Nisin mbrëmjet fetare “Frytet e Besimit”

Në Xhaminë Mbret, Elbasan, ka nisur sezoni i katërt i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit”, ku dhjetëra besimtarë myslimanë janë mbledhur për të mësuar apo kuptuar diçka më shumë rreth fesë së tyre.

Për të ligjëruar në takimin e parë të këtij sezoni ishin nënkryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu, drejtori i Kulturës në KMSH, Dorian Demetja dhe lektori i Kolegjit Universitar Bedër, Dr. Xhemal Saferti.

Nënkryetari Spahiu foli për statusin e njeriut në Islam. Ai theksoi se njeriu është krijesa më e lartë e krijuar nga Allahu. Zoti e krijoi çdo gjë në dobi të njeriut, i dha njeriut njohuri dhe vullnet të lirë për të zgjedhur dhe ndarë të mirën nga e keqja.

“Zoti na ka nderuar, na ka fisnikëruar duke na bërë mëkëmbës në tokë. Njeriu në tokë ka ardhur ta ndërtojë atë, të jetë i drejtë, i përkushtuar, jo shkatërrues por rregullues, duke filluar që nga foleja familjare e më pas në mbarë shoqërinë”, tha z. Spahiu

  1. Demetja theksoi se Allahu i ka dhënë njeriut dhuratën më të bukur: besimin. Prandaj ai duhet të thellohet në besim dhe të mbështetet tek Allahu xh.sh.

“Një njeri i cili i mbështetet Allahut, ndihet i sigurt kur të tjerët kanë frikë, ndihet i qëndrueshëm kur të tjerët janë të paqëndrueshëm, ndihet me shpresë kur të tjerët janë pesimistë, pasi kush i mbështetet Allahut, është nën mburojën e Tij. Kështu ishin të gjithë profetët”, nënvizoi z. Demetja.

Ndërsa Dr. Xhemal Saferti u shpreh se besimi dhe njësimi është vetë jeta. Ai gjithashtu theksoi faktin që besimi në Shqipëri është më shumë në zemrat e të rinjve.

“Jeta e njeriut nuk ka kuptim nëse mungon besimi dhe njësimi i Allahut. Për hir të besimit dhe njësimit profetët tonë sakrifikuan kohën dhe jetën e tyre. Përpjekjet dhe sakrificat e tyre kanë bërë që besimi dhe njësimi të shpërndahet në gjithë botën, duke mbërritur edhe në Shqipëri, në zemrat e shumë njerëzve. Falënderoj Allahun që sot shikoj kaq shumë të rinj në këtë xhami me besim në zemrat e tyre”, tha Dr. Saferti.

Myftiu i Elbasanit, z. Agim Duka dhe imami i Xhamisë Mbret, z. Agim Karaj, falënderuan ligjëruesit dhe theksuan rëndësinë e takimeve të tilla që kontribuojnë në forcimin e besimit dhe shtimin e vëllazërisë.

Programi “Frytet e Besimit” do të shtrihet në të gjithë qytetet e Shqipërisë, ku në xhami të ndryshme do të mbahen ligjërata nga teologë dhe të ftuar të ndryshëm.

29 shtator 2017

You must be logged in to post a comment Login