Njerëzit pothuajse nuk kanë faj, thjesht dhe vetëm nuk u përshtatet zëri me figurën

Gjeta kohë të lexoj një pjesë të komenteve në portalin “Shqipëria ime” mbi replikën ndaj Buzhalës, tek i jepte të drejtën vetes të fotografonte ato gratë në rrugë, e, për më tepër, edhe t’i bënte personazhe publike pa miratimin e tyre, t’i vinte në lojë, e, nejse…

E dini ç’më bëri më shumë përshtypje në aq sa arrita të lexoj?

Shqiptarëve, u kishte mbetur shumë merak, si nuk kishin pasur një profet me kombësi shqiptare.

Çfarë humbjeje?! Po si more në arenën ndërkombëtare të religjionit, të mos kishim dorë dhe ne si komb?

Në fakt, kur e shikon nga ky prizëm, e mendon ndryshe çështjen. Thua, dale se, nga pikëpamja e tyre e të logjikuarit, kanë disi të drejtë: Si të pranojmë diçka që nuk kemi atribut në të, si pjesë të realitetit tonë, apo si të mirë? “E mirë dhe me vlerë është vetëm ajo që është e imja. Çfarë mbetet jashtë, është e keqe, ose kam frikë, e refuzoj ta eksploroj.” Pra me dy fjalë, “Bota bardhë e zi”. “O me ne, o kundra nesh”. “Ne dhe armiku”. Besoj të gjithë e kuptoni çfarë mendësie nënkuptojnë këto fraza.

Njësoj si në kohën e regjimit komunist, kur populli vdiste për bukë, e partia i tregonte se ishin vendi më i përparuar në rajon e më gjerë. Se po të dilje jashtë, bëhej nami e njerëzit vdisnin nga uria, hanin njëri-tjetrin, e se, edhe arti e kultura e vendit tonë ishte më brilantja, etj., etj., e se kulmi i arritjes ishin lavdet për kultin që kishte prodhuar Shqipëria e begatë, shokun Enver.

Ai kult u krijua, u ngulit në zemra me hir dhe pahir. Mos harrojmë se shfarosja e besimit me ligj, atë bëri praktikisht, e zëvendësoi besimin burimor me besimin që instaloi sistemi. Nga referenca te Zoti dhe mësimet hyjnore, referencë u bë forca e ligjit dhe pushtetari. Ligjet dhe vlerat e përgjithshme dhe universale, u ndaluan për t’u zëvendësuar nga një sistem ligjesh dhe vlerash rigide, të sajuara, eksperimentale dhe pilot.

Ajo që duhet të kuptojmë mirë është fakti se ekziston një koncept, i cili duhet të na e vërë të gjithëve trurin në lëvizje, trashëgimia kolektive dhe ndërgjegjja kolektive për të cilën flet Jungu.

Kjo ndërgjegje kolektive e cila u instalua te ne të paktën për 4 breza të atij sistemi, sigurisht që nuk mund të zhbëhej e të demontohej me ndryshimin e sistemeve, por do të duhej kohë, edukim, durim dhe strategji e përgjegjshmëri politike, për rimodelimin, kultivimin dhe ruajtjen e një ndërgjegjeje të re kolektive, të ridimensionuar nën dritën e lirisë së mendimit, lirisë së shprehjes, së besimit, fjalës së lirë, respektit dhe pranimit të së ndryshmes, dhe mbi të gjitha, përgjegjshmërisë për të përcaktuar një sistem kulturor vlerash, i cili do t’i shërbente shoqërisë së tërë, në funksion të harmonisë, paqes shpirtërore dhe bashkëpunimit, tolerancës atdhedashurisë dhe kombit.

Ajo që nuk mund të mirëkuptojmë e të tolerojmë, dhe kur themi nuk mund të tolerojmë nuk e kam fjalën për akte kush e di se çfarë, por minimalisht, shprehjen e mendimit dhe qëndrimin përballë asaj që e vlerësoj si të gabuar, nisur nga një bosht vlerash universale, jo nga një bosht vlerash të ngurta eksperimentale të rastësishme, në kohë dhe hapësirë, është fakti se, edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga momenti i ndërrimit të sistemeve dhe njerëzit parimisht u bënë të lirë, praktikisht, ekziston një tjetër realitet. Realiteti i krijimit të të tjerë kulteve dhe miteve, sërish të përkufizuar në kohë dhe territor, nën dritën e politikave për globalizim kulturor. Dhe akoma më hidhur se sa kaq, është fakti se, atë që ua ushqejnë mendjet dhe zemrat atyre brezave të cilët trashëguan në gjene një kulturë larg Zotit, me njerëz zot, me armiq si mullinjtë e erës, me ndjenjën e pashembullt të krenarisë e vetëpëlqimit të hyjnizimit të njeriut të gjorë e të mbushur me të meta e gabime, ishin ose janë po trashëgimtarët e atyre njerëzve të privilegjuar nga një hallkë më parë e historisë.

Nocioni tjetër i rëndësishëm për të kuptuar psikologjinë e masës në këtë realitet, është më i thjeshti i mundshëm, më primitivi: Reagimi i kushtëzuar. Si? Ne sugjerojmë modelin, dhe modeli që ne sugjerojmë përmes televizionit, librave, filmave, artit, është ligj. Dhe në fakt, akoma dëgjon në popull shprehjen: “Me ligjin dhe me Zotin, nuk bëhet shaka”. Është e trishtë të mendosh se si ligji i njeriut mund të jetë aq i pavarur e aq shpërfillës ndaj ligjit të Zotit, e në të njëjtën kohë, të pretendojë të ketë aq pushtet te njerëzit, deri edhe të instalojë frikë-respektin në zemra, kur në të njëjtën kohë, nuk ju ofron asgjë për mbushjen shpirtërore, për një arsye të thjeshtë, tenton t’i bjerë dhe të zëvendësojë në mënyrë antagoniste, burimin e besimit, duke e përjashtuar të drejtën e përjetimit të realiteteve, të cilat i tejkalojnë kapacitetet e vendit dhe kohës ku jetojmë.

Në këtë kontekst, kushdo që refuzon ose vetëpërjashtohet nga modeli i servirur, shihet shtrembër, urrehet, e deri edhe armiqësohet, sepse është ndryshe, dhe, që në thelb, paketa e vlerave të trashëguara konjitivisht, po dhe ato të rejat, rishtazi të sugjeruara, nuk e përmbajnë dhe nuk e njohin si vlerë, pranimin e mendimit ndryshe, ose thënë më mirë, tentativën për ta përtypur mesazhin para gëlltitjes. “Se që të jesh bashkëkombës i mirë, nuk duhet të përtypësh, por vetëm të gëlltisësh”.

Në fakt për të mirën individuale dhe kolektive, njerëzit duhet të mësohen t’i përtypin mesazhet para se ti gëlltisin, edhe pse gëlltitja pa përtypje është sërish tregues i një raporti sjelljeje: Urdhëro – si urdhëron.

Asocimi i përtypjes së mesazhit dhe më pas, i vendimit ndryshe nga mesazhi i sugjeruar, me armikun dhe të keqin, tregon se në thelb jemi po atje ku ishim, te refleksi, cikli i të cilit duhet demontuar. Kujto limonin sekreto pështymë. “Kujto islamin e vill vrer mbi armikun”. Ok, po kush, ku, si, kur?

Thjesht po përballemi e po njihemi me një sistem vlerash i cili nuk hyjnizon njeriun, e si i tillë i bie ndesh në thelb e në kokë, atij sistemi që lamë pas, ndaj kundër reagimi është kaq i vrazhdë, edhe pse askush nuk dëshiron kthimin e atij sistemi. Nuk ka lidhje me dashurinë për sistemin, është forca e refleksit të kushtëzuar. Është reagim për ekzistencë, dhe sa herë ndihemi në pikëpyetje për ekzistencë, do të thotë se qenia jonë ka perceptuar një rrezik.

Dhe problem më i madh, është fakti se një grup kaq i madh njerëzish, jeton me përjetimin e një armiku jo real dhe irracional, çka dëmton rëndë funksionimin e shëndoshë psikik, mendor, emocional e sjellor në raport me realitetin objektiv. Subjektivja ime irracionale është ligj absolut. Keqardhje!

Po njihemi me një realitet, i cili, deri dje, u trajtua si armik i kombit, ndaj krenaria jonë prej atdhedashësish shpërthen në mënyrë të pandërgjegjshme, fundja ndoshta edhe nuk duam të besojmë e pranojmë se, deri tani, mund të kemi qenë gabim. Madje, kur kujton këto dy teorema, kombi dhe feja, të vjen edhe përgjigjja për profetin me kombësi shqiptare. Sipas kësaj logjike, do të duhej të shpallnim Isa Boletinin. Po Isai, i pastë shpirti rahmet, do luante nga varri të dinte se me çfarë atributi e veshën padrejtësisht e pa kuptuar pasardhësit e tij.

Le pastaj, sa më vjen inat që skam qenë kaq sa jam, sa ishte akoma gjallë Nënë Tereza, se të paktën një fjalë të urtë për bashkëkombësit e sajë që urrejnë pa ditur arsyen, mbulesën e grave, do ta thoshte e ndjera, sepse ajo nuk fliste për gjëra që nuk i praktikonte e mishëronte në jetën e sajë më parë. Eh, paradokse.

Po përballemi me një realitet, i cili na jep shuplakë përmes një asocimi të ri; edhe praktika të një feje universale, edhe dashuri për atdheun. Edhe fe, edhe përparim. Edhe fe, edhe dije e zhvillim. Edhe fe, edhe liri dhe emancipim. Pak e komplikuar e parë me lentet e modelit të vjetër, i cili e do njeriun ti ketë të gjitha këto që përmendëm më lartë, po pa fenë, e cila për nga natyra e sajë ngërthen gjithë mënyrën e të jetuarit të njeriut e ridimensionon mendimin dhe sjelljen.

Njerëzit pothuajse nuk kanë faj, sistemi i tyre nuk mundet të kodojë të vërtetën e bashkëkombësve të tyre, përballë gënjeshtrës së instaluar prej disa brezash në subkoshiencë. Thjesht nuk iu përshtatet realiteti i jashtëm me bindjen me të cilën jetojnë.

Thjeshtë dhe vetëm, nuk ju përshtatet zëri me figurën. E si të tillë, na lind detyra për durim, vullnet dhe përkushtim, për të servirur më të mirën nga modeli me të cilin kemi zgjedhur të administrojmë të njëjtat të mira që Zoti na ka dhuruar, në këtë tokë që emrin ia lanë Shqipëri. Ndoshta një ditë diçka do të kuptojnë. “Atë që Zoti e jep përmes butësisë, nuk e jep me asnjë mënyrë tjetër”, thotë Krenaria e Njerëzimit, profeti Muhamed a.s.

Edlira Durmishaj

/Revista ‘Drita islame’, nëntor 2017/

You must be logged in to post a comment Login