Roli i fesë në parandalimin e krimit në shoqëri

stop krimit

nga Harun SHABANAJ

Islami i ka sjellë të gjitha parimet e shëndosha për mirëqenien e familjes. Këta parime janë më shumë të karakterizuara në përcaktimet e hollësishme që të nxjerrin një familje të mirëfilltë të pastër e legale, sepse bashkimi familjar duket si bazë e cila e lidh bashkësinë islame dhe është e pacënueshme dhe e paprekshme kundër krimit dhe përhapjes së tij.

Sot, bota ballafaqohet me të gjitha llojet e sëmundjeve, trazirave shoqërore, varfërisë, prostitucionit, vrasjeve, narkomanisë, alkoolit, divorcit, vetëvrasjeve, sidës dhe kriminalitetit rinor. Shumë njerëz i kanë idetë e tyre të veçanta rreth faktorëve që mund ta shkaktojnë krimin, dhe hulumtojnë për të zbuluar mundësitë e parandalimit të tij.

Disa mendojnë se mentaliteti dhe kushtet psikologjike të individit janë shkaktarë të krimit, të tjerë mendojnë se familja është problemi kryesor, e disa të tjerë mendojnë se shoqëria e papërshtatshme është shkaku kryesor i cili i çon të rinjtë te krimi.

Sidoqoftë, faktorët kryesorë të krimit mund të jenë tre; vetë personi, shokët e tij dhe familja me statusin e saj social dhe edukativ, si dhe rruga me të cilën bashkëshortët rrisin fëmijët e tyre.

Mentaliteti dhe kushtet psikologjike të individit janë faktorët kryesorë të krimit. Shoqërimi me shokë të këqij dhe rrethi i keq, ka efektet e veta negative tek i riu i sotëm, veçanërisht nëse ai është personalitet i dobët.

Edukimi familjar

Feja Islame i nxit prindërit për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Prindërit janë shkaktarë për ardhjen e fëmijëve të tyre në këtë botë. Fëmijët do të rriten në krahët dhe kufijtë e diturisë, intelegjencës, moralit dhe karakterit të tyre. Islami u garanton sukses atyre nëse e çojnë në vend këtë detyrë; e në qoftë se i shmangen edukimit të fëmijëve, duke i lënë pas dore, Islami u sqaron se do të kenë një përfundim të hidhur. Allahu në librin e Tij thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…’’ (Kur’ani, 66/6)

Po ashtu edhe Profeti (a.s) thotë: “Secili prej jush është përgjegjës dhe secili është pergjegjës për ata që ka nën adminstrim dhe kujdes. Çdo kryefamilijar është përgjegjës për individët që ka nën kujdes. Gruaja është përgjegjëse e shtëpisë së burrit dhe përgjigjet për gjërat që ka nën kujdes…’’ (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Prindërit kanë për detyrë t’i ndihmojnë fëmijët e tyre, t’i edukojnë e t’u tregojnë atyre qëllimet e kësaj jete, sepse një gjeneratë pa qëllime jetësore është sikurse një plagë e rastësishme. Paralelisht me zhvillimin e vetive pozitive të fëmijëve, prindërit duhet që atyre t’u bëjnë të urryer çdo lloj gënjeshtre, mashtrimi, urrejtje dhe bindshëm t’i edukojnë që të largohen nga gjërat e ndaluara nga Krijuesi.

Prindërit janë përgjegjës para Allahut (xh.sh.) për edukimin e drejtë fetaro-edukativ të pasardhësve të tyre, ngulitjen e adhurimit të Allahut dhe ndjekjen e rrugës së Tij në jetën e përditshme. Mësimi dhe ngritja e rinisë islame është obligim për çdo familje. Në fakt, shtëpia është shkolla e parë në të cilën të rinjtë marrin bazat e të menduarit dhe edukatës mbi fenë dhe të ardhmen e tyre.

Lind pyetja: A i plotësojnë sot familjet tona përgjegjësitë që kanë për edukimin e fëmijëve të tyre me edukatë fetare. A është në gjendje metoda që kanë zgjedhur ata në rritjen e fëmijëve t’i rezistojnë realitetit dhe krimeve të cilat i rrethojnë? A gjejnë fëmijët tanë në shtëpitë tona, këshilla të mjaftueshme, shembuj të mirë për mënyrën e jetesës?

Një gjë e cila konsiderohet shumë e dhimbshme, është se disa familje përfundimisht e kanë braktisur rolin e tyre në edukimin fetar të fëmijëve. Çfarëdo e mete dhe mungesa e edukatës fetare në edukimin e fëmijëve, do të ketë efekte negative në jetën e të rinjve dhe në përbërjen e bashkësisë dhe shoqërisë.

Prindërit duhet të interesohen për njerëzit me të cilët shoqërohen fëmijët e tyre. Njeriu ndikohet prej atij me të cilin shoqërohet, përfiton nga mendimet, karakteristikat dhe veprimet e tij. Profeti (a.s.) ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe atij të keq, është si mbajtësi i miskut (erë e këndshme) dhe i farkëtarit; mbajtësi i miskut ose të parfymos, ose të shet erë të këndshme, ose së paku prej tij vjen erë e mirë; kurse farkëtari ose të djeg teshat, ose prej tij vjen erë jo e këndshme (prej qymyri)” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Shoqërimi me njerëz të mirë, hap rrugën e përfitimit e të kënaqësisë, ndërsa shoqërimi me njerëz të këqij, i ngjason farkëtarit i cili ose të mbush me erë të keqe ose të djeg.

Nëse i riu shoqërohet me shokë të këqij, ai e ka të vështirë të shpëtojë nga e keqja e tyre. Ai ose do të veprojë sipas ideve të tyre të prishura, ose do t’i mbillet dyshimi në fenë dhe edukatën të cilën e ka fituar nga prindërit.

Ebu Kilabi thotë: “Mos u ulni e mos u shoqëroni me njerëz të prishur e as mos polemizoni me ta, sepse mund t’iu zhysin në errësirën e të pavërtetës. Të vërtetën në të cilën ju jeni të bindur se është e tillë, mund t’ua mveshin me të pavërtetën, pra, nëse nuk veproni sipas dëshirës së tyre do t’iu maskojnë të vërtetën me të pavërtetë”. KurseXhafer es-Sidiku duke e këshilluar djalin e tij, ndër të tjera i thotë: Biri im! Mos u shoqëro me njerëz keqbërës të pabindur e gënjeshtarë, sepse keqbërësi meriton mallkimin e Allahut, të pabindurit besatohen në mallkimin e prindërve të tyre; ndërsa gënjeshtari të mashtron në qëllimet që ti ke për jetën.

Islami formon personalitet të shëndoshë

Nëse shfletojmë historinë e fillimit të zbulesës hyjnore, do të vërejmë se mesazhi hyjnor e gjeti njerëzimin në një gjendje të mjeruar. Njeriu ishte pronë e njeriut, gratë konsideroheshin robëresha, ato ishin vetëm mjete të cilat flisnin. Vrasja e fëmijëve meshkuj dhe femra në rast të skamjes ishte dukuri normale. Bixhozi luhej me të madhe, vera pihej bile edhe në vend të ujit. Morali kishte rënë në një shkallë shumë të ulët. Njerëzit ishin dhënë pas kënaqësive të tyre jetësore aq shumë saqë jeta ishte bërë e pakuptimtë. Kjo do të kuptohet më mirë po qe se merret për shembull njeriu i sotëm, i cili i përjeton të gjitha format e kënaqësisë materiale, dhe në fund e kupton pakuptueshmërinë e tyre dhe fillon ta kërkojë shpëtimin në filozofi, sekte ekstreme, drogë apo vetëvrasje.

Me ardhjen e Islamit u çrrënjosën këto bindje dhe u ndërtua një parim i mbeshtetur në besimin në një Zot dhe në devotshmëri. Islami është ai i cili e edukoi ndërgjegjen e njeriut dhe e bindi atë se Zoti është Ai që mbikëqyr gjithçka në këtë botë, dhe se një ditë të gjithë do të paraqiten para Allahut ku do të përgjigjen për çdo vepër. Islami e obligon besimtarin që tërë personalitetin e vet, duke filluar që nga ndjenjat dhe të menduarit e deri te sjellja praktike, ta ndërtojë dhe harmonizojë aq sa ia lejon natyra e tij me figurën e vertetë islame të definuar përmes Kur’anit dhe Sunetit të Muhamedit (a.s.).

Islami e obligon besimtarin që t’i dojë njerëzit, të mos i përgojojë, të mos fyejë dinjitetin e tyre, të mos rrezikojë pasurinë, shëndetin dhe jetën, t’u ofroi këshilla të sinqerta, kujdes dhe ndihmë. Të mendojë për Allahun në çdo fushë, pa iu shmangur detyrimeve jetësore e familjare, kështu me qëllim që ta përmbushë amanetin ndaj Tij.

Megjithatë, nëse ne punojmë seriozisht, u mësojmë të rinjve vlerat fetare dhe përpiqemi t’i ndihmojmë ata që të kuptojnë mënyrën dhe qëllimet e jetës, do të mundemi t’i ndalojmë këto dukuri shqetësuese. Po qe se arrijmë t’i bindim ata që t’i dorëzohen plotësisht dhe pa paragjykime ligjit të Allahut, shumë shpejt do ta ndiejnë se për ta do të fillojë një periudhë e re jete, e cila do të dallohet plotësisht nga e mëparshmja.

 

You must be logged in to post a comment Login