Nga obeziteti drejt një jete të shëndetshme

N. Butt

(Pjesa I)

Jo vetëm një fe e caktuar, por të gjitha fetë dhe traditat e kulturave nga vende të ndryshme të botës, këshillojnë dhe urdhërojnë vetëdisiplinën te njeriu. Islami në veçanti, si një fe qiellore me lutjet 5 herë në ditë, agjërimin e një muaji gjatë vitit dhe detyrimin e një pjese të pasurisë së fituar, ka për qëllim vendosjen dhe konsolidimin e kësaj vetëdisipline. Jeta brenda normave të Islamit do të thotë një jetë kontrolluar dhe e ekuilibruar, larg teprimit dhe ekstremeve. Shoqëria moderne e stilit perëndimor nuk bazohet tek tradita, as është e frymëzuar nga feja, por e ndërtuar nga kërkesat e tregut ekonomik, i cili ka për qëllim shtyrjen e individit të shpenzojë sa më shumë edhe nëse nuk ka nevojë. Një nga fushat e harxhimit të tepruar është ushqimi dhe pija, ku në pjesën më të madhe të shteteve moderne ushqimi që blihet, pjesërisht konsumohet, ndërsa pjesa tjetër shkon dëm. Myslimani i mirë i cili ka marrë Kuranin Famëlartë si udhëheqës të jetës së tij, ka parasysh dhe është i ndërgjegjshëm për urdhrin për të mos shpërdoruar asgjë dhe për të mos u përfshirë në punë të kota që sjellin vetëshkatërrim.

E vërteta është se edhe jo myslimanët nuk mund të jetojnë në këtë mënyrë, të paktën jo edhe shumë gjatë. Kthimi drejt një diete të ekuilibruar dhe të shëndetshme, drejt një mënyre jetese brenda moralit dhe etikës është diçka e natyrshme për çdo qenie njerëzore. Për më tepër, sot bota moderne perëndimore ka rënë në një lloj jete të dyzuar ku industritë ushqimore reklamojnë fuqishëm konsumin duke çuar në mbipeshë dhe obezitet, ndërsa nga ana tjetër biznesi i palestrave, fitnesit dhe dietave përpiqet për të kundërtën. Për këtë arsye individët janë në një përpjekje të vazhdueshme të mbajtjes së një ekuilibri midis shpenzimit dhe konsumimit të tepruar dhe ruajtjes së shëndetit të tyre.

Çfarë është obeziteti?

Në përgjithësi me obezitet kuptohet të qenët mbipeshë. Kjo nuk është tërësisht e saktë. Ajo çfarë ka me të vërtetë rëndësi është sasia e dhjamit në organizëm. Një burrë sedentar mund të jetë mbipeshë nga dhjami sepse ha shumë dhe rri ulur gjithë ditën pa lëvizur, ndërsa një sportist që merret me mundje ose boks mund të jetë mbipeshë për arsye të masës muskulore nga stërvitja. Burri i parë mund të quhet obez, ndërsa i dyti jo. Sidoqoftë, meqë matja e sasisë së dhjamit në organizëm në jetën e përditshme është e vështirë, termat mbipeshë dhe obezitet shpesh ngatërrohen.

A ka rëndësi obeziteti?

Studime statistikore, të kryera nga kompani dhe ekspertë në këtë fushë, kanë siguruar të dhëna të pakundërshtueshme se obeziteti rrit sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë në një shkallë të lartë. Personat obezë kanë më shumë mundësi të sëmuren, ndërmjet të tjerave, nga presioni i lartë i gjakut (i cili në vetvete shkakton insult cerebral, insuficiencë renale dhe sëmundje koronare), diabeti, artriti, gurët e tëmthit, variçet, komplikacione të shtatzënisë ose në lindje dhe probleme post-operatore. Ka edhe sëmundje të tjera të cilat nuk shkaktohen drejtpërdrejtë nga obeziteti, por që favorizohen prej tij. Për shembull, një person me angina pectoris (dhimbje kraharori nga bllokimi i arterieve koronare të zemrës) ka më shumë mundësi të ketë vdekje të papritur nëse është mbi peshë. Pra, obezitetit i duhet kushtuar një rëndësi e madhe sepse mund të çojë direkt në sëmundshmëri që shkurtojnë jetën.

Shkaqet e obezitetit

Një nga shkaqet më të logjikshme dhe të drejtpërdrejta të obezitetit është marrja me ushqim e më shumë kalorive sesa i duhen organizmit ose me fjalë të tjera mbingrënia. Lind pyetja, pse njerëzit hanë më shumë se ç’kanë nevojë për të ngrënë?

Shkaku kryesor është se përdorimi i energjisë nga organizmi ulet me kalimin e viteve, ndërsa sasia e ushqimit që konsumohet është e njëjta. Kjo ndodh për arsye se me kalimin e moshës metabolizmi vjen duke rënë, ndërsa zakonet e të ngrënit të personit nuk ndryshojnë. Kjo ndodh zakonisht në 40 deri 50 vjeç. Vetëm një copë bukë apo një patate më tepër çdo ditë dhe në fund të vitit e gjen veten me 10 kg më shumë dhjam në trup.

Në disa persona, gjenetika e tyre është e tillë që organizmi ka metabolizëm të ulët dhe këta e kanë të vështirë të mbajnë një trup të rregullt pa shtuar peshë. Këtu mund të përfshijmë edhe një grup fëmijësh, gjë e cila duket jo normale. Është një fakt i ditur tashmë se prindër mbipeshë do të kenë fëmijë mbipeshë dhe kjo nuk mund të shpjegohet vetëm me dietën hiperkalorike sepse fëmijët e adoptuar nga prindër mbipeshë nuk e kanë këtë prirje për t‘u shëndoshur.

Ka disa njerëz që kanë tendencë të hanë më shumë për arsye të një sëmundje psikologjike ose psikiatrike që zgjat. Disa të tjerë hanë më shumë kur kanë një stres të përkohshëm ose kur janë në depresion sepse ata kërkojnë lehtësim të shqetësimeve të tyre tek ushqimi. Për shembull, kur një duhanpirës i rregullt përpiqet të lërë duhanin ai ka tendencë të hajë më tepër për të kompensuar mungesën e duhanit. Gjithashtu është vënë re se pas lënies së duhanit, zorrët kanë prirje të thithin më shumë ushqim se më parë dhe në mënyrë më efikase duke çuar në mbipeshë.

Sipas një teorie shumë të njohur vitet e fundit, disa fëmijë që shëndoshen shumë brenda 2 viteve të para të jetës, formojnë një numër më të madh të qelizave dhjamore sesa fëmijët e tjerë. Më vonë gjatë jetës këta fëmijë e kanë më të lehtë për të shtuar dhjame sepse qelizat janë tashmë të formuara dhe vetëm duhet të mbushen. Sidoqoftë, kjo teori së fundmi është vënë dyshim dhe mbetet e paprovuar shkencërisht.

Nga një këndvështrim tjetër, individi ndikohet nga normat kulturore, trendi i kohës dhe pritshmëritë e të tjerëve, edhe në mënyrën sesi duket në pamjen e jashtme. Në shumicën e shoqërive perëndimore sot preferohet të qenët elegant, por kjo nuk është e vërtetë në shoqëritë më pak të zhvilluara ku të qenët mbipeshë është një shenjë mirëqenieje.

Trajtimi i obezitetit

Trajtimi i obezitetit kërkon së pari uljen e sasisë së kalorive të marra poshtë asaj që i duhet normalisht organizmit. Vetëm nëse ekuilibri i kalorive marrëse dhe harxhuese do të ketë negativ, do të kemi humbje në peshë. Ngrënia e më pak ushqimeve sesa duhet, bën që organizmi të shpenzojë nga rezervat e dhjamit për nevojat energjitike ditore. Në raste ekstreme, ku humbja në peshë është e domosdoshme për personin dhe për një arsye ose një tjetër (zakonisht psikologjike) dieta ka dështuar, atëherë janë të nevojshme ndërhyrjet kirurgjikale. Këto ndërhyrje përfshijnë mbylljen e pjesshme të nofullave në mënyrë që të kalojnë vetëm ushqime të lëngshme dhe jo ata të ngurta, ngushtimi i stomakut me anë të vendosjes së unazave dhe by-pass i zorrëve, por kjo e fundit mbart rreziqe dhe nuk rekomandohet shumë.

Ushqyerja dhe dieta

Ushqyerja e përditshme i siguron organizmit lëndët esenciale për energjinë që duhet të shpenzohet, mirëmbajtjen dhe riparimin e indeve të plakura ose të dëmtuara si dhe rritjen e përmasave të organizmit sidomos tek fëmijët. Një dietë e mirë dhe korrekte është ajo që redukton marrjen e kalorive të përditshme pa e deprivuar organizmin nga lëndët e nevojshme bazike. Informacioni dhe të kuptuarit mbi ushqyerjen dhe dietën korrekte nuk është vetëm një çështje që i përket personave obezë, por për të gjithë individët e shoqërisë të cilët ndjehen në rrezik për të shkuar drejt obezitetit. Një dietë e ekuilibruar duhet të këtë sasi e mjaftueshme të proteinave, karbohidrateve, yndyrnave, vitaminave, mineraleve, kripërave dhe ujit. Proteinat, yndyrat dhe në veçanti karbohidratet janë burimet kryesore të kalorive dhe për pasojë të energjisë që kërkon trupi. Proteinat gjithashtu sigurojnë aminoacide të cilat janë jetike për rritjen dhe rigjenerimin. Yndyrat, përveç se një burim i rëndësishëm energjie dhe strukturor, janë edhe një burim i mirë vitaminash. Vitaminat luajnë rol në përdorimin e energjisë dhe në metabolizmin e organizmit, por vetë nuk janë burim energjie dhe nuk marrin pjesë në strukturat ndërtuese të tij. Mungesa e disa vitaminave mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme, por edhe marrja me tepricë mund të jetë e dëmshme.

Disa elemente dhe kripëra minerale janë thelbësore për organizmin e njeriut. P.sh. hekuri është i nevojshëm për formimin e hemoglobinës, kalciumi për formimin kockave, fosfori për formimin e energjisë si ATP (adenosine trifosfat), jodi për funksioninimin e gjëndrës tiroide etj.

Uji është një nga elementët më të rëndësishëm në dietën tonë. Ai përbën rreth 70% të peshës trupore dhe mungesa e tij për pak kohë çon në dehidratim. Ushqimet kalorike gjithashtu janë jetike për organizmin. Për të kuptuar rëndësinë e tyre është e nevojshme të kuptojmë sesi kaloritë harxhohen nga organizmi dhe nga cilat ushqime merren ato. P.sh. kërkesat për metabolizmin bazal varen nga pesha e individit, por mesatarisht është 1,700 kalori në ditë. Për krahasim, ecja normale për 1 orë i harxhon trupit 200 kalori, 1 orë punë shtëpie harxhon rreth 100 kalori, ndërsa puna mendore asnjë kalori.
Kaloritë sigurohen nga përbërës të caktuar të dietës ushqimore. Burimi më i rëndësishëm i kalorive për peshë janë yndyrat, të cilat japin 9 kalori për gram, të ndjekura nga karbohidratet dhe proteinat ku secila jep nga 4 kalori për gram. Nga këto të dhëna duket qartë se për të humbur peshë me një efikasitet maksimal, pjesa e ushqimeve të dietës që duhet të eliminohet janë yndyrat. Sidoqoftë, në një dietë të zakonshme përmbahen afërsisht dy herë më shumë karbohidrate sesa proteina dhe yndyra të marra së bashku. Prandaj, në praktikë, dietat më të efektshme janë ato ku reduktohet sasia e karbohidrateve në ushqime.
Përktheu: Erion Sukaj

/Revista “Drita Islame” – Dhjetor 2016/

You must be logged in to post a comment Login