Një dhuratë e bukur për banorët e fshatit Ahmetaq

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, së bashku me myftiun e Tiranës, z. Ylli Gurra, zv/myftiun Bilal Teqja, donatorët, përfaqësuesit e shoqatave kontribuuese, si dhe besimtarët e shumtë të zonës, inauguruan xhaminë e re në fshatin Ahmetaq të kryeqytetit.

Aktiviteti u hap me këndim Kur’ani nga zv/myftiu Teqja, për të vazhduar më tej me fjalën përshëndetëse të nënkryetarit Bujar Spahiu, i cili, pasi vlerësoi dhe falënderoi donatorët për kontributin e tyre në ndërtimin e kësaj xhamie, u ndal në rëndësinë që ka ajo për besimtarët e zonës.

“Xhamitë janë vende ku bashkohemi dhe shprehim dashurinë ndaj Allahut të Madhëruar, formohen dhe edukohen breza, të cilët do t’i shërbejnë më së miri kombit dhe shoqërisë sonë”, tha z. Spahiu.

Aktiviteti vijoi më tej me fjalët përshëndetëse të myftiut të Tiranës, z. Ylli Gurra, donatorëve nga Kuvajti, përfaqësuesve të shoqatës “Mirësia” dhe disa prej besimtarëve më të vjetër të fshatit Ahmetaq.

Pas inaugurimit u krye edhe falja e namazit të ikindisë.

3 nëntor 2017

You must be logged in to post a comment Login