Një botim bibliografik shumëvlerësh

Botim i ri i biblografise varjat per revisten per haxhiunnga Prof. dr. Zyhdi Dervishi

Para pak kohësh Drejtoria e Kulturës e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë botoi përmbledhjen bibliografike të plotë, shteruese “Bibliografia e gazetës “Drita Islame”, Janar 1992 – Dhjetor 2011”, me afro 500 faqe. Ky botim i realizuar me kritere mirëfilli profesionale ka vlera të shumëfishta jo vetëm teologjike e teorike, por edhe historike e praktike, për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen e studimeve në shumë fusha.

Rëndësia e këtij punimi bibliografik shfaqet në këta rrafshe kryesore:

Së pari, pasqyron në mënyrë shteruese 4765 tituj shkrimesh të 1160 autorëve dhe që janë botuar në gazetën “Drita Islame” përgjatë dy dhjetëvjeçarëve. Kjo gazetë ka qenë një nga më të rëndësishmet jo vetëm ndër organet e shtypit me profil fetar, por në gjithë spektrin e gazetave që janë botuar në hapësirën shqiptare në Ballkan dhe ndër shqiptarët e diasporës. Duke uruar botimin e numrit të parë të kësaj gazete Kryetari i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar pas vitit 1990 H. Hafiz Sabri Koçi, i cili me personalitetin e tij dinjitoz, me kulturën e pasur fetare dhe më gjerë, me përballimin e privacioneve, të sfidave të rënda që i imponoi sistemi socialist totalitar për arsye të besimit do t’i bënte nder çdo komuniteti mysliman të çdo shteti të botës, ka shkruar: “Mirë se na erdhe, o Drita Islame, që për afro gjysmë shekulli mjegulla e retë e kohës penguan rrezet tuaja që të shihnim qartë jetën tonë e të na ndriçonin shpirtrat! Mirë se na erdhe, o rreze e syve të shpirtrave tanë, që po na ndriçon të gjejmë rrugën e vërtetë morale nëpër një tokë të lënë djerrë e të mbushur plot me gjemba”. Në këtë karakterizim mjaft lakonik shprehet në mënyrë sintetike shumëfunksionaliteti i gazetës “Drita Islame”, si një organ shtypi që ka rrezatuar jo vetëm dije fetare, por edhe dije sociokulturore dhe morale, ekonomike dhe filozofike, historike dhe tradita zakonore më të arrira të shqiptarëve, etj.

Së dyti, kjo bibliografi shërben si një busull për të orientuar në “detin” e gjerë të shkrimeve të gazetës “Drita Islame” jo vetëm lexuesit e interesuar për çështje teorike të besimit e të praktikave fetare, por edhe ata të interesuar për çështje të filozofisë islame dhe më gjerë, për probleme thelbësore të moralit si një forcë e veçantë për mirëfunksionimin e shoqërisë, të veprimtarëve të interesuar për kufizimin e tejkalimin e mjaft plagëve sociale që aktualisht traumatizojnë shoqërinë njerëzore në tërësi dhe shoqërinë shqiptare në veçanti, etj. Si i tillë ky punim bibliografik është i dobishëm, i domosdoshëm për studentet dhe studiuesit e fushës së besimit, të sociologjisë, të filozofisë, të historisë, pra përgjithësisht të shkencave të profileve sociokulturore.

Së treti, shoqëria shqiptare është shumë e vonuar në studimin e historisë së fesë dhe të ndikimit të tyre të shumëfishtë, të drejtpërdrejtë dhe sidomos të tërthortë në modelimin psikokulturor të shqiptarëve, në evoluimin e tyre të shumanshëm në rrjedhën e historisë, veçanërisht gjatë 3-4 shekujve të fundit.

Besimet fetare janë një ind shumë i rëndësishëm i funksionimit të çdo shoqëri, pra edhe i shoqërisë shqiptare. Pa skanuar edhe këtë ind nuk mund të shkruhet e plotë e argumentuar në mënyrë analitike historia e popullit shqiptar. Ky punim bibliografik është një ndihmesë e rëndësishme edhe për studime të tilla.

Së katërti, vlen të theksohet se, përcaktuar nga rrethanat e veçanta historike, nga sfidat e rënda me të cilat është përballur populli shqiptar në rrjedhën e kohës, organizatat fetare, besimtarët dhe sidomos klerikët e të gjithë besimeve kanë luajtur role të veçanta, shumë të rëndësishme në të gjithë lëvizjet e popullit shqiptar për pavarësi dhe përparim shoqëror, për emancipim të shumanshëm dhe zhvillimin e arsimit, të arteve, të mendimit shkencor, etj. Sidomos në momentet më të rënda të historisë së shqiptarëve klerikët myslimanë, veçanërisht ata më të diturit kanë kryer detyra politike e shoqërore shumë të rëndësishme. Për shembull Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) (1867-1937) ka qenë një zë i fuqishëm në disa kongrese për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, ka marrë pjesë aktivisht në lëvizjet e shumanshme të popullit shqiptar për mëvetësimin prej Perandorisë Turke, ka kryer detyrën e nënkryetarit në Qeverinë e Parë të Shtetit Shqiptar të kryesuar nga Ismail Qemali, etj. Gjithashtu Zyber Hallulli (1842-1927), krahas angazhimeve fetare e atdhetare, realizoi edhe detyra të rëndësishme politike e shoqërore si Kryetar Bashkie i Tiranës, si nismëtari kryesor i organizimit të “Strehës Vorfnore” të Tiranës, etj. Ndër të arsimuarit në shkolla fetare myslimane ka jo pak shqiptarë që kanë shkëlqyer si studiues të gjuhës shqipe dhe përkthyes të standardeve më të arrira si Vexhi Buharaja, Prof. Dr. Shaban Demiraj, etj.

Së pesti, deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, sidomos në zonat rurale ku nuk funksiononin as shkollat fillore, institucionet fetare e klerikët, e ndër ta edhe xhamitë e hoxhallarët, kanë luajtur një rol të rëndësishëm për shoqërizimin e masave të gjera popullore me vlerat fetare dhe kulturore më të arrira, për orientimin e tyre drejt zgjedhjeve më të drejta, më largpamëse të problemeve që i shqetësonin. Traditat e pasura të popullit shqiptar në shoqërizimin e fëmijëve dhe të të rinjve deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore nuk mund të rilevohen shkencërisht pa analizuar në detaje edhe rolin e institucioneve fetare, të klerikëve myslimanë në këtë fushë jetike të funksionimit e të zhvillimit të shoqërisë shqiptare tradicionale.

“Bibliografia e gazetës “Drita Islame”, janar 1992 – Dhjetor 2011”, është një botim dinjitoz, nga më të arrirët në fushë të bibliografisë, i realizuar prej grupit të punës të përbërë nga: Faik Kasollja, Dr. Genti Kruja, Haxhi Lika, Andrin Rasha, Ferit Lika, Fejzi Zaganjori, Shpëtim Bashmili, Bledar Xama dhe nën përkujdesjen e veçantë të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj.

Studiuesit e fushave të besimeve fetare, të shkencave historike e psikosociale, studentët dhe të gjithë të interesuarit për dije e informacione në këto fusha do t’i jenë mirënjohës grupit të punës që ka realizuar këtë botim bibliografik si një instrument orientues shumë të rëndësishëm në spektrin e gjerë të dijeve fetare islame e shoqërore.

/Revista Drita Islame – Maj 2015/

You must be logged in to post a comment Login