Njeriu i mirë në kujtesën njerëzore

Njerëzit e mirë nuk i kanë munguar kurrë vendit tonë. Ata brez pas brezi e deri në ditët tona, vazhdojnë të qëndrojnë në kujtesën popullore si krijesat më të përkryera të Allahut xh.sh.

Shumë prej tyre e kanë afirmuar veten edhe jashtë atdheut. Pra flitet për ta, kur i kujtojnë, me dashuri e respekt të veçantë për ndershmërinë që i karakterizoi në punë e vepra të tjera shoqërore.

Ai quhej Nuh. Tërë jetën punoi si sahatçi. Zanatin e trashëgoi nga paraardhësit e tij, të cilët me dëshirën e tyre ia mësuan këtë profesion, sa të vështirë, aq edhe të bukur. Edhe mbiemrin e pati Sahatçia. Nuhi gjatë jetës u dallua vazhdimisht si njeri i ndershëm, i saktë e për më tepër edhe si besimtar i devotshëm. Kushdo që shkonte tek ai për të ndrequr orën e dorës, të xhepit, të tavolinës apo të murit, jo vetëm që gjente një pritje të ngrohtë, por, ajo çka ishte më kryesorja, për shërbimet që kryente merrte shumë më pak se sa i bënte haku.

Ka ndodhur, jo rrallëherë, që, për një arsye a një tjetër, orën e ke lënë për një kohë të gjatë pa e marrë. Ke vajtur edhe pas shumë vitesh dhe atë orën e ke gjetur të rregulluar e të ruajtur me kujdes. Tregojnë se në kohën e pushtimit nazist, një ushtar gjerman çoi te ky mjeshtër orën e dorës për riparim. Meqë forcat okupuese ishin në tërheqje e sipër, ushtari në fjalë nuk pati mundësi që të shkonte ditën e caktuar për të marrë orën. Pas 20 vitesh, fati deshi që ky person të vinte si turist në Shkodër. I huaji, duke shëtitur nëpër rrugët kryesore të qytetit, me një përkthyes, që ishte edhe shoqërues, i tha me dashamirësi: “Dëgjo, lum miku! Dikur në këtë qytet kam lënë një orë për ta ndrequr. Do të më bëhej qejfi jashtë mase sikur atë orë ta kisha sërish, se e kam pasur kujtim nga njeriu im më i dashur… Meqë shoqëruesi ishte vendas dhe njihte shumë zanatçinj, menjëherë i vajti mendja se sahatçiu që i huaji pretendonte për orën, mund të ishte Nuhi. Kështu, pasi bënë një copë rrugë, u gjendën përpara dyqanit të tij. Qëndruan disa minuta dhe soditën vitrinën. “A të kujtohet ndopak, mos është ky ai dyqani i orëndreqësit?” – i tha shoqëruesi turistit. “Po, – ia ktheu ai, – ky është”. Hynë brenda, si u përshëndetën në fillim me mjeshtrin, shoqëruesi iu drejtua atij me këto fjalë: “A e di se çka duam nga ju mjeshtër?.. Ky zotëria më tha pak më parë se këtu, në dyqanin tënd, para 20 vitesh, pati lënë për të ndrequr një orë dore. Nëse e keni ruajtur gjëkundi, do t’ju jetë mirënjohës shumë. E ka kujtim nga i ndjeri babai i tij. Më tha se i ati ia ka pas bërë dhuratë kur ka marrë dëftesën e pjekurisë.” Nuhi, pasi hapi sirtarin e një rafti ku linte orët, gjeti të mbështjellë me një letër orën e markës “Thiel” dhe emrin e poseduesit Verhard. Si i hodhi një sy orës dhe e vuri në punë, iu drejtua të huajit: “Mos është kjo?’ – Ajo vetë, – iu përgjigj i huaji gjithë gëzim. “Ja, pra, merre dhe e mbajtsh me shëndet!”

Turisti duke parë te ky njeri tiparet e një burri të ndershëm, nxori nga xhepi i bluzës një stilograf, të cilin ia dha dhuratë Nuhit.

Mjeshtri u prek jashtëzakonisht nga gjesti bujar i të huajit. Ndërkohë edhe mjeshtri, në shenjë nderimi i dha një kuti cigaresh prej sermi, që e kishte punuar me shije të hollë një argjendar i njohur në Shkodër.

Nga një bashkëkohës që e kishte njohur nga afër Nuhin, mësuan nga ai se sa herë që Nuhit i vinin në dyqan për të rregulluar orë nuk u merrte të holla si hoxhallarëve, ashtu dhe besimtarëve që i njihte nga afër. E pra, rahmet pastë, ai nuk qe njeri i pasur, por jetoi me duart e tij e me djersën e ballit, mundi t’i bëjë ballë jetës me nder e faqe të bardhë.

Nëse dikush kërkon të punojë me nder dhe ashtu duhet të jetë qëllimi i secilit, shembulli që përmendëm është një vepër e bukur nga i cili mund të mësojmë shumë, si ti, unë, ai, ose ju moj motër a zonjë  e nderuar.

Adem Sala

/Revista ‘Drita Islame’ – Korrik 2017/

You must be logged in to post a comment Login