Nëse dëshiron të bëhesh lider… (3)

success2-1024x768Guximi si premisë e lidershipit

(Pjesa e tretë)

Në trajtesën e mëparshme bëmë fjalë për treguesin e dytë ndër gjashtë treguesit e liderit të së ardhmes, të cilët ishin: (1) Aftësia analizuese, (2) Iniciativa, (3) Guximi, (4) Serioziteti, (5) Ambicia dhe (6) Ambienti elitar.

Ndërsa në këtë trajtesë do të bëjmë fjalë pikërisht për treguesin e tretë të lidershipit. Kjo shenjë e tretë që tregon mbi lidershipin është guximi.

Guximi

Ky tregues është një tregues që gëzon konsensus në mesin e shkencëtareve të studimit të lidershipit. Sa i përket treguesve të tjerë të lidershipit veç guximit, ka prej dijetarëve kush i përmend ato tek treguesit e domosdoshëm të lidershipit, por ka pasur të tjerë që nuk i kanë përmendur ndër to; ndërsa sa i përket këtij treguesi, që të gjithë e përmendin atë në mesin e treguesve të domosdoshëm të lidershipit.

Imam Xhahidh, poeti dhe prozatori i shquar, ka thënë: “Guximi është të bësh përpara në vështirësi dhe rrezik kur lypset një gjë e tillë, duke e ruajtur gjakftohtësinë”.

El Manaui thotë: “Guximi është sipërmarrja e dobive të rrezikshme, pa u merakosur”; pra ai që ndërmerr diçka të tillë i imponuar, apo ai që ndërmerr një gjë të dëmshme, si dhe ai që është i luhatur në sipërmarrjen e tij; sipas këtij përkufizimi nuk konsiderohet i guximshëm.

Një përkufizim i përmbledhur dhe i qëlluar i guximit mund të jetë: “Rezistenca pavarësisht kanosjes”; pra personi edhe pse preket nga frika, vijon të marrë përsipër të veprojë; pra që të jesh i guximshëm nuk do të thotë të mos kesh frikë, por guximi nënkupton që zemra jote, në prani të pasojave të frikshme, t’i paraprijë në qëndrueshmëri fizikut tënd.

Disa njerëz mendojnë se guximi nënkupton që njeriu të mos ketë frikë; teksa faktet tregojnë se edhe trimat më të mëdhenj kanë frikë, porse ndryshimi midis tyre dhe njerëzve normalë është se trimat kanë frikë porse kjo s’i pengon ata që t’i shkojnë deri në fund sipërmarrjes së tyre. Të gjithë njerëzit kanë frikë, nuk ka asnjë njeri që të mos ketë frikë. Në mbështetje të këtij fakti na mjafton të marrim shembullin e Musait (a.s.), në lidhje me të cilin Kur’ani Fisnik ka përmendur më se një herë: “Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete” (Kur’an: Taha, ajeti: 67); shtoi kësaj thëniet e tjera kuranore që bëjnë fjalë mbi frikën, e cila është pra, një realitet që prek çdo njeri; porse siç e përmendëm guximtari pavarësisht kanosjeve, reziston dhe vijon në sipërmarrjen e tij, ndërsa frikacaku sapo të ballafaqohet me frikën ia mbath…

Nisur nga sa më lart, del qartë se guximi është një virtyt i balancuar midis ngutjes – që padyshim nuk ka të bëjë me guximin, por është një tipar i ulët karakteristik i personave qëi ndërmarrin sipërmarrjet e tyre pa i llogaritur si dhe sa duhet ato – dhe zmbrapsjes – që konsiston në luhatjen, shmangien dhe arratinë për shkak të frikës prej pasojës.

Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë, kur të ndeshni ushtritë e jobesimtarëve në betejë, mos ua ktheni shpinën!” (Kur’an: Enfal, ajeti: 15); pra është e ndaluar të mënjanohesh dhe t’i tregosh shpinën armikut për shkak të kërcënimit që vjen prej tij.

Po ashtu Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë, kur të ndesheni me ndonjë forcë armike, qëndroni të patundur dhe përmendni shumë Allahun që të fitoni” (Kur’an: Enfal, ajeti: 45).

Guximi është një virtyt që e bën poseduesin e tij të shquhet me një sërë gjërash, ku padyshim më përparësori është fakti se guximi është origjina e çdo të mire, si dhe është origjina e virtytit që u jep iniciativë shpëtimtarëve ta ndërmarrin këtë hap pa u menduar dy herë…

Mungesa e këtij virtyti ka bërë që sot të përhapet dukuria e quajtur në shkencën e psikologjisë “The bystande reffect”, që është një fenomen psikologjik që u referohet rasteve kur individët në prani të njerëzve të tjerë rrotull tyre, nuk ofrojnë asnjë mënyrë ndihme kundrejt njerëzve që janë viktima të situatave të ndryshme emergjente. Më konkretisht kur ndonjë person atypari gjendet para një situate të një nevoje jetike, apo që po i bëhet një padrejtësi e madhe, apo që po e vjedhin, apo që bie përtokë për shkaqe shëndetësore; ky efekt është dominues; teksa njeriu guximtar shfaqet pa hezitim shpëtimtar dhe ndihmues. Guximtari është njeri me personalitet, trim dhe person të cilin e duan të gjithë, pasi njerëzit e duan dhe e vlerësojnë lartë këtë virtyt thelbësor human dhe i urrejnë frikacakët; madje guximtarët janë njerëz që vlerësohen dhe gëzojnë personalitet edhe në mesin e armiqve të tyre.

Rëndësia e këtij virtyti rritet në bazë të pozicionit të individit në rolin e tij shoqëror. Kësisoj udhëheqësi guximtar është fortifikatë e bashkësisë dhe popullit të tij, pasi një popull që nuk udhëhiqet nga një lider i guximshëm shndërrohet në një popull qole që mund të shkojë deri aty sa t’i nënshtrohet dhe t’i shërbejë edhe interesave të armikut të vet. Në situata të ndryshme, sidomos kur kemi të bëjmë me situata kritike, është pikërisht poseduesi i virtytit të guximit ai që, falë qëndrimit të tij të vendosur, ka dhe rolin vendimtar në rrjedhën e duhur të ngjarjeve. Ne jemi bërë dëshmitarë të sa e sa situatave, sikurse ajo aktuale në Egjipt, ku një popull i tërë i guximshëm ndërmerr heroizma të rrallë për çdo ditë duke e pranuar për alternativë edhe vetëflijimin në rrugën e mbrojtjes të së drejtës së garantuar nga kushtetuta hyjnore; nëse Zoti nuk do t’i bënte shkak këta njerëz të guximshëm, mizoria dhe represioni do të vijonin të bënin viktima edhe në trajtat më të frikshme që janë padyshim ato të krimit shtetëror të organizuar që vepron përmes mekanizmave të regjimeve diktatoriale, shteteve policore dhe puçeve ushtarake; nëse kombet nuk do kishin në gjirin e tyre të tillë individë, ato do të mbeteshin të gjunjëzuara.

Le të shikojmë së bashku disa tregues të detajuar të guximit:

Në hetim të tiparit të guximit, si një prej treguesve të liderit të së ardhmes, duhet të hulumtojmë praninë e një sërë shenjash që tregojnë se ky person është i guximshëm.

Treguesi i parë: Pozicionimet e individit kur përballet me situata kërcënuese.

Të tilla janë për shembull situatat e luftës që janë përmbledhur në tre kategori:

a) para se të fillojë beteja, më konkretisht kur dy ushtritë takohen me njëra-tjetrën; situatë që përbën një moment që ndryshon në funksion të virtytit të guximit, dikush heziton dhe dikush tjetër sulet me vrull përpara; pa dyshim që një situatë e tillë përbën qartë një tregues mbi praninë ose jo të virtytit të guximit…

b) gjatë betejës, pra kur ndizet beteja dhe personi nuk e di se nga ku mund t’i vijë vdekja, por pavarësisht kësaj ai reziston dhe qëndron i paluhatur, sërish këtu spikatet ky virtyt…

c) nëse ushtria e individit mundet dhe shumë prej individëve të ushtrisë së tij ia mbathin; i guximshmi edhe në këtë situatë në të cilën frika bën kërdinë, jo vetëm që qëndron si shkëmb graniti, por, për më tepër, ai bëhet faktor qëndrese edhe për shokët dhe ushtrinë e tij…

Në lidhje me këtë Enesi (r.a.) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s.) ishte njeriu më i mirë, njeriu më i guximshëm, njeriu më bamirës. Një herë banorët e Medinës i kapi paniku dhe i Dërguari i Allahut (a.s.) shkoi në vendngjarje me kalin e tij para të gjithëve”. Kjo histori ka të bëjë me një rast kur një fis kusarësh sulmoi pabesisht natën diku në periferi të Medinës, ku grabiti disa deve, la të vrarë një bujk dhe bëri disa plaçkitje, pas të cilave ia mbathën sërish. Bujqit e tjerë në këto momente lëshuan britma ndihme. Njerëzit, duke qenë se ishte natë, nuk arritën të bëheshin gati vetëm se pas një periudhe të konsiderueshme kohe, ndërsa Profeti (a.s.) aty për aty, pa veshur pajimet e luftës, i hipi kalit të vet dhe në një kohë rekord shkoi atje, e pa situatën, përgatiti ushtrinë e cila iu qep pas kusarëve dhe e vendosi drejtësinë në vend… shkoi atje para të gjithëve…

Ky është guximi, që qëndron tek iniciativa për të kontribuuar, mishëruar tek personi i Profetit (a.s.) dhe tek inkurajimi që ai u bënte njerëzve për t’u pasuruar me këtë virtyt.

Në Betejën e Hunejnit, doli qartë në pah guximi i të dërguarit të Allahut, kur myslimanët ranë në kurthin e armiqve, ku nga 12 mijë persona që ishin në radhët e ushtrisë së myslimanëve – një shumicë e madhe e të cilëve ishin të rinj në Islam –, qëndruan pa ia mbathur vetëm rreth 100 persona. Në këtë moment spikat sërish qëndresa e Profetit (a.s.) i cili filloi të thërriste me zë të lartë: “Ejani, ejani tek unë o robërit e Allahut!”Njerëzit filluan të vinin tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe ai vijoi të thërriste– edhe pse një gjë e tillë e vinte atë para një rreziku serioz, sepse nga thirrja e tij armiqtë mund të mësonin mbi vendndodhjen e tij dhe të vinin t’i bënin keq –, duke thënë: “Unë jam Profeti, nuk është gënjeshtër, unë jam i biri i Abdulmutalibit. O Allah, zbrite ndihmën tënde!”.

Berai (r.a.) thotë: “Kur ndizej beteja, ne mbroheshim me të [Profetin (a.s.)] dhe më guximtari prej nesh ishte ai që qëndronte paralel me të”. Pra kur beteja arrinte kulmin e saj, ai që qëndronte në anë të Profetit (a.s.) konsiderohej më guximtari ndër shokët e tij, dhe nuk gjendej askush të përballej me armikun më fuqishëm se ai.

Sahabët [shokët e Profetit (a.s.)] (r.a.) e mësuan mirë konceptin e guximit prej Muhamedit (a.s.). Në këtë kuadër vjen se imam Aliu është pyetur: Nëse kuajt bredhin në fushëbetejë [kur ushtria çorganizohet dhe frika sundon] ku të të takojmë? Ai (r.a.) u përgjigj: “Do të më gjeni aty ku më latë”; pra unë nuk ia mbath sepse nuk i përkas atij soji.

Po në këtë kuadër, Enesi (r.a.) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s.) në ditën e Uhudit mori një shpatë dhe tha: “Kush e merr këtë?” Njerëzit shtrinë duart e tyre.” – Secili prej tyre dëshironte ta merrte duke thënë: Unë, unë o i Dërguar i Allahut. “I Dërguari i Allahut tha: “Kush e merr këtë [shpatë] duke ia dhënë hakun?”” Paskëtaj njerëzit hezituan t’i shtrinin duart drejt shpatës, derisa njëri prej besimtarëve të pranishëm i tha: Cili është haku i saj o i Dërguar i Allahut? Profeti (a.s.) tha: “Haku i saj është të luftojë me të derisa të lakohet.”” Pra kuptimi është që personi për ta merituar këtë shpatë duhet të ishte aq i qëndrueshëm sa të mos largohej kurrsesi nga fushëbeteja. “Ebu Duxhane tha: Unë e marr atë duke ia dhënë hakun e saj o i Dërguar i Allahut. Dhe me atë shpatë ai bëri kërdinë në mesin e armiqve në Betejën e Uhudit…”

Kjo është shenja e parë prej shenjave të hetimit të pranisë së guximit tek njeriu, që spikatet përmes qëndresës së tij në situata të frikshme.

Treguesi i dytë: Guximi në shprehjen e mendimit.

Shanset e lidershipit tek personi ku gjendet ky tregues, natyrisht që janë më të mëdha se tek ai person i cili ka turp dhe ndrojtje që ta shprehë mendimin e tij. Në këtë kontekst do doja t’i drejtohesha prindërve që kanë fëmijë të ndrojtur, por heshtin karshi këtij realiteti. Këshilla ime për këta prindër është të mos tregohen indiferent ndaj kësaj sjelljeje, pasi kurimi i tyre nga ky problem sa janë të vegjël është i lehtë dhe vështirësohet shumë kur ata rriten.

Të gjithë treguesit e lidershipit mund të ndryshohen dhe përmirësohen më lehtësisht në moshë të vogël, ndërsa në moshë të madhe një gjë e tillë bëhet e vështirë.

Guximi në shprehjen e mendimit gjejmë të shfaqet tek Profeti (a.s.) kur ai ishte ende fëmijë, teksa ai gjendje me karvanin e xhaxhait të tij, Ebu Talibit, dhe karvani i tij u ftua nga murgu Buhejra, i cili pa se si ky karvan që po vinte kah faltores së tij shoqërohej nga një re që s’u ndahej. Kur karvanarët shkuan tek ai, Buhejra i pyeti nëse kishin lënë dikë pas… Historia vijon që Muhamedi i vogël ende fëmijë sillet te Buhejra dhe ai e ngacmon për të testuar shenjat e profetësisë që i pa të ishin të shfaqura tek ai. Në kuadrin e kësaj ai e pyeti Muhamedin e vogël: Po të kërkoj diçka pash Latin dhe Uzen! Muhamedi i vogël iu përgjigj: “Mos më kërko mua asgjë duke më bërë be tek Lati dhe Uzeja. Pasha Allahun unë nuk urrej diçka siç i urrej Latin dhe Uzen”. Përfytyroni guximin e këtij fëmije që e thotë diçka të tillë para disave prej liderëve idhujtarë të Mekës, prej të cilëve edhe xhaxhait të tij. Ai nuk kishte frikë ta shprehte mendimin e tij, por e shprehte atë pa iu dridhur qerpiku… Pikërisht shprehja e këtillë e mendimit përbën një tregues të pranisë së virtytit të guximit tek personat nga ku buron kjo gjë…

Një gjë të tillë e mësuan prej Profetit (a.s.) sahabët dhe bijtë e tyre. Në këtë kuadër, tregohet një histori e kohës kur Umeri (r.a.) ishte kalif. Dihet personaliteti dhe hija e rëndë që gëzonte Umeri (r.a.) tek njerëzit, për të cilin transmetimet tregojnë se ndër të tjera ai ishte shumë i bëshëm edhe fizikisht, saqë kur hipte në kalë, këmbët i preknin në tokë dhe kur gjendej në mesin e njerëzve ai shquhej ndër ta falë shtatlartësisë së tij. Në kuadrin e personalitetit të madh që gëzonin sahabët për Umerin (r.a.) tregohet se një herë kur Umeri (r.a.) kalif po ecte rrugës, ai pa një grup sahabësh, dhe kur ai u kthye nga ata, ata u drodhën. Umeri (r.a.) u tha: Ç’ju gjeti? Ata i thanë: Na i ke mbushur zemrat me frikë. Umeri (r.a.) u tha: A po u ndodh kjo nga sjellja ime e padrejtë me ju? I thanë: Jo. Atëherë Umeri (r.a.) tha: Allahu e shtoftë frikën që ju ndjeni për mua në zemrat tuaja…

Të gjithë njerëzit i trembeshin Umerit (r.a.) dhe ndër to pa dyshim edhe fëmijët. Një ditë kur ai ishte duke kaluar në rrugë, atypari ishin disa fëmijë që po luanin, të cilët me të parë Umerin (r.a.) ia mbathën, përveç njërit. Ky fëmijë ishte Abdullah ibën Zubejri. Umeri (r.a.) kur iu afrua atij i tha: Përse nuk ike si shokët e tu? Abdullahu, i cili asokohe ishte vetëm 12 vjeç, pa nga Umeri (r.a.) dhe i tha: “Nuk kam bërë ndonjë shkelje që t’ia mbath prej teje. As nuk është se rruga ishte e ngushtë dhe të ta hapja rrugën”. Umeri (r.a.) tha: Ky është biri i të atit… Të tillë personazhe historia islame ka pasur shumë…

Treguesi i tretë: Kritika.

Prej problemeve të këtij tipari dhe të dy të tjerëve para tij është kur ato shoqërohen me sjellje të padenja, sidomos kur çështja shkon deri në sjellje ofenduese, ndaj duhet bërë shumë kujdes që të mos bihet në një gjë të tillë…

Sa i përket kritikës duhet fiksuar mirë fakti se nëse kritika është e zhveshur nga të qenët model në atë gjë për të cilën po i kritikon të tjerët, në këtë rast ky tregues nga pozitiv shndërrohet në negativ.

Kritik konstruktiv është ai person që kritikon me edukatë, është model, ka arritje në lëmin ku kritikon, është optimist dhe një partner aktiv. Sa i përket kritikuesve që kritikën e tyre ndaj nesh e shoqërojnë me sjellje jo xhentile, ka raste kur ne na duhet ta kapërdijmë atë dhe të shikojmë tek ajo pozitivisht. Në këtë kuadër, një këshillë themelore të cilën ua drejtoj atyre që edukojnë fëmijët por edhe më gjerë, është që nëse shikoni një person, fëmijë apo të rritur, që ta shprehë mendimin e tij me guxim dhe tek i cili spikat gjuha e kritikuese ndonjëherë duke i kaluar edhe caqet, në këtë rast monitoroni nëse këta persona kanë arritje në atë gjë për të cilën bëjnë kritika, pikasni tek ata praninë ose jo të frymës së përfshirjes konstruktive në subjektin ku ata i drejtojnë kritikat, hulumtoni nëse ata kanë apo jo ndonjë kontribut në atë lëmi; dhe nëse përgjigja është po, atëherë problemi i tyre duhet limituar tek lëmi i edukimit, ndaj duhet bërë kujdes që mos ta vrasim treguesin e lidershipit të pranishëm tek këta personi, por thjesht t’u mësojmë atyre edukatën e të kritikuarit…

Kësisoj, kritika nuk është tërësisht e keqe për individin, pasi ajo reflekton një sërë dhuntish të tij dhe interesash që burojnë prej tij, prej të cilave përmendim:

Së pari: Kritiku para se të vinte tek shpalosja e kritikës së tij ka medituar, ka vënë në punë procesin e tij të të menduarit, ka medituar mbi nismën të cilën po e kritikon, mbi pikat e forta dhe të dobëta të saj; dhe kjo gjë tregon mbi aftësinë analizuese të këtij personi si dhe mbi eksperiencën e tij për të vlerësuar.

Së dyti: Kritika reflekton praninë e shqetësimit apo interesimit për të përmirësuar, sigurisht me kushtin që kritiku të ketë për qëllim përmirësimin dhe zhvillimin. Por si mundet ta mësojmë se cili është qëllimi i kritikut? Përgjigja është: Kritiku konstruktiv kritikon dhe punon.

Së treti: Kritika tregon se personazhi i saj ka dëshirë të përfshihet në frymën e punës kolektive, se ai është njeri me iniciativë si dhe tregon mosrënien në vetëmbyllje që i ka bërë sa e sa persona të veprojnë nën mendësinë “E ç’më duhet mua”; teksa kritiku konstruktiv ka dëshirë të rregullojë dhe zhvillojë.

– Por ndodh që kritika të jetë destruktive. Kjo frymë kritike nuk konsiston as nga afër e as nga larg në ndonjë tregues të dhuntisë së lidershipit. Një gjë e tillë del në pah atëherë kur qëllimi i kritikuesit është demaskimi i tjetrit, që shprehet ndryshe me perifrazimin“likuidimi i rivalit”; pra kritiku destruktiv nuk kritikon qëndrimet dhe idetë, por kritikon persona të veçantë…

Po kështu në rastin kur kritika është alternativë e punës dhe aktivizimit, pra kur ajo mbetet një fjalë e pashoqëruar me vepra, sërish ajo konsiston në një tipar të keq që assesi nuk përbën ndonjë prej treguesve të lidershipit.

Po e këtij konteksti është edhe kritika që bëhet për rrënimin e nismave dhe projekteve të të tjerëve, duke mos dhënë alternativë dhe madje as ndonjë ide konkrete; në këtë rast kemi të bëjmë me persona të boshatisur nga aftësia të përveshur llërat dhe për të konkurruar në lëmin praktik…

Kritika e të gjitha këtyre rasteve, nëse përbën një tregues ai është mbi paaftësinë për të qenë guximtar dhe si rrjedhojë paaftësinë për të qenë një lider i suksesshëm.

Treguesi i katërt: Ndikimi tek të tjerët.

Sa më shumë që shtohet rrezja e ndikimit të personit tek të tjerët aq më shumë tregon kjo gjë mbi guximin e tij, pasi një person i turpshëm dhe i luhatur nuk mund të ketë ndikim tek të tjerët, porse ai që influencon tek të tjerët është individi guximtar.

Sigurisht qëndrimet e Profetit (a.s.) në këtë kontekst mbushin jetëshkrimin e tij, që tregon se sa i fuqishëm ishte ndikimi i tij (a.s.) tek shokët e tij dhe më gjerë. Madje Profeti (a.s.) ka ndikuar fuqishëm dhe në mënyrë vendimtare edhe tek unë dhe ti, si dhe tek çdo besimtar i kohës sonë, pas gjithë këtyre viteve, e lëre më pastaj kur bëhet fjalë për ndikimin e tij tek ata që jetuan me të. Profeti (a.s.) ishte modeli i tyre ideal ku ata referoheshin dhe përmes të cilit udhëzoheshin.

Le të sjellim shembullin e mbretit të Omanit. Kur ai takohet me Profetin (a.s.), pasi kishte pranuar Islamin në ftesën për në Islam që i kishte bërë Amër ibën elA’si (r.a.); ky mbret thotë: “Për Allahun, mua më ka orientuar tek ky Profet, fakti se ai nuk urdhëron në një mirësi përveçse duke qenë vetë i pari që e vepron atë dhe nuk ndalon nga një e keqe përveçse duke qenë ai vetë i pari që e len atë, si dhe fakti se ai triumfon por nuk krekoset, mundetpor nuk pezmatohet, e mban besën dhe e kryen premtimin”.

Falë këtyre dhe shumë e shumë virtyteve të tjera të skalitura në personin e Profetit (a.s.), ai vendos ndikimin e vet tek sahabët e tij dhe mbarë bashkësia e myslimanëve që do ta pasojnë atë deri në fundin e jetës së kësaj bote.

Fuqia e ndikimit të Profetit (a.s.) ishte e tillë që sahabët e tij kur ishin me të ndiheshin në një gjendje të tillë të admirueshme që ndryshonte nga gjendja e tyre kur nuk ishin me të. Në këtë kuadër vjen se një ditë prej ditësh, teksa Ebu Bekër es Sidiku (r.a.) po ecte rrugës, ai takohet me Handhalen (r.a.) që e gjeti të qahej. E pyeti se ç’kishte dhe ai i tha: Handhale ka rënë në dyfytyrësi. Ebu Bekri (r.a.) i tha: Po si kjo? Handhale(r.a.) tha: Kur jam me të Dërguarin e Allahut jam si të isha njësh me Xhenetin, por kur shkoj tek familjarët e mi harroj. Ebu Bekri i tha: Edhe unë o vëlla, ndiej të njëjtën gjë. Eja të shkojmë tek i Dërguari i Allahut ta pyesim. Kur shkuan te Profeti (a.s.), ai u tha: “Nëse do mbeteshit në të njëjtën gjendje që jeni me mua, do t’ju takonin engjëjt dhe do t’ju vizitonin në shtëpitë tuaja”. [ky hadith vjen në kuptim]; ky pra ishte ndikimi i Profetit (a.s.) tek shokët e tij.

– Këto ishin katër treguesit mbi praninë e guximit, që përbën në vetvete treguesin e tretë prej gjashtë treguesve themelor të lidershipit.

Vijon…

/Altin Torba/

[Bazuar në literatura të dr. Tarik Suejdan]

/Revista Drita Islame, Shtator 2013/

You must be logged in to post a comment Login