Nën çatinë shpirtërore të më të dashurit të Zotit

Fjala e plotë e Kryetarit të KMSH-së, z. Skender Bruçaj në programin e 10-të festiv ‘Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”

BON_0427

E nderuar Ministre e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro

I nderuar Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj

I nderuar Kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha

I nderuar  Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj

I nderuar Prefekt i Qarkut Tiranë, z. Sadi Vorpsi

I nderuar Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli

I nderuar Kryetar nderi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça

Të nderuar përfaqësues të Komuniteteve Fetare në Shqipëri

Të nderuar deputetë, shkëlqesi ambasadorë,  përfaqësues nga bota e artit dhe e kulturës

Të nderuar pjesëmarrës!

Të dashur motra dhe vëllezër myslimanë

Mirë se erdhët!

Sot jemi mbledhur të gjithë së bashku nën çatinë shpirtërore të më të dashurit të të gjithë myslimanëve, jemi mbledhur nën atmosferën shpirtërore të përvjetorit të lindjes së Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të! Ne besojmë se çdo vend ku përmendet emri i tij, mbushet plot dritë, plot mëshirë e plot dashuri.

Ajetet kur’anore e përshkruajnë atë si mëshirë për botët. Kjo sigurisht që është një dhunti, një mirësi dhe urtësi, por në të njëjtën kohë është dhe një përgjegjësi të cilën Profeti Muhamed (a.s.) e përfaqësoi në mënyrën më të bukur, duke u bërë shembulli më i shkëlqyer, ku njerëzimi të frymëzohet, të motivohet, si dhe të referohet për të mirën, të drejtën dhe virtytet.

Unë personalisht i konsideroj programet festive në përkujtim të Profetit (a.s.) si rifreskim dhe riformim të marrëdhënies sonë me të; duke rigjallëruar në mënyra të ndryshme kujtimin e tij të vyer, ne rifreskojmë besën me të. Për këtë arsye ne e kujtojmë sot përsëri, në këtë bashkësi të madhe, e përkujtojmë dhe e përshëndesim me dashuri e admirim të thellë.

Ai për ne është si një burim me ujë të kthjellët në zemër të shkretëtirës, si një rreze drite në errësirën e paanë. Me mëshirën e tij, një çelës profetik në duart e Hz. Muhamedit (a.s.), ai hapte zemrat e ngurtësuara dhe të ndryshkura, duke ndezur tek ata pishtarin e besimit.

Kur’ani e përshkruan atë si një shembull morali të lartë, teksa thotë: “Padyshim ti je me virtyte madhore.” (Kalem, 4). Profetët kanë qenë monumente të një morali të përkryer për popujt, për bashkësitë ku janë dërguar dhe për gjithë njerëzimin. Nëse në një shoqëri pakësohen personat e virtytshëm, ajo shoqëri është e destinuar drejt humbjes. Një shoqëri e shkatërruar moralisht është e shkatërruar shpirtërisht dhe materialisht.

Prandaj themi se përkujtime të tilla nuk janë ditë të thata përkujtimi, por janë ditë prove të moralit tonë individual dhe shoqëror përballë moralit të Profetit tonë, Muhamedit (a.s.).

Dashuritë e mëdha kërkojnë shpirtra të përkushtuar dhe i Dërguari i Zotit ishte shpirti më i përkushtuar.

I Dërguari i Allahut na fton të jetojmë dhe të dhurojmë jetë. Na thërret të gjallërojmë njeriun dhe njerëzimin. Mesazhi i profetëve është jeta, të jetosh dhe t’i bësh të tjerët të jetojnë. Por fatkeqësisht, sot në botë, në shumë vende shohim vetëm grindje, përleshje, dhunë e mizori.

Të nderuar motra dhe vëllezër! 

Dhuna nuk është rruga jonë.

Ekstremizmi nuk është rruga jonë.

Radikalizmi nuk është rruga jonë.

Profeti predikoi vetëm paqe dhe dashuri, rruga e tij është rruga e jetës, e dashurisë; rruga drejt unitetit për një jetë të paqtë dhe në harmoni me njëri-tjetrin. Prandaj le të respektojmë kujtimin e Profetit (a.s) e të ringjallim mes nesh dhembshurinë, mëshirën dhe respektin.

Të nderuar të pranishëm, të dashuruar pas të Dërguarit të Zotit, të lidhur pas mirësisë, bukurisë dhe respektit, miq të zemrës dhe mysafirë të nderuar.

Ju shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për pjesëmarrjen tuaj. Le të bëhet kjo ditë, motiv i vëllazërimit, dashurisë, paqes dhe lumturisë. Të tregohemi të dhembshur, të duruar, të sjellshëm dhe tolerantë.

Zemërimi, urrejtja, mosmarrëveshjet dhe përplasjet nuk mund ta mbajnë gjallë një shoqëri. Ne kemi nevojë për modelin dhe shembullin e Profetit Muhamed (a.s.), modelin e paqes dhe mirësisë. Duke ndjekur shembullin që ai la pas, le të ndërtojmë të gjithë së bashku dhe secili në veten e tij, një botë të paqtë, me dashuri e respekt për jetën dhe për të gjitha krijesat!

Kurrë mos e humbni shpresën nga Zoti i Madhëruar dhe lutjuni Atij për mirësi e begati.

Ju përshëndes me dashuri dhe respekt.

Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja dhe Shqipërinë tonë të shtrenjtë.

Ju faleminderit!

You must be logged in to post a comment Login