Ngrehu, o i mbuluar!

 

Kuran

Shënime rreth Kreut 74, “I Mbuluari” (El Muddeththir)

Periudha e Mekës, 56 ajete

Me Emrin e Zotit, Bamirës, Mëshirëplotë.

O i mbuluar! / Ngrehu e lajmëro, / Zotin tënd madhëro, / petkat tua i pastro, / të papastrës iu largo; / në bën një të mirë, të përfitosh mos kërko; / për tët Zot duro! (1-7)

Kur t’i fryhet borisë, / është një ditë e vështirë, / për mohuesit jo e lehtë. / Lërma Mua kë të vetëm e krijova, / që i bëra mall dhe ia shtova, / me djem pranë, / udhën ia sheshova. / Pastaj lakmon t’ia shtoj. / Jo! Armik i dëshmive Tona. / Rëndë do ta ndëshkoj. (8-17)

Mendoi e mori një vendim. / U vraftë, ç’vendim! / Përsëri, u vraftë, ç’vendim! / Pastaj hodhi një vështrim. / U vrenjt e u bë zi. / Pastaj u kthye me krenari. / Dhe tha: “E vjetër magji, / fjalë e njeriut.”/ Do t’ia vë zjarrit. / Ku e di ti ç’është ky zjarr? / Nuk kursen e lë gjë. / Lëkurëpërzhitës. / Nëntëmbëdhjetë janë mbi të. (18-30)

Roja të zjarrit i bëmë engjëjt, numrin e tyre, tundim për mohuesit. Le të binden ata të Librit[1] dhe t’u shtohet besimtarëve besimi. Të mos dyshojnë ata të Librit e besimtarët dhe të thonë zemërsëmurët e mohuesit: “Ç’deshi Zoti me këtë shembull?” Kështu, Zoti lë të gabojë atë që do dhe drejton atë që do. Veç Tij, askush s’e di ushtrinë e tët Zoti. Kjo, për njeriun është kujtesë. (31)

Jo! Për Hënën! / Për natën kur ikën / dhe agimin kur ndriçon! / Është ndër më të mëdhatë[2], / për njeriun, lajmëresë. / Për këdo që dëshiron të shkojë përpara a prapa të mbesë. (32-37)

Secili është peng i fitimit të tij. / Por jo të djathtët. / Në kopshte pyesin / nga mëkatarët: / “Ç’ju solli në zjarrin e ferrit?”/ Thonë: “Nuk faleshim, / nuk ushqenim të varfrit, / merreshim me fjalë të kota, / përgënjeshtronim Ditën e Gjykimit, / derisa na erdhi vdekja[3].”/ Nuk u bën dobi e ndërhyrësve ndërhyrja. (38-48)

Përse largohen nga Kujtesa? / Si gomerë të trembur / që ikin prej luanit? / Jo! Secili ndër ta dëshiron t’i jepen fletë të hapura[4]. / Dhe nuk i frikësohen së ardhmes. / Por kjo është një kujtesë. / Kush të dojë e kujton. / E kujtojnë në dashtë Zoti. Zoti i devocionit dhe i faljes. (49-56)

Siç është thënë, kuranologët më të hershëm bashkohen në mendimin se shtatë ajetet e para të këtij kreu, pas ajeteve 1-5 të kreut 96, hapin shpalljen publike të Kur’anit. Ajetet në vazhdim janë shpallur më vonë.

Në thelb të kësaj sureje qëndron kontradikta me mohuesit. Sipas shpjegimit të bërë nga Maududi, aty nga viti i tretë i misionit profetik, krerët kurejshitë u mblodhën për të mbajtur qëndrim të përbashkët ndaj Muhamedit, në prag të fillimit të pelegrinazhit, kur haxhinjtë nga anët e Arabisë do të vinin për të kryer ritet dhe do të dëgjonin fjalët e tij. Ata dërguan te Muhamedi kryetarin e fisit Makhzum, Velid bin al-Mugireh, i cili dallohej si njeri i mençur dhe orator. Ibn Kethir[5], në komentin e tij, e përcjell kështu ngjarjen: Velid bin al-Mugireh shkoi së pari në shtëpinë e Ebu Bekr bin Ebi Kuhafes ku dëgjoi t’i recitohej Kur’an. Ndërkohë qenë shpallur një numër suresh të shkurtra. Kur dëgjoi ajetet e Kur’anit, Velidi mbeti i mrekulluar dhe u kthye i bindur. Ebu Xhehli, kryetari i kurejshitëve, i shkoi në shtëpi dhe tha “se fisi po mblidhte lëmoshë për të meqë paskesh ngrënë bukën e Ebu Kuhafes. Velidi u prek në sedër dhe u përpoq t’i bindte krerët se Kur’ani nuk qe ndonjë poezi si ajo që thurnin ata dhe se Muhamedi nuk ishte poet, as i zënë nga xhinët e nuk fliste fjalë pa kuptim. Krerët i thanë që nuk e kishin dërguar për këtë dhe se arabët nuk do t’i besonin më ata. Përballë tyre, Velidi u lëkund, sajoi diçka në mendje dhe tha: “Le të themi se është magjisje (një lloj demagogjie) e lënë nga të parët, fjalë njeriu.” Zoti i përgjigjet rreptë me ajetet e Kur’anit. Ajeti 17: “Rëndë do ta ndëshkoj”, fjalë për fjalë do të shprehej: “Do ta bëj të vuajë një të përpjetë (monopat) të vështirë,” që mbart kuptimin e ndëshkimit.

Në shtatë ajetet e para, “e papastra” është simbol i idhujtarisë, me padijen dhe traditat barbare. Krahas çështjes së besimit, Islami ndahej nga padija dhe hapte një epokë të re, në kërkim të dijes dhe civilizimit social. Prandaj Evropa mori nga arabët bazat e humanizmit dhe të rilindjes. Ajo që shohim sot në vendet e prapambetura myslimane, ish-koloniale, nuk është Islami, por tendenca për t’i mbajtur ato të shtypura e të përçara duke përdorur fenë si mjet dhune e vëllavrasjeje. Sepse Kur’ani urdhëron bashkimin e jo përçarjen dhe se Muhamedi (a.s.) i mbajti me çdo kusht myslimanët të bashkuar, qoftë edhe pas betejës së Uhudit kur një pjesë e luftëtarëve e braktisi. Pas humbjes, ai arriti t’i rimobilizonte ata në ndjekje të armikut.

Në ajetet 8-10, “ditë e vështirë” është Dita e Gjykimit. Besimtarët e pyetën Profetin se ç’duhej të bënin. U tha: “Thoni: “Na mjafton Allahu, ç’dorëzanës i mirë! Te Zoti mbështetemi.”” (Hasbunall-llahu, ve niëmel vekil. Ala ll-llahi tevek-kelna.) Kjo shprehje, plotësisht e saktë, ka domethënie të gjerë, sipas së cilës besimtari e vë jetën, në të tashmen dhe të ardhmen e tij, në Rrugën e Zotit dhe të mbështetur te Zoti. Nga një tjetër këndvështrim, nëse mesazhet që Muhamedi shpallte ishin fjalët e tij, ai do të kërkonte një rrugë të ndërmjetme, kompromisi për t’ia arritur qëllimit. Që në fillim, besimi i tij ishte thjesht për Zotin dhe se ai asnjëherë nuk pretendoi të zotëronte ndonjë fuqi në njohjen e së padukshmes e të së ardhmes dhe të kishte në dorë fatin e tij e të të tjerëve. Kur’ani thotë dhe Muhamedi e përsëriste shpesh se ai vetëm po përcillte fjalët që i komunikoheshin.

Numri nëntëmbëdhjetë, që ka ngjallur diskutime mes studiuesve në kohët tona, është shpjeguar në Kur’an. Sepse Kur’ani është mesazh për të gjithë dhe për çdo kohë dhe se Zoti lë hapësirë në ajetet e tij. Pra, siç kuptohet, numri i engjëjve, besimtarëve ua forcon bindjen sepse Zoti thotë të vërtetën ndërsa për mohuesit është tundim. Për Zotin nuk ka limit e numër.

Tek ajetet 32-34 Zoti betohet në Hënën, natën dhe agimin, siç do të shohim më tej që bën be në krijimin dhe dukuritë që Ai ka krijuar. Këto janë mjete poetike me të cilat theksohet subjekti në vazhdim. Këtu nuk përdoret fjala e mirëfilltë për betim, por shkronja “و” (v), e zanuar me “e”, “ve”, që, më shpesh, shërben si lidhëze. Dikush nuk e përkthen në kuptimin e betimit, por thjesht për të tërhequr vëmendjen.

“Të djathtët”, në ajetin 39, ndryshe nga koncepti politik e social, nuk janë liberalët; në Kur’an cilësohen të mbarët, të drejtët e të mirët. Ata janë banorët e parajsës. Ndër ta, më pranë Zotit janë “të parët”, paraprijësit, të afërmit, siç përmenden në kreun 56, “Ndodhia”. Ajetet në vazhdim tregojnë se çfarë këshillonte Kur’ani që në ajetet e para: të falurit Zotit (jo adhurimin e idhujve dhe të njëri-tjetrit), ushqimin e të varfrit, mosangazhimin në fjalë të kota që cenojnë individin, familjen dhe shoqërinë, përgjegjësinë para Zotit etj. Këtu, fjala “vdekja”, fjalë për fjalë, është “e sigurta”, diçka që përmendet edhe në ajete të tjera. Sepse njeriu harron që do të vdesë një ditë e të lërë vepra të mira, porse vdekja është e sigurt.

Arabët, si edhe në fetë e tjera për profetët e shenjtorët, besonin se idhujt e tyre i ndërmjetësonin te Zoti i Madh. Po kështu besojnë edhe sot e kësaj dite ata që e marrin fenë për besëtytni, se “shenjtorët” nëpër varre do t’i shpëtojnë nga sëmundjet dhe hallet. Islami erdhi kundër kësaj besëtytnie që do të thotë idhujtari e paganizëm. Islami, në parim, e çliron njeriun nga çdo besëtytni e paragjykim dhe e bën të mbështetet te Zoti.

Ajeti 52 nënkupton krerët kurejshitë që kërkonin “fletë të hapura” si provë nga Zoti. Edhe izraelitët i kërkonin diçka të tillë Musait a.s., paqja qoftë me të, si dhe çdo profeti tjetër bashkëkombësit e tyre. Ata nuk i frikësohen së ardhmes, pozitës së tyre Ditën e Gjykimit. E ardhmja, Ahireti në Kur’an, është vazhdim i jetës përgatitore në këtë botë. E ngjashme nga këndvështrimi ynë, në të vërtetë, “as syri e ka parë, as veshi e ka dëgjuar,” ka thënë Profeti Muhamed, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin me të.

Kjo sure, si edhe Kur’ani, është kujtesë dhe njerëzit janë të lirë ta kujtojnë, me dashjen e Zotit i Cili është Zoti i devocionit dhe i faljes.

_____

(Sipas shqipërimit të Kur’anit nga Salih F. Hoxha)

Përgatiti: K.S. Hoxha

(Revista Drita Islame, Gusht 2013)


[1] judenjtë e të krishterët

[2] ndër shenjat e tmerrshme

[3] Fjalë për fjalë: e sigurta

[4] si dëshmi nga Zoti

[5] Ismail Ibn Kethir (1301-1373), kuranolog, biograf, teolog i shquar mesjetar. Komenti i tij i Kur’anit merret për bazë nga shumë orientalistë perëndimorë.

You must be logged in to post a comment Login