Njëshmëria si parim i arkitekturës dhe urbanistikës islame

Parimet e artit islam, duke përfshirë veçanërisht arkitekturën islame dhe urbanistikën, janë të lidhura ngushtë me Shpalljen Islame në dy mënyra: drejtpërdrejt dhe tërthorazi. Ato zënë fill drejpërsëdrejti prej dimensioneve të brendshme të Shpalljes Kur’anore dhe shkencës së shenjtë që gjendet në të.

Burojnë nga Fjala Hyjnore ashtu siç është shpallur në Kur’an dhe që reflektohet në zemrat e njerëzve dhe në mbarë civilizimin islam, duke përcaktuar hapësirën në të cilën jetojnë dhe veprojnë.

Zënë fill nga një aspekt i veçantë i personalitetit të Profetit a.s., atij që iu shpall Fjala, nga një prezencë profetike e cila përfshin, madje mund të thuhet se mbështjell qytetin tradicional islam në një lloj pastërtie ngazëlluese nga brendësia e kraharorit të së cilës buron kroi i jetës shpirtërore.

Tërthorazi, arkitektura dhe urbanistika islame janë të lidhura dhe ndikohen nga Ligji Hyjnor apo ndryshe Sheriati, i cili strukturon jetën e individit, bashkësisë islame dhe po ashtu edhe të shoqërisë njerëzore në tërësi. Vetë Ligji Hyjnor, që merr formë nga Shpallja dhe, edhe pse nuk krijon (shprehimisht) strukturë apo urbanistikë, siguron sfondin social dhe njerëzor për atë arkitekturë, e cila në formën e saj të shenjtë është e një prejardhjeje mbinjerëzore. Arkitektura dhe urbanistika islame, në formën e tyre tradicionale, të cilën do ta shtjellojmë në këtë ese, krijohen, influencohen dhe strukturohen nga feja islame si në parimet e brendshme, gjuhën simbolike dhe themelin intelektual, ashtu edhe në rrethanat njerëzore dhe sociale për të cilat ato shërbejnë si një skelet i jashtëm.

Në këtë rast mund të shtrohet fare mirë pyetja se ç’lidhje të drejtpërdrejta mund të ketë një arkitekturë apo urbanistikë e tillë në botën perëndimore dhe në krizën urbane të sotme me të cilën qytetërimi modern përballet jo vetëm në Perëndim, nga ku lindi modernizmi, por edhe kudo që është përhapur, në Azi, Afrikë apo Amerikë?

A mund të pretendohet se myslimanët, qytetet e pjesës më të madhe të së cilëve sot as që mund të quhen qytete tradicionale islame, të përfitojnë nga parimet e arkitekturës së tyre për t’i dhënë zgjidhje problemeve të vështira me të cilat ballafaqohen?

Dikush mund të theksojë se këtë aftësi e kanë për shkak se zotërojnë këto parime dhe po ashtu për arsye se ende jetojnë në një shoqëri ku Sheriati vazhdon të funksionojë, edhe pse pjesërisht, dhe brenda së cilës mund të ripërtërihet dhe forcohet, sepse besimi në Zot është ende i fortë në zemrat e njerëzve.

Por si mund të jenë me interes këto parime apo mundësisht të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me urbanistikën në Perëndim, ku pjesa më e madhe e popullatës është jomyslimane dhe në pjesën më të madhe e painteresuar në tërësi?

Përgjigja është se, para së gjithash, ekzistojnë disa elementë të caktuar universalë te njeriu dhe marrëdhëniet e tij me mjedisin natyror, të cilat mundësojnë paraqitjen e këtyre parimeve edhe në rrethana që janë të huaja nga këndvështrimi i ndonjë religjioni të caktuar.

Së dyti, feja mbizotëruese në Perëndim, Krishterimi, nga e cila ka lindur qytetërimi evropian, i përket së njëjtës familje të fesë në të cilën bën pjesë edhe Islami, dhe disa ide, norma apo parime të caktuara të përftuara nga Islami gjithmonë mund të shkaktojnë reagime të pëlqyeshme në mendjen dhe shpirtin e një evropiani, vetë fijet e ekzistencës së të cilit janë ndërthurur nga shekuj përvoje në fenë dhe kulturën e krishterë.

Së treti, Islami, sipas një këndvështrimi të caktuar, është një rikthim në fenë e lashtë të Njëshmërisë Hyjnore dhe përmban një mesazh që njëkohësisht është i thjeshtë dhe universal e që mund t’i drejtohet asaj natyre të moçme, e cila shpesh qëndron e fshehur në një gjendje të pazhvilluar në thellësi të zemrës dhe brenda vetë substancës së të gjitha qenieve njerëzore. Parimet dhe mësimet e saj madje, edhe kur i përkasin fushës së arkitekturës dhe urbanistikës, mund të jenë kuptimplote dhe me interes në një botë ku doktrinat e saj nuk vihen në zbatim. Nën dritën e këtyre vëzhgimeve ndoshta do të ishte me vlerë të diskutoheshin një pjesë e parimeve të arkitekturës islame dhe më pas të shihej se si ato mund të aplikohen në zgjidhjen e problemeve të sotme urbane.

Ashtu si edhe në aspektet e tjera të Islamit, edhe në arkitekturë parimi i Njëshmërisë është i një rëndësie thelbësore. Ndërkohë që në fushën e metafizikës dhe fesë ky parim synon Njëshmërinë e Parimit Hyjnor, ndërvarësia e gjithçkaje dhe varësia ontologjike e theksuar mbi të Vetmin ashtu si edhe përkushtimi i tërësishëm i individit ndaj vullnetit të të Vetmit, në arkitekturë njëshmëri do të thotë integrim i elementeve të arkitekturës, ndërlidhje e funksioneve dhe qëllimeve të hapësirës dhe të prezencës së kudondodhur të së shenjtës në të gjitha format e arkitekturës, me qëllim që të zhdukë vetë nocionin e shekullarizmit si një kategori e kundërt me të shenjtën. Do të thotë ravijëzimi i nënshtrimit ndaj të Vetmit në ndërtesat e ngritura nga duar njerëzore në të njëjtën mënyrë që natyra e paprekur reflekton veprën e Krijuesit të saj të vetëm nëpërmjet harmonisë, ekuilibrit dhe ndërthurjes që i karakterizojnë dukuritë dhe format e saj të shumëfishta.

Meqë Al-Teuhid në arabisht do të thotë njëshmëri dhe bërje një, apo integrim, parimi i Njëshmërisë në arkitekturë njëkohësisht përfshin gjendjen e njëshmërisë të reflektuar nga paqja, qetësia dhe harmonia e arkitekturës islame dhe veprimin e të bërit një apo integrimit që ndërlidh elementët e një ndërtese të vetme, të një fshati të tërë apo të një mjedisi urban, duke krijuar gjithnjë e më tepër shkallë më të mëdha të kompaktësisë (Unity – për hir të përshtatjes me tematikën e artikullit kjo fjalë do të përdoret në dy kuptime, përkatësisht njëshmëri dhe kompaktësi) që shpie në Njëshmërinë si të tillë.

Mund të thuhet se në të njëjtën mënyrë që një tekst arab mund të konsiderohet si një fjali e vetme e gjatë, qyteti islam është një ndërtesë e vetme, e cila integron të gjitha pjesët në një të tërë që ngrihet mbi pjesët, vjen përpara tyre si në konceptim ashtu edhe në ekzekutim dhe u jep atyre domethënie dhe rregull. Në të njëjtën mënyrë, në një përshkallëzim më të vogël, tërësia e një ndërtese të vetme i paraprin pjesëve të saj, me kompaktësinë që gjithmonë mbizotëron mbi shumëllojshmërinë dhe e tëra mbi pjesët. Ky parim i kompaktësisë mund të vihet re në ndërthurjen e llojeve të ndryshme të arkitekturës. Jo vetëm që nuk ekziston diçka e tillë e quajtur arkitekturë fetare apo shekullare si dy fusha të ndryshme, por e gjithë sfera e arkitekturës islame zë fill nga xhamia dhe është një zgjerim i saj në të njëjtën mënyrë që çdo rit dhe veprim që kryhet në xhami të mund të realizohet edhe në shtëpi apo në treg. Në atmosferën e qytetit përhapet diçka prej mirësisë së Kur’anit dhe shpirtit të Profetit a.s., pothuajse krejtësisht njësoj si thirrja për t’u falur e cila depërton në çdo hapësirë arkitekturore apo si shiu i Mëshirës nga qiejt që bie mbi çdo çati, qoftë banesë private, xhami apo shkollë. Të njëjtat teknika, simbole arkitekturore, përdorim i dritës, hapësira dhe forma që gjenden në xhami mund të hasen edhe në shtëpi apo pallate, sigurisht përveç disa karakteristikave të veçanta arkitekturore siç është minarja apo mihrabi (vendi i faljes së imamit), që i përkasin vetëm xhamisë. Xhamia, ndërtesa, tregu, shkolla dhe shtëpia janë të ndërlidhura nëpërmjet vetë kompaktësisë organike që lidh hapësirën e tyre arkitekturore. Në një qytet tradicional siç është Fesi apo Isfahani, xhamia jo vetëm që është mirëfilli qendra e bashkësisë si edhe strumbullari i veprimtarisë fetare, por zgjerohet edhe në hapësirën e aktivitetit ekonomik, shtëpive, shkollave dhe ndërtesave në atë mënyrë që i lidh të gjitha së bashku. Kështu, arkitektura reflekton kompaktësinë e jetës tradicionale islame ndërkohë që lehtëson përjetimin e një jete të integruar.

Parimi i kompaktësisë haset gjithashtu edhe në mënyrën se si arkitektura islame trajton pjesën e jashtme të një ndërtese, hapësirat e brendshme dhe pamjen e jashtme. Këto tre karakteristika janë të ndara në arkitekturën moderne dhe faktikisht për secilin element përgatiten persona të ndryshëm si specialistë.

Përgjithësisht një arkitekt ia lë në dorë zbukurimin e brendshëm një dekoratori dhe pjesën e jashtme të një ndërtese një arkitekti fasade. Në arkitekturën islame, krejt ndryshe, këto tre karakteristika janë të tre aspekte të të njëjtit realitet, zakonisht i perceptuar dhe i ekzekutuar nga i njëjti kryendërtimtar apo grup ndërtimtarësh.

Nëse dikush sodit Gjykatën e Luanëve në Alhambra apo lulishtet e Kopshtit Fin në Kashan ose Shalimar në Lahore, do të shohë se të gjitha këto aspekte të arkitekturës përfshijnë të njëjtin realitet dhe përmbajnë një kompaktësi që i mundëson të jenë të bashkuar organikisht në një eksperiencë të vetme duke përfshirë hapësirat e brendshme, vetë arkitekturën në kuptimin perëndimor modern dhe mjedisin përreth ndërtesës.

Parimi i kompaktësisë mund të vihet re edhe në funksionet e larmishme që lejojnë hapësirat e arkitekturës tradicionale islame, veçanërisht ato të shtëpisë. Në kontrast me arkitekturën moderne ku fillimisht përcaktohen funksionet e hapësirave të ndryshme dhe më pas skicohet ndërtesa, gjë që e konsideron të tërën si thjesht grumbullimin e pjesëve të mirëpërcaktuara, në arkitekturën islame përbërësit e ndryshëm të hapësirës së krijuar lindin nga konceptimi i strukturës si një e tërë dhe zotërojnë një elasticitet në përdorim, që buron nga funksionet e shumëfishta që lejojnë pjesa më e madhe e hapësirave. Një dhomë në shtëpinë tradicionale islame mund të shërbejë si dhomë gjumi, ngrënieje, pritjeje dhe po ashtu si një vend faljeje gjatë ditës, ndërkohë që mungesa e orendive fikse, sipas kuptimit modern, ndihmon shumë në lehtësimin e një shfrytëzimi të tillë të shumëfishtë të hapësirës. Në të kaluarën, rrallëherë gjendej dikush që kërkonte shtëpi me tre apo katër dhoma gjumi. Arkitektura tradicionale do të krijonte një të tërë nga e cila hapësirat e nevojshme në jetën e përditshme do të paraqiteshin në një mënyrë të tillë që tërësia gjithmonë të dominonte në hapësirën e jetesës së familjes apo familjeve në të njëjtën mënyrë që qyteti përmban një tërësi që mbizotëron ndaj pjesëve.

Ekzistonin përbërës të caktuar, elementë dhe karakteristika që zgjeroheshin nga një shtëpi e vetme deri te një e katërta e qytetit, por kompaktësia gjithmonë mbizotëronte mbi shumëllojshmërinë dhe pengonte që pjesët të bëheshin realitete të pavarura nga e tëra. Ashtu si të gjitha hapësirat e jetesës së qytetit tradicional islam duket sikur kanë vetëm një çati të vetme, kompaktësia si në kuptimin metafizik ashtu edhe në atë arkitekturor përgjithësisht ka mbizotëruar mbi pjesët, por gjithmonë në lidhje me dhe në harmoni me të tërën.

Parimi i kompaktësisë gjithashtu është i lidhur drejtpërsëdrejti me gërshetimin e bukurisë dhe funksionalitetit apo dobishmërisë kaq karakteristike në të gjitha artet islame dhe veçanërisht në arkitekturë. Islami e thekson rëndësinë e bukurisë si tipar të së vërtetës, sepse ashtu siç përmendet në një thënie të njohur të Profetit të Islamit: “Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën”, dhe më tej “Allahu e ka vulosur gjithçka me vulën e bukurisë”, nevoja për bukuri është e pandashme nga natyra njerëzore dhe po aq e nevojshme për mbijetesë sa edhe ajri që marrim frymë. Larg nga të qenët një luks, bukuria është një domosdoshmëri njerëzore. Të qenët i bukur do të thotë të jesh i “dobishëm” në kuptimin më të thellë të fjalës, që do të thotë, plotësimin e një nevojë themelore të njeriut. Funksionaliteti dhe dobishmëria rrjedhimisht nuk mund të rreshtohen kundër bukurisë, por e plotësojnë atë. Të kesh një vizion të plotë dhe të përgjithshëm të njeriut si trup, frymë dhe shpirt, njëkohësisht krijesë e kësaj toke, por e krijuar për pavdekësi dhe jetë të përhershme, do të thotë që të pranosh se asnjë funksionalitet i mirëfilltë dhe dobishmëri nuk mund të ndahet nga bukuria, sepse ajo që është e shëmtuar është përfundimisht “e kotë” meqë është e gënjeshtërt dhe mirëfilli kundër interesave thelbësore të njeriut.

Në mendjen e myslimanit bukuria jo vetëm që identifikohet me të vërtetën dhe mirësinë, por e shëmtuara shihet si fytyra tjetër e gënjeshtrës dhe ligësisë. Të flitet për funksionalitetin e arkitekturës si e ndarë nga bukuria, do të thotë të harrohen mësimet metafizike më themelore të Kur’anit dhe Hadithit, të cilët në mënyrë të përsëritur e identifikojnë bukurinë me burimin e të gjithë së vërtetës dhe realitetit.

Uniteti mes bukurisë dhe funksionalitetit po ashtu është i lidhur me atë që mund të quhet si parimi i “realizmit” në arkitekturën dhe artin islam. Me realizëm këtu nuk nënkuptojmë domethënien filozofike moderne të fjalës, por një këndvështrim që e konsideron realitetin e çdo qenieje sipas vetë nivelit të saj dhe i sheh gjërat ‘ashtu siç janë’ në mënyrë objektive bazuar në doktrinat e Shpalljes Islame dhe fuqinë e inteligjencës për të qenë i aftë të kuptojë dhe të shquajë, inteligjenca të cilën Islami e thekson kaq shpesh në përkufizimin e njeriut si qendror në kuptimin e homo islamicus tradicional. Në art ky realizëm do të thotë që çdo material të trajtohet ashtu siç është, jo si mund të duket apo si mund të bëhet të duket. Tulla duhet të përdoret si tullë dhe guri si gur. Madje edhe forcat fizike dhe ligjet që drejtojnë materien me të cilën ka të bëjë arkitektura duhet të trajtohen dhe respektohen në një mënyrë të atillë që të nxjerrin në pah tiparet e tyre si pjesë të krijimit të Zotit dhe rrjedhimisht duke marrë pjesë në strukturimin e harmonisë dhe bukurisë që e karakterizojnë krijimin.

Kjo pikëpamje e natyrës së materialeve dhe mënyrës së trajtimit të tyre, në thelb është e lidhur me theksimin mbi matematikën në arkitekturën islame, e cila gjithmonë priret për të theksuar pastërti më të madhe të modeleve dhe formave gjeometrike. Mendja e myslimanit në modelet dhe format gjeometrike sheh jo vetëm thjesht sasi, por edhe një pasqyrim të botës së perceptueshme e të përkryer.

Theksi mbi arkitekturën islame mbi trajtimin e sipërfaqeve të ndërtesave dhe veçanërisht të xhamive, qendrave mistike, e të tjerave të ngjashme, të cilat shpesh janë të dekoruara me kaligrafi, modele gjeometrike dhe arabeske, nuk duhet të shihen si zbukurime apo kozmetikë në kuptimin modern. Ky trajtim mund të quhet “kozmetikë” vetëm nëse do të kihej parasysh domethënia e mirëfilltë e kësaj fjale, që do të thotë, ta bësh të përngjajë si kozmike, apo nxjerrje në pah të lidhjes së diçkaje me kozmosin dhe harmoninë kozmike. Edhe pse e kufizuar në dukje vetëm në sipërfaqen e ndërtesës, modelet e arkitekturës islame reflektojnë strukturat më të thella të realitetit fizik, duke nxjerrë në pah rendin dhe harmoninë matematike që përbëjnë themelin e paraqitjes së jashtme të botës trupore.

Në përputhje me karakterin fillues të Shpalljes Islame dhe rivendosjen e harmonisë ndërmjet njeriut dhe natyrës, arkitektura dhe urbanistika islame gjithmonë kanë theksuar integrimin e arkitekturës dhe mjedisit natyror. Natyra, në njëfarë mënyre, përfshin dhe depërton në qytetin tradicional islam dhe në ndërtesat e tij. Xhamia në vetvete nuk është një hapësirë e shenjtë, e cila është e ndarë nga hapësira natyrore, por një zgjerim në një mjedis të realizuar nga njeriu në hapësirën e natyrës së paprekur e cila, për shkak se është e krijuar nga Allahu, është e shenjtë në vetvete dhe ende vazhdon të reflektojë përsosjen e saj fillestare. Drita dhe ajri hyjnë lehtësisht në xhami dhe në ndërtesat e tjera, madje edhe zogjtë fluturojnë përrotull në brendësi të një ndërtese gjatë çasteve më solemne të një riti fetar. Fushat zakonisht janë afër dhe ritmet e shkretëtirës dhe maleve depërtojnë në qytet.

Arkitektura asnjëherë nuk ka ngritur krye në kundërshti me rendin natyror apo në mospërfillje të ritmeve dhe harmonisë së natyrës. Madje edhe pjesa më e madhe e materialeve të përdorura, si muret e baltës apo tullat e buta janë trajtuar në një mënyrë të atillë që t’i lejojnë një ndërtese që të rikthehet në gjirin e natyrës, pasi të braktiset nga banuesit e saj. Provincat myslimane madje edhe qytetet e mëdha u ndërtuan në një mënyrë të tillë që, nëse do të qëndronin në formën e tyre tradicionale, në parim do të mund të mbijetonin pafundësisht pa krijuar katastrofa ekologjike me të cilat bota e sotme përballet shpesh. Myslimani tradicional, ashtu si edhe në bashkësitë e tjera tradicionale, e konsideroi veten si ruajtësin e natyrës, ligjet dhe ritmet e së cilës ai i respektonte edhe nëse do të ndërtonte zonat më të mëdha urbane të njerëzimit përpara periudhës moderne.

Në ndërtimin e këtyre zonave urbane haset një arkitekturë e përmasave monumentale ashtu si edhe në ndërtimet e njësive më të thjeshta në qytete të vogla dhe fshatra. Myslimanët asnjëherë nuk dalluan mes teknologjisë dhe zejtarisë apo zejtarisë dhe artit. Arti, zejet dhe teknologjia konsideroheshin si e njëjta gjë dhe madje edhe me të njëjtat terma, si për shembull, fjala arabe sina’ah që përdorej për të gjitha.

Kryearkitektët po ashtu ishin të mirëpërgatitur në teknologjinë e materialit me të cilin kishin të bënin si pjekja e tullave apo bërja e tjegullave. Njerëzit në këto profesione teknologjike, shpesh vërtet të mahnitshme, edhe sipas standardeve të botës moderne e cila krenohet kaq shumë me teknologjinë e saj, apo artistët që skiconin modele të një bukurie marramendëse dhe arkitektët që realizuan ndërtesat shpesh ishin të njëjtit njerëz apo anëtarë të një grupi, kaq shumë të lidhur së bashku saqë

puna e tyre dilte në pah si punimi i një personi të vetëm. Si rezultat i marrëdhënies mësues-nxënës, e cila mundësoi jo vetëm mësimdhënien e teknikave arkitekturore dhe artizanale, por edhe të disiplinës shpirtërore që dilte përtej vetjakes, krijohej një anonimitet që larg prej shkatërrimit të kreativitetit individual e lartësonte këtë kreativitet në një nivel përmbi dhe përtej veçorive individuale. Bashkimi lejonte një bashkëpunim në një shkallë dhe intimitet të atillë saqë u realizuan punime të një rangu botëror dhe madje edhe punime arkitekture akoma më të vogla dhe më të përkohshme panë dritën e diellit nëpërmjet përpjekjeve të njerëzve për të cilët ishte kënaqësi të punonin pa u detyruar të shfaqnin tendencat egoiste të secilit.

Arkitektura islame gjithashtu mundësoi integrimin e profileve të ndryshme të jetës së përditshme si: puna, argëtimi, loja, etj., ndërkohë që në vetvete ishte rezultat i një këndvështrimi kaq të integruar të jetës së përditshme. Në modelin tradicional islam të jetës puna asnjëherë nuk ndahet nga çlodhja, madje as edhe nga adhurimi apo studimi. Deri në ditët e sotme kudo që ka mbijetuar një model i tillë, për shembull në disa zona të caktuara të tregjeve, mund të vihet re ndonjë zejtar apo ndonjë këpucar duke kaluar rreth 12 ose 14 orë në atë që mund të quhet vendi i tij i punës, i distancuar nga shtëpia që zakonisht ndodhet afër. Por në atë vend pune dhe gjatë atyre orëve që duket sikur janë të gjata ai kalon një pjesë të mirë të kohës duke u falur, ushqyer, duke u fjalosur me miqtë, madje edhe duke shkuar në ndonjë xhami të afërt apo ndonjë shkollë tradicionale (medrese) për të adhuruar apo për të ndjekur ndonjë kumtesë. Kur kthehet në shtëpi në mbrëmje ai nuk është i lodhur më shumë sesa një punëtor që ka punuar 8 orë në ndonjë zyrë apo fabrikë dhe që tashmë i duhet të kërkojë çlodhjen, argëtimin, aktivitetet kulturore, edukative dhe fetare diku tjetër. Arkitektura tradicionale dhe urbanistika islame janë të themeluara mbi një koncept të tillë jetese, por, gjithashtu, edhe vetë bëjnë të mundur dhe lehtësojnë një model të tillë jetese, pasi krijojnë hapësira që nëpërmjet ndërthurjes së tyre, afërsisë dhe përdorimit të shumanshëm i mundësojnë njerëzve që të përjetojnë këtë gërshetim të punës dhe çlodhjes, të sigurimit të jetesës dhe përsosjes së mendjes dhe shpirtit nëpërmjet studimit dhe adhurimit. Në këtë mënyrë, ashtu si edhe në shumë të tjera, arkitektura dhe urbanistika reflektojnë parimin e kompaktësisë që, duke qenë në zemër të Shpalljes Islame, është e përgjegjshme më shumë se çdo faktor tjetër për arkitekturën tipike dhe karakteristikat e skicimit urban të botës së krijuar nga ajo shpallje.

Aplikimi i parimeve të arkitekturës islame, disa prej të cilave janë përshkruar në problemet urbane në botën e sotme, varet jo vetëm nga natyra e këtyre parimeve, por edhe nga rrethanat mbizotëruese në atë ambient ku duhet të aplikohen. Edhe pse disa nga problemet që ekzistojnë sot në mjediset urbane, si ndotja dhe rrënimi i mjedisit që janë të përhapura në të gjithë botën, çështja e aplikimit të këtyre parimeve në botën e sotme islame ndryshon disi nga aplikimi në Perëndim që është preokupimi kryesor në këtë ese. Pjesa më e madhe e qyteteve në botën islame vuajnë nga ndryshimet urbane dhe rrënimi i shkaktuar nga mbipopullimi, zgjerimi i shpejtë i urbanistikës, përdorimi i mënyrave të panjohura të jetesës dhe arkitektura e papërshtatshme; të gjitha këto së bashku kanë kontribuar drejtpërsëdrejti në gjendjen e mjerueshme të qyteteve islame. Më tej, këto qytete ballafaqohen me situata të çuditshme ku në mjaft raste pjesa më e madhe e popullatës që jeton në to vjen nga zonat rurale pa asnjë eksperiencë të jetesës në një mjedis urban tradicional islam. E megjithatë, pjesa më e madhe e popullatës ende zbatojnë Sheriatin në jetën e tyre të përditshme, dhe nëse dimensionet e brendshme të traditës islame do të ripërtëriheshin dhe aplikoheshin dhe jo shtypeshin nga ata që janë në fuqi në emër të riafirmimit politik, parimet e artit dhe arkitekturës islame do të mund të riaplikoheshin për të zgjidhur një pjesë të madhe të problemeve me të cilat ballafaqohen sot shumë qytete islame.

Sidoqoftë, në botën perëndimore, struktura sociale e shoqërisë është krejtësisht e ndryshme nga ajo e bazuar në Sheriatin Islam, si në eposin fetar ashtu edhe në atë shekullar, që së bashku përcaktojnë sistemin e vlerave të njeriut perëndimor modern, qofshin këto vlera të karakterit etik apo estetik. Qyteti perëndimor vuan nga segmentarizimi i skajshëm, çekuilibri me mjedisin natyror, qenia i papastër ekologjikisht dhe ekonomikisht, dyzimi në moralin që i mbivishet linjave urbane.

Megjithatë, duke konsideruar se natyra e njeriut dhe lidhja e brendshme ndërmjet Islamit, Krishterimit dhe Judaizmit puqen të gjitha në parimet e Shpalljes së Fundit, kriza e mjedisit urban modern me një intensitet kaq të theksuar në situatën e krijuar në Perëndim tërheq vetvetiu si zgjidhje parimet e arkitekturës islame dhe skicimit urbanistik islam, të cilat kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e Perëndimit të preokupuar për të ardhmen e qyteteve të veta.

Sejjid Husein Nasr

/Drita islame

You must be logged in to post a comment Login