, Zot na ruaj, sa të dhimbshëm që e ka harami fundin, në këtë botë para ahiretit, sidomos, kur të vijnë ndër mend ajete e hadithe të panumërta, që tërheqin vëmendjen e secilit për t’u ruajtur në jetë dhe për të mos shkelur hakun e tjetrit… Sepse tjetri, kur të preket haku i tij, kthehet në person të shkelur, në njeri që i është bërë zullum…

Dhe, për këtë kategori njerëzish; të shkelurit që i është bërë zullum, i Dërguari i Zotit thoshte: “Ruaju lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, se në mes saj dhe Allahut nuk ka perde!”[1]

Ndjej dhembje pa fund për të gjithë… Sidomos për zullumqarët! Dua të udhëzohen, të kthehen nga harami i shkeljes së vakëfit të shenjtë, nga arroganca primitive dhe injoranca e shkeljes aty ku nuk u takon, e s’u ka takuar asnjëherë!

Lutem me zemër… Por, kjo lutje dhe kjo dëshirë, në vetvete nuk janë shenjë thyerje, as tërheqje, JO, pasha hakun e Zotit!

Ato, në fakt, janë një betim personal dhe një angazhim institucional (sa të jem në krye të këtij institucioni që përfaqësoj), për të mos u ndalur asnjëherë përpara këtij modeli zullumqarësh, për të mos toleruar asnjeri, që i ka marrë kryti erë dhe mendon se vakëfet janë han pa portë dhe mall pa zot!

Dhe ndalem për një moment dhe vështroj një foto të Hoxhës. Nëpërmjet buzëqeshjes së tij marr forcë dhe kurajë për të ecur përpara, i bindur më shumë se kurrë, se në rrugën e kthimit të së drejtës së dhunuar, do të kesh përherë mbrojtjen e Zotit dhe bekimet e Tij…

Ndërsa zullumi, e ka dritën e shkurtër. Në fakt, drita e tij nuk ndriçon, nuk ka ndriçuar, as ka për të ndriçuar kurrë!

Dhe, sërish më kujtohet Hoxha, që asnjëherë s’e harroi xhaminë e lagjes Garuc, derisa ndërroi jetë i dishruem për një prekje kujtimi të shkelur e të mohuar, padrejtësisht… I bardhi Hoxhë… I bardhi kujtim… E shkelura Xhami…

Imam Muhamed B. Sytari

————————————————-

[1] Transmetuar nga Buhariu, nga Ibn Abbasi (r.a.).

You must be logged in to post a comment Login