Nëse jeta jote do të ishte një libër…

Nëse jeta jote do të ishte një libër, çfarë vendi do t’i rezervoje asaj te libraria e shpirtit tënd, mes librave filozofikë, enciklopedikë, romantikë, poetikë apo shpirtërorë? Do të doje ta vendosje në një vend të dukshëm apo në një vend ku nuk do të mund ta gjenin as edhe kërkuesit më të vëmendshëm? Do ta lexoje shpesh apo vetëm një herë në muaj, në vit, në mos do ta merrje në dorë vetëm për t’i fshirë pluhurat? Apo do ta vërvitje në një qoshe, ku të kishe mundësi që ta harroje?

Ç’do të ndieje në qoftë se një lexues do ta përthyente faqen e librit në vendet më të dëshpëruara apo në ato më të gëzuara, për më tepër, në ato vende ku shkruhet: “Gjërat që i kam jetuar për herë të parë në jetën time?” Ç’do t’i thoje lexuesve që, pasi të kishin mbaruar së lexuari, do të buzëqeshnin për momentet e tua të dëshpëruara dhe do të mërziteshin për ato të gëzuara, apo nuk do t’i kishin kuptuar momentet e tua më interesante? Ç’do t’i thoje atyre që do të mendonin një përfundim të keq kur ti ishe konfuz? Do të të vinte keq për veten dhe do të doje që t’i jetoje ndryshe përsëri momentet që nuk do të pëlqenin? Apo do të qëndroje indiferent kundrejt çdo gjëje?

Do të mërziteshe po të shikoje dikë që do t’i interesonte trashësia e librit e jo përmbajtja e tij? Do t’i buzëqeshje atyre që do të merreshin me madhësinë e shkronjave apo me gjatësinë e fjalëve, ndërkohë që ti je ai që i ka jetuar germë për germë e fjalë për fjalë ato rreshta? Do t’i shikoje me vëmendje ata që do të prisnin plot emocion fundin e librit?

Nëse jeta jote do të ishte një vepër, ti si një shkrimtar, cilën prej pjesëve të saj do të pëlqeje? Cilat prej faqeve do t’i grisje e do t’i hidhje poshtë, cilat prej vargjeve do t’i nënvizoje e do t’i lexoje disa herë, cilat momente do të doje t’i jetoje edhe një herë? A do të ishte jeta jote e kënaqur duke qenë libër dhe a do të ishte libri i kënaqur duke qenë jeta jote? Do ta shtypje për herë të dytë, të tretë e pastaj për të katërtën herë? Apo mos ndoshta do ta lije në raft për vite me radhë si një gjë të pavlerë?

Do t’i kushtoje rëndësi kopertinës së librit? Do të doje që fletët e tij të ishin nga më të shtrenjtat? Apo do të mjaftoheshe me disa fletë prej kashte? Ç’figurë do t’i vendosje kopertinës? Një portret të qeshur, një që qan apo një që ka kthyer shpinën e po ikën? Po librit, çfarë titulli do t’i vendosje: “Jeta ime”, “Kujtimet e mia”, “Të vërtetat e mia”, “Gabimet e mia”, “Sa e shkurtër qenka jeta?!” apo…

Dhe më e rëndësishmja nga të tëra, cili do të ishte ndryshimi nga librat e tjerë, çfarë do të tregoje më shumë, ç’ngjarje të ndryshme do të theksoje nga librat e tjerë, çfarë do ta shikoje si të parëndësishme dhe do ta kaloje? Çfarë do t’i mësonte lexuesit përmbajtja e librit, çfarë morali do të nxirrte ai nga ky libër? Cila do të ishte pjesa më e mirë… fillimi, mesi, fundi i rrugës apo asnjëra?

Çfarë fuqie shprehëse do të kishin fjalët e shkruara në të? Apo çdo fjalë do të ishte shkruar me gjuhën e zemrës? Nëse jeta jote do të ishte një libër, a do ta pëlqeje atë libër? A do të ishte ai libri më i preferuar? A do të citoje fraza nga ai kur të flisje? Apo do ta mohoje e do të kishe turp nga ato që ke jetuar?

Nëse jeta jote do të ishte një libër, a do të ishte e përmbledhur jeta aty, apo fletët e jetës do të ishin si fletët e librave seri që nuk u dihet numri?

Nëse jeta jote do të ishte një libër…

You must be logged in to post a comment Login