Nis cikli i seminareve “Kur librat flasin”

Departamenti i Shkencave Islame dhe Klubi studentor “Mesazhi i Jetës” në Kolegjin Universitar Bedër, kanë nisur ciklin e seminareve të hapura me titull “Kur librat flasin”.

Kjo platformë konsiston në një analizë të përjavshme të librave, apo titujve të ndryshëm të pedagogëve, shkrimtarëve dhe akademikëve shqiptarë e të huaj nga personalitete dhe të ftuar të shumtë.

Në këtë kontekst, në aktivitetin e datës 1 shkurt 2017, i zhvilluar në bibliotekën e universitetit, si një bashkëbisedim me studentët e Departamentit të Shkencave Islame, është folur rreth botimit më të fundit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë “Ligjërata Islame”, i autorit Sheh Qazim Hoxha, përmbledhje e artikujve të zgjedhur nga ligjëratat e tij, botuar në vitet ‘20-‘30 në revistën “Zani i Naltë”.

Takimi u hap me një përshëndetje nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. AjhanTekinesh, i cili vlerësoi këtë aktivitet, si një nxitje për studentët e Shkencave Islame, por jo vetëm, për lexim të autorëve më të shquar shqiptarë.

Më pas përshëndeti Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, i cili i njohu studentët me autorin e këtij libri dhe ciklin e seminareve, që do të vazhdojnë si një platformë promovimesh dhe njohjesh me studimet e ndryshme të dijetarëve myslimanë shqiptarë

Pas përshëndetjeve, studenti Sefer Vrana lexoi jetën e Sheh Qazim Hoxhës, ku spikat veprimtaria e tij e gjerë në shumë fusha shërbimi.

I ftuar në këtë panel diskutimi ishte Imam EltonKaraj, i cili i bëri një analizë librit, duke e vlerësuar si një model edhe për ligjëratat e ditëve të sotme. Ai e vuri theksin gjithashtu mbi nivelin e lartë teologjik dhe intelektual të autorit, që i ka pasuruar këto ligjërata me argumente kuranore dhe hadithe profetike.

Të pranishëm në aktivitet ishin studentë të shumtë, stafi akademik i departamentit të Shkencave Islame, si dhe nipat e autorit të librit, z. Qashif dhe Hadi Hoxha.

Ky cikël seminaresh do të vazhdojë edhe gjatë javëve në vijim me të tjerë të ftuar, të cilët do të njohin studentët me tituj të shumtë librash të autorëve shqiptarë.

1 shkurt 2017

You must be logged in to post a comment Login