Një dyqan lapsash për të shkruar sipas kohës së vjetër

dyqani lapsaveNjë dyqan i ri për një produkt të vjetër në Nju Jork, i kthen klientët pas në kohë për një çmim të drejtë. Lapsa nga të gjitha llojet janë në shitje për të pasionuarit e mënyrës së vjetër të shkrimit, në një kohë kur kompjuterët po sundojnë çdo aspekt 

Rreth 500 vjet pasi një depozitë grafiti u zbulua në Angli dhe solli kështu idenë e lapsave të parë, një dyqan i përkushtuar për lapsat u hap në Manhatanin e Poshtëm. Nëse sipërmarrja duket e vonuar, në fakt keni të drejtë. Kush përdor një laps në ditët e sotme?

Lapsat janë si makinat e faksit dhe margarina: ato e bëjnë një punë, sigurisht, por gjëra të tjera e bëjnë të njëjtën punë më mirë – stilolapsat, email-i dhe gjalpi, respektivisht.

Ju mund të shkruani një letër në laps, por është më e pjekur të shkruash në një stilolaps. Ju mund të zgjidhni një fjalëkryq me laps, por është më kurajoze me stilolaps.

Dhe megjithatë, ka diçka: qëndrimi pranë një personi të dhënë pas një pasioni të caktuar, nuk është ngjitës. Çdo person i pasionuar, pavarësisht se çfarë ka në qendër të vëmendjes, nuk të detyron të kthehesh në një të çmendur pas një objekti.

Monomaniakja në qendër të Sipërmarrjes Lapsat C. W., është Karolinë Uever (Caroline Weaver), një 24-vjeçare që i ngjan Natali Ud (Natalie Wood) me një laps të bërë tatuazh në parakrah.

Dyqani i saj ka përmasat e një kutie limonade, me një dysheme katrore dhe kavanoza të mbushur me lapsa kudo. Me ngjyrat e shumta që përbëjnë risi, vendi duket si një kanavacë e Eduard Hoper.

Dhe është e vërtetë që shet më së shumti lapsa. Gjë që është çmenduri, por një mënyrë magjepsëse, sikur kapiteni Ahab të hapte një butik me çikërrima balenash.

Në ditën e parë që unë e vizitova, zonjusha Uever ishte ulur pas banakut, duke u përkulur para e mbrapa shpesh për të nënvizuar virtytet e këtij apo atij lapsi.

“Ky ishte lapsi i preferuar i John Steinbeck”, tha ajo për një Blackwing 602 që kushton dy dollarë. Slogani i tij i printuar në boshtin e lapsit është “për gjysmën e presionit, dyfish shpejtësi”.

Kur e pyeta se cilin laps përdorte më shumë, zonjusha Uever tregoi një laps ngjyrë kremi të prodhuar në Indi dhe që kushton 30 cent.

“Gjithashtu preferoj këtë për momentin”, tha ajo, duke më treguar një laps nga kompania shekullore Caran d’Ache, i cili kushton 4.50 dollarë. “Është i bërë nga ahu”, shpjegoi ajo.

Nuk ka fshirëse në laps; në vend të saj qëndron një copë e vogël e ndritshme me llak me një kryq zviceran të ndritshëm në fund.

Për ata që preferojnë aromën e një zambaku lëndine në grafit, një pako lapsash aromatikë me çmim 8 dollarë nga Portugalia, mban erën e sapunit të një gruaje të pasur. Për entuziastët e Sudokut, zonjusha Uever rekomandon një laps me një gomë shumë të mirë që kushton 2 dollarë.

Dyqani është i organizuar me rregullin rigoroz të kursimit sa më shumë të hapësirës, sikurse në një kabinë anijeje. Lapsat janë të ekspozuar me majën lart në kavanoza qelqi me etiketa për origjinën: Japoni, Gjermani, Francë, Republikë Çeke, Tenesi.

Reklamime të vjetra në kornizë të varura në mur tregojnë imazhe të Booth Tarkington që mpreh lapsat e tij të preferuar. Sipas këshillës së Tarkington për shkrimtarët e rinj thuhet: “Përdorni lapsa. Shkruani në letër të trashë. Mprihni disa dhjetëra lapsa përpara se të filloni nga puna. Përdorni lapsa me fshirëse dhe përdorni fshirëset!”.

Një reklamë tjetër tregon një grua elegante që merr në duar një laps me majë të mprehur keq, që i drejtohet një tjetre duke e pyetur: “Samanta, të kujtohet kur shkruaje kështu?”. “Ende ashtu shkruaj mama”, përgjigjet vajza në reklamën e vjetër.

Në një vizitë të dytë, dyqani ishte në kujdesin e një gruaje tjetër që dinte po aq shumë për lapsat. Për një vajzë të re që po kërkonte një dhuratë, ajo i këshillon të eksperimentonte. Do të donte zonjusha të provonte një laps trekëndor? Po një laps ngjyrë rozë që funksiononte si një nënvizues i teknologjisë së vjetër? Apo një laps në formën e cigares për të tmerruar të ëmën e klientes?

Një burri të interesuar në shkrimin e pentagramit, ajo i rekomandoi një laps antik IBM, të projektuar për t’u shfaqur i errët kur skanohet në kompjuter dhe që i përshtatet dikujt që skanon krijimin e tij muzikor në një makineri të vitit 2015.

Kur e pyeta burrin pse zgjodhi atë laps, ai u përgjigj: “Sepse është i hatashëm”. “Sa shpesh mund të blesh një gjë funksionale nga vitet 1950 në kushte të mira për 5 dollarë?”

Kishte të drejtë.

Pjesa funksionale e përgjigjes së tij ishte e goditur. Lapsat kanë një përdorim të besueshëm dhe janë diçka që na lidh me të shkuarën jo teknologjike të botës. Mund të blesh sasi dhe cilësi për një çmim të ulët.

I. D.

*Burimi: MOLLY YOUNG nga “New York Times”

 

You must be logged in to post a comment Login