Një delegacion i shqiptarëve të Zvicrës, vizitë në KMSH

ZK1A0936Një delegacion i shqiptarëve myslimanë të Zvicrës, i kryesuar nga z. Amet Memedi, zhvilloi një vizitë në Komunitetin Mysliman ku u prit nga Kryetari Skender Bruçaj, Nënkryetari Bujar Spahiu dhe Drejtori i Kulturës Genti Kruja.

Kryetari Bruçaj i njohu vizitorët me veprimtarinë e gjerë e të larmishme të institucionit, si dhe me sfidat me të cilat ai përballet në rrugën e përmbushjes së misionit të tij fisnik.

Në vijim z. Bruçaj vlerësoi kontributin e shqiptarëve myslimanë me banim në Zvicër, duke theksuar se ata përcjellin imazhin e vlerave të larta që Islami i ka dhe i përçon për të mirën e shoqërisë evropiane e njerëzore.

Kryetari Bruçaj vlerësoi po ashtu kontributin e Forumit të të Rinjve Myslimanë me qendër në St. Gallen dhe drejtuesve të tij, për përkushtimin në prezantimin e Islamit si dhe kujdesin e veçantë që ai tregon për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe traditave të bukura të popullit tonë.

Z. Memedi nga ana e tij vlerësoi ecurinë e deritanishme të Komunitetit Mysliman dhe arritjet e tij në shërbim të Islamit dhe të shqiptarëve pa dallim.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shkëmbyen ide për projekte në fusha të ndryshme, që do t’i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve të përbashkëta në të ardhmen.

Kryetari Skender Bruçaj u dhuroi miqve disa nga botimet e fundit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Z. Memedi shoqërohej në këtë vizitë nga kryetari i Forumit, Mustafa Saliu, shefi i Qendrës për Kërkime dhe Studime Islame, Sulejman Iljazi dhe drejtues e përfaqësues të tjerë të shqiptarëve të Zvicrës.

31 korrik 2015

ZK1A0925

ZK1A0930

You must be logged in to post a comment Login