Në sexhden e shpirtit

Përkulu me thjeshtësi dhe bjer në sexhde me pëshpëritje! Trupi të vazhdojë me ecurinë e natyrshme të namazit, kurse shpirti të mbetet vazhdimisht në sexhde dhe të mos ndahet asnjë çast nga ai bashkim nga agimi në mbrëmje!

sexhdenga Ferit LIKA

Sërish po më thërrasin këto minare. Më ftojnë drejt së shenjtës, më ftojnë në një “udhëtim qiellor”. Është koha për pak bashkëbisedim me gjuhën e shpirtit, e aty në mes të shkretëtirës së qenies time fillon të fryjë erë e lumturisë; fillon të zbresë një shi i ngrohtë i qetësisë së zemrës, e më vjen si lajmëtarë i takimit me Krijuesin.

Kur thërret Ezani, njeriut të besimit i ndizet shpirti dhe ashtu nxitimthi niset për në faltore. Harron çdo gjë të kësobotshme e zemra i rreh për takimin e shumëpritur. Në atë çast çdo gjë sfumohet, thërrmohet e bëhet pluhur, por vetëm ajo, shtëpia e Zotit mbi tokë, qëndron aty, e lartë, madhështore, si përmendore e shpirtit të djegur nga malli për Sublimen. Dritaret e së Vërtetës hapen njëra pas tjetrës e ashikët e dashurisë hyjnore i afrohen Krijuesit me besim e dituri, dhe duke medituar të fshehtën hyjnore, sodisin shfaqjet dhe të vërtetat e larta. Një e vërtetë e pamohueshme është se, Shpirti kërkon një mjet për t’u kapur dhe të shkojë deri te “kroi i lumturisë” dhe rruga për të arritur deri atje është përmes lutjes dhe pendimit, përmes ritualit të faljes, namazit.

Namazi është prehja e shpirtit, shëtitja e ndërgjegjes! Ai është çelësi i të vërtetave, përgjigjja e enigmave. Ai është një akt që të mban gjallë besimin, shpresën. Namazi më është bërë drita e syve të mi, thoshte Zotëria ynë. Po ne? Padyshim, që jemi më të verbër se kurrë, edhe drita më e vogël do të na bënte të shihnim përtej njerëzores, materiales. E në këtë hon të thellë terri, namazi për ne është pishtari ndriçues i zemrave të “burgosura” mes mureve të materies. Është drita në fund të tunelit që të gjithë e dëshiruan. Është lehtësimi i shpirtit të përvuajtur. Është shërimi i zemrës së drobitur.

Përfshirja e trupit në aktin e adhurimit sjell angazhimin e njeriut në krejtshmërinë e tij, teksa lutet me tërë qenien dhe vetëdijen që e karakterizon. Duke kthyer trupin nga kah Qabeja, zemra kthehet kah Allahu, dhe ndjen madhështinë e Tij. Duke ngritur pëllëmbët gjer në veshë, të hidhen pas plotësisht punët e kësaj bote, duke dalë prej saj, për të hyrë në botën e pavdekshme të ahiretit. Në qëndrimin në këmbë, duke mos e harruar për asnjë çast qenien para pranisë hyjnore, bartim zemrën drejt kulmit të ndjenjës së dobësisë, nevojtarisë dhe nënshtrimit para Zotit. Ndërsa pëshpëritja e sexhdes të kalojë brenda mendimit dhe ndjenjës ky është çasti kur robi ndodhet më afër me Zotin e tij, duke e shndërruar në sexhde të shpirtit dhe jo të trupit. E në këtë komunikim, i drejtohemi të Plotpushtetshmit me fjalët hyjnore, ku fjala e shpallur kumbon në rendin muzikor, çka padyshim është lidhja më e fortë e mundshme ndërmjet ritit dhe artit.

Nganjëherë zhytemi aq shumë në telashet e kësaj bote saqë edhe adhurimet e detyrueshme i lëmë për në minutën e fundit në mos më keq, i harrojmë fare. Namaze të falur shpejt, pa kujdes, lutje të pabëra. Kjo kohë kaq e shkurtër, ndoshta do të na hapë dyert e faljes. A nuk është e paudhës të shpërdorohet një mundësi e tillë? Le të presë edhe pesë minuta bota! Ai është ndriçimi, ritmi i jetës shpirtërore të njeriut, nuk është një akt i parëndësishëm sa të kalohet ashtu shpejt e shpejt. Kryerja e vetëdijshme e namazeve nga besimtarët do të sjellë rregull në jetën e tij të parregullt dhe ekuilibër në zemrën e tij të çoroditur; duke ia ngritur në këmbë ndjenjat e rrënuara, do t’u lëshojë një dritë mendimeve të tyre të turbullta. Për rrjedhojë njeriu do të gjejë mundësinë për të parë drejt.

Kur gjunjët përthyen, kur trupi përkulet, e zemra dridhet nga  fjala hyjnore, është një akt nderimi nga besimtari për çfarë është e Pashëmbëlltyrtë; Kur balli prek tokën, është dorëzimi i vetes vullnetit të një Zoti të gjithëpushtetshëm; Kur duart ngrihen lart, e shpirti kërkon falje, ku zemra ngopet nga  Burim i Pashtershëm i Dashurisë Sublime, janë këto çaste të paharrueshme, që i japin kuptim kësaj jete kalimtare! Ndaj, përkulu me thjeshtësi dhe bjer në sexhde me pëshpëritje! Trupi të vazhdojë me ecurinë e natyrshme të namazit, kurse shpirti të mbetet vazhdimisht në sexhde dhe të mos ndahet asnjë çast nga ai bashkim nga agimi në mbrëmje!

 (Revista Drita Islame, Shkurt 2014)

 

You must be logged in to post a comment Login