Nëse dëshiron të bëhesh lider… (2)

Learn & LeadIniciativa, tregues kyç i lidershipit

Pjesa e dytë

Në trajtesën e mëparshme përmendëm se treguesit që e favorizojnë poseduesin e tyre të bëhet një lider i suksesshëm janë gjashtë: (1) Aftësia analizuese, (2) Iniciativa, (3) Guximi, (4) Serioziteti, (5) Ambicia dhe (6) Ambienti elitar.

Pas trajtimit të treguesit të parë – aftësisë analizuese –, në këtë trajtesë do të bëjmë fjalë për treguesin e dytë të liderit të së ardhmes.

Iniciativa

Rëndësia e këtij treguesi del qartë në pah në faktin se si njeriu i nismave dhe iniciativës nuk vepron për inerci, porse e ndërmerr nismën e vet me iniciativën e tij të lirë, duke mos pritur askënd ta stimulojë dhe vërë në lëvizje. Zakonisht nisma e njeriut iniciator vjen si produkt i shtrydhjes së mendimeve dhe përpunimit të eksperiencave të shumta. Janë këto ide dhe këto përsiatje të cilat njeriu me iniciativë të lartë i shndërron në nisma dhe projekte të suksesshme.

Gjithashtu, natyra e iniciatorit është e atillë që ai është shumë i vëmendshëm, e kundron dhe monitoron me kujdes gjendjen që e rrethon dhe situatën në të cilën jeton. Ai përmes nismës së tij ose zgjidh një problem, ose zhvillon një punë, ose reformon një institucion, ose shpik diçka të re… po kështu aftësia iniciuese e njeriut, tregon se ai ka kapacitete për të arritur nisma tek të cilat pakkush ose askush nuk ka arritur më parë…

Nëse thellohemi sadopak te një individ që është “njeri me iniciativë, nismëtar, aktiv, sfidant, garues”, do vërejmë qartë se si këto karakteristika të tij, nëse pasqyrojnë diçka, janë kapacitetet drejtuese të këtij personi, që e bëjnë atë të jetë në krye të maratonës jetë.

Profeti Muhamed (a.s.) e nxiste iniciativën te myslimanët dhe i jepte asaj në tabelën e nderit një vend që s’ia jepte çdolloj tipari. Ai e evidentonte këtë tipar ashtu siç në fakt ky tipar e meriton.

Nga Abdullah ibën Abasi (r.a.) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:

“M’u ekspozuan të gjitha kombet njerëzore dhe unë pashë prej profetëve kë kishte një numër të vogël ndjekësish; pashë edhe kë kishte një ose dy persona dhe pashë edhe kë nuk kishte askënd. Teksa gjendesha në këtë situatë, m’u pasqyrua një dyndje e madhe njerëzish dhe unë mendova se ata janë kombi [bashkësia] ime, por më thanë: ‘Ky është Musai dhe kombi i tij, ndërsa ti shiko tej në horizont!’ Shikova andej, kur ja, një dyndje e madhe, edhe më e madhe se ajo e mëparshmja. Më thanë: ‘Ky është kombi yt dhe me ta janë shtatëdhjetë mijë që do të hyjnë në Xhenet pa u marrë në llogari dhe pa u ndëshkuar [paraprakisht]’”. Në këto fjalë e sipër Ukashe (r.a.) u ngrit dhe i tha Profetit (a.s.): “Lute Allahun për mua që të më bëjë prej tyre!” Profeti (a.s.) tha: “Ti je prej tyre”.

Ukashe (r.a.) e shfrytëzoi këtë shans dhe e mori iniciativën t’i kërkonte Profetit (a.s.) ta luste Zotin të ishte prej kësaj shtatëdhjetë mijësheje… Pas Ukashes (r.a.), një person i dytë i tha Profetit (a.s.): “Lute Allahun për mua që të më bëjë prej tyre!”, – por Profeti (a.s.) u përgjigj: “Ta mori atë i pari Ukashe-ja”. [Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi]

Në këtë transmetim del në pah pozita favorizuese që gëzon iniciativa në Islam. Gjithashtu të shumta janë rastet në Kur’anin Fisnik kur Allahu i Madhëruar i lavdëron garuesit, iniciatorët dhe prijatarët kah e mira…

Lind pyetja:

Si të arrijmë ta dallojmë praninë e iniciativës tek individi?

Ka disa shenja të cilat nxjerrin në pah kapacitetin iniciues të njeriut, të cilat mund të vërehen edhe që në vegjëlinë e njeriut dhe në vijim, ku më të rëndësishmet konsiderohen pesë prej tyre:

Shenja e parë: Sipërmarrjet

Propozimi i projekteve të reja, inicimi dhe realizimi i tyre, s’ka dyshim se burojnë nga një person i brumosur me personalitetin e një lideri.

Shembull referent:

Spitali i parë ushtarak, i ngritur nga myslimanët, ishte një çadër-spital, që u bë në Betejën e Ahzabitenkas për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve në zhvillimet e kësaj beteje. Kjo çadër-spital gjendej brenda xhamisë së Profetit (a.s.), i cili emëroi në të Rufejda el Eslemijen, medinasen, që shërbeu vullnetarisht për mbarëvajtjen e këtij minispitali ushtarak, të iniciuar nga vetë Profeti (a.s.). Kur Sead ibën Muadhi u plagos rëndë, Profeti (a.s.) tha: “Vendoseni atë tek tenda e Rufejdës [ku shërben ajo], që unëta vizitoj shpesh.

– Kësisoj Rufejda bëhet infermierja e parë ushtarake në Islam. Ky është një projekt i ri që askush nuk e kishte bërë më parë, projekt origjinal, jo imitacion. Kjo është një nismë e dukshme që tregon për frymën e iniciativës që kishte Profeti (a.s.) dhe me të cilën ai i edukonte myslimanët.

– Këto gjëra që u përmendën, mjaftojnë për të spikatur sipërmarrjen, si një tregues i personit tek i cili gjallon fryma e novacionit dhe iniciativës…

Shenja e dytë: Idetë e reja

Sugjerimi i ideve të reja me siguri që përbën një tjetër shenjë kyçe të njeriut iniciator. Me këtë shenjë nënkuptojmë mendësitë e reja, që lindin përmes meditimit mbi realitetin që dëshirohet të ndryshohet apo zhvillohet; nënkuptojmë aftësinë për të lindur ide pozitive; dialogun produktiv rreth ideve të shtruara, që të gjitha së bashku i përkasin karakterit të liderit. Në fund të fundit lideri nuk është zbatues urdhrash, por tek ai duhet të gjendet një mentalitet i mirëstrukturuar, gjenerues idesh, i gatshëm për të përfituar prej ideve të propozuara, prej risive të importuara… Prania e të gjitha këtyre së bashku tek një person, hedh dritë qartë mbi praninë e kapaciteteve të lidershipit tek ai…

Shembull referent:

Një tjetër iniciativë, që i merr premisat po në Betejën e Ahzabit, është hapja e hendekut të madh përreth Medinës. Në vazhdën e frymës së novacionit që gjallonte jetën e myslimanëve është edhe projektimi i katapultave, që i përdori Profeti (a.s.) për të goditur muret e Taifit kur e rrethoi atë… Të gjitha këto iniciativa janë risi që ishin të panjohura ndër arabët…

Shenja e tretë: Drejtimi i ekipeve të punës

Një individ i cili merr nisma të tilla sikurse klasifikimi i njerëzve në grupe, pastaj drejtimi i secilit grup dhe lëvizja e tij drejt arritjes së qëllimit; pa dyshim që i këtilli rrezaton shpirtin e iniciativës dhe shpërfaq premisat e liderit të suksesshëm.

Shembull referent:

Këtë realitet e gjejmë të skalitur në jetëshkrimin profetik në raste të shumta, ndër të cilat edhe në rrethanat më të vështira, konkretisht përgjatë zhvillimeve të Betejës së Ahzabit, në të cilën Profeti (a.s.) i ndau shokët e tij në grupe të ndryshme, ku secili grup kishte një rol të caktuar; fillimisht për hapjen e hendekut i ndan në grupe dhe secilit grup i cakton normën përkatëse qëishte rreth 20 m linear për çdo ekip pune prej dhjetë sahabësh; më pas të gjendur në gatishmëri numër një, i ndan rojet e hendekut në grupe truprojash që ruanin ditë dhe natë çdo pëllëmbë të hendekut dhe qytetit, në mesin e të cilëve ishte edhe grupi i truprojave të Profetit (a.s.) i kryesuar nga Abad ibën Bishër (r.a.); së fundi në situatën e zhvillimeve të Betejës së Ahzabit, Profeti (a.s.) i ndan pasuesit e tij në grupe të ndryshme ndër të cilat më të rëndësishmet ishin grupet e rezistencës që zmbrapsnin çdokënd prej ushtrisë armike që tentonte ta kapërcente hendekun, sikurse ndodhi në rastin kur një grup i kryesuar nga imam Aliu (r.a.) – i cili asokohe ishte rreth të njëzetave – arriti ta zmbrapste grupin e Ikrimës (r.a.) – që asokohe ishte në radhët e ushtrisë armike –… në këtë ditë spikat ndër të tjera edhe iniciativa heroike e Aliut (r.a.), i cili iu përgjigj i vetëm thirrjes së drejtuari rishtazi prej Profetit (a.s.), për të ndaluar turfullimën e Amër ibën AbduUdit, një luftëtari tepër të fuqishëm dhe të sprovuar, që i takonte radhëve të ushtrisë armike, i cili arriti ta kapërcente hendekun. Aliu (r.a.) bën dyluftim me të dhe e lëshon për dhe të vrarë… Shkurtimisht, secilit i ishte bërë tepër i qartë roli i tij, ndaj plani i mbrojtjes dhe rezistencës përballë ushtrisë së stërmadhe armike – falë Zotit – funksionoi shkëlqyeshëm, saqë në raste të caktuara rezistenca kërkoi një angazhim dhe një konfrontim të pandërprerë, që zgjati rreth një ditë të plotë, saqë myslimanët nuk gjetën mundësi as të shkëputeshin për të falur katër namaze rresht, të cilat i shlyen më pas jashtë kohës së tyre përkatëse… Në gjithë këtë spikat roli drejtues i Profetit (a.s.), i cili përveçse u kishte ndarë detyrat vartësve të tij, i nxiste ata dhe ua ngrinte moralin në vazhdimësi, në të gjitha këto momente vendimtare, si në hapjen e hendekut, ashtu edhe në ruajtjen e tij…

– Gjithë sa u përmend vjen e shpalos qartë para nesh shpirtin iniciator të Profetit (a.s.) dhe shokëve të tij të ndershëm (r.a.), duke nxjerrë në pah nivelin e tyre të lartë të lidershipit…

Shenja e katërt: Themelimi i organizatave

Artikulim “organizatë” përdoret me një sërë kuptimesh prej të cilave ndoshta më të spikaturat janë: grup, ekip, shoqëri, shoqatë, parti, fondacion, etj. Aftësia për të ngritur të tilla institucione konsiston në kapacitetet e larta drejtuese dhe iniciuese të themeluesit të tyre. Themelimi i organizatave tregon mbi rëndësinë që themeluesi i jep punës në grup dhe interesit publik. Përmes sa në fjalë, personi spikat karakterin e tij angazhues, aftësitë dhe përvojën e tij vizionare, kapacitetet e tij rekrutuese, drejtuese dhe financuese, inteligjencën e tij monitoruese, kompetencën e tij vendimmarrëse dhe juridike dhe shumë e shumë tregues të tjerë, që në total orientojnë më së miri mbi aftësitë e këtij personi për t’i udhëzuar ndjekësit e tij kah aspiratat e larta të synuara…

Shembull referent:

Të gjithë ne i kemi parë të kristalizohen qartë të gjithë treguesit e liderit të kompletuar, përfshirë edhe këto që përmendën, në jetëshkrimin e Profetit (a.s.), por një pyetje që do të ndillte kërshërinë do të ishte se: A ka pasur në kohën e Profetit (a.s.) ndonjë person apo grup personash që kanë themeluar një grup apo organizatë të pavarur?

Përgjigja është “Po”. Gjatë jetës së Profetit (a.s.) është shfaqur një organizatë islame e cila nuk udhëhiqej nga Profeti (a.s.), por nga një person tjetër…

Bëhet fjalë për historinë e Ebu Basirit (r.a.), i cili i kishte shpëtuar prangave të idhujtarëve mekas dhe vjen në Medinë t’i deklarojë islamizimin e tij Profetit (a.s.), pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Hudejbijes, ku Profeti (a.s.) ndër të tjera kishte rënë dakord të kthente mbrapsht këdo prej mesit të idhujtarëve mekas që do islamizohej dhe do shkonte tek Muhamedi (a.s.) pa lejen e përgjegjësve [kujdestarëve] të tij. Profeti (a.s.), në respektim të Marrëveshjes detyrohet t’ua kthejë Ebu Basirin(r.a.) dy korrierëve të dërguar prej popullit të tij, duke i thënë: “Duro, o Ebu Basir dhe përllogarit se do shpërblehesh. Allahu ka për të bërë për ty dhe për besimtarët e tjerë të vobektë me ty, lehtësim dhe rrugëdalje”. Rrugës Ebu Basiri(r.a.) i bën një rreng njërit prej korrierëve dhe arrin ta vrasë, ndërsa i dyti kthehet i llahtarisur tek Muhamedi (a.s.) në Medinë, teksa pas i ishte qepur për ta vrarë Ebu Basiri (r.a.). Në gjurmët e të llahtarisurit, hyri edhe Ebu Basiri (r.a.) që qëndroi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: “Ti e kreve përgjegjësinë tënde o i Dërguar i Allahut, ndërsa unë u imunizova vetë”. Profeti (a.s.) u përgjigj: “Bishë lufte [është ky person], sikur të kishte me vete të tjerë burra”.

– Në të dy rastet, kur Profeti (a.s.) i drejtohet Ebu Basirit (r.a.), del qartë në pah komenti inteligjent orientues i Profetit (a.s.).

E gjitha kjo konkretizohet së fundi me faktin që Ebu Basiri (r.a.) vendoset në El Ajra, në një udhëkryq shkëmbor ku kalonte rruga e mekasve për në Sham, të cilëve ai u bënte atentate të herëpashershme. Me të dëgjuar për Ebu Basirin (r.a.), myslimanët e Mekës iu bashkëngjitën atij dhe formuan organizatën e parë të armatosur të pavarur myslimane, e cila me kohë arriti një numër prej rreth 60-70 trupash dhe u bë problem tepër serioz për idhujtarët mekas, saqë i detyroi ata ta shfuqizonin nenin e kthimit të myslimanëve të rinj që do largoheshin nga Meka. Pas kësaj Profeti (a.s.) i dërgon një shkresë kësaj organizate myslimane, e cila arriti tek kreu i saj teksa ai po i jepte lamtumirën e fundit kësaj bote… kronistët përmendin se Ebu Basiri (r.a.) ndërroi jetë me shkresën e Profetit (a.s.) në duar. Pas Ebu Basirit, Ebu Xhendel (r.a.), drejtuesi i ri i organizatës, bashkë me organizatën që drejtonte i bashkëngjitet organizatës mëmë, qeverisë islame të drejtuar prej Profetit (a.s.).

– Sigurisht që në sa u trajtua më lart kuptohet fakti se ngritja e organizatave dhe drejtimi i tyre konsiston në aftësi të larta iniciuese.

Shenja e pestë: Kreativiteti dhe novacioni

Novacioni nënkupton një ide të re, një projekt të ri, një nismë, shpikje, metodologji të re menaxhimi apo lidershipi; çdokush që karakterizohet nga këto karakteristika, pa dyshim që hyn te njerëzit iniciatorë, premisat e të cilëve për të qenë liderë të suksesshëm janë të mëdha. Kjo shenjë, sidomos kur vjen në buqetën e shenjave të tjera që u përmendën më herët, na jep një tregues të liderit të së ardhmes…

Shembull referent:

Qëndrimi i Islamit pro novacionit shfaqet qartë ndër të tjera në Betejën e Ahzabit (që ndodhi në vitin 4 hixhri), që është emërtuar ndryshe si Beteja e Hendekut, dhe kjo pikërisht për arsye të kanalit të madh që ndërtuan myslimanët në zonën e zbuluar veriore të Medinës, për të penguar ofensivën e rrjedhshme të armikut. Nuk ka dyshim se ideja e hapjes së një hendeku të tillë për motive lufte, përbënte një mendim novator dhe konsiderohej një risi në mesin e mbarë arabëve. Propozimi vjen nga Selmani (r.a.), që ishte pers. Selmani (r.a.) ftohet nga Profeti (a.s.) ta qartësonte këtë teknikë të zbatuar në popullin e tij në situata të ngjashme dhe aty për aty kjo risi gjen miratimin e Profetit (a.s.) dhe shokëve të tij. Ky pranim shpalos qartë lidershipin e mençur të Muhamedit (a.s.), që ishte i hapur për idetë e zgjuara që buronin nga pasuesit e tij, dhe sapo konstatonte në to vlera, i adoptonte ato duke u vënë vetë në ballë të zbatimit të këtyre nismave. Profeti (a.s.) punoi krah për krah me shokët e tij në ndërtimin e kësaj risie, e cila e bëri komandantin e idhujtarëve mekas, Ebu Sufjanin– që asokohe ende s’e kishte pranuar Islamin – dhe ushtrinë e tij që kur u ballafaquan me hendekun, të thoshin: “Ky është një rreng [teknikë] që arabët s’e njohin”.

– Një gjë e fundit që lipset ta themi në kuadrin e novacionit, është fakti se novacioni që të merret në konsideratë, jo domosdoshmërish duhet të jetë i një rangu botëror, porse novacioni mbetet novacion edhe nëse ai përbën një risi për punën, shoqërinë, organizatën apo kombin tënd. Po kështu standardet ndërkombëtare e konsiderojnë novacion [pra e patentojnë] çdo zhvillim projekti të mëparshëm, që pasurohet me një masë risie prej 15 %…

Vijon…

Përgatiti: Altin Torba

Bazuar në literatura të dr. Tarik Suejdan

/Revista Drita Islame, Gusht 2013/

You must be logged in to post a comment Login