Në Qabe, aty ku shpirti ndjehet në botën e tij!

 “Ndiej që diçka shkëputet prej meje, një pjesë e shpirtit, për të cilën e lus Zotin vazhdimisht të më risjellë për ta marrë…”

ilir hoxholli

Ilir Hoxholli, një emër i njohur në rrethin e myslimanëve të kryeqytetit dhe përfaqësues aktiv i shoqërisë civile, në këtë intervistë flet për eksperiencën e tij si mysafir në Shtëpinë e Zotit. Teksa kujton me nostalgji disa nga mbresat dhe ndjesitë e përjetuara në haxh, ai shpjegon se çdo eksperiencë nuk i ngjan tjetrës, pasi vajtja në Mekë nuk mund të krahasohet me një udhëtim turistik me të cilin mund të “ngopesh” për të vizituar një tjetër vend. Pavarësisht se e ka ndërmarrë këtë udhëtim më shumë se një herë, ai thotë se e merr malli shpesh për ato vende të mrekullueshme ku siç shprehet ai “shpirti ndjehet në botën e tij”.

 

Keni qenë disa herë në haxh. Duhet të jetë diçka shumë tërheqëse që ju e keni përjetuar shpesh përderisa keni vendosur të shkoni sërish. Si do ta përshkruanit këtë eksperiencë tuajën me pak fjalë?

Eksperienca asnjëherë nuk i ngjan hera herës tjetër të shkuar. Nuk mund të krahasohet me një vend turistik me të cilin ti mund të “ngopesh” për të vizituar një tjetër vend. Me Qaben është diçka ndryshe. Vërtet mund të shikosh sërish të njëjtën pamje, atë godinë të mbuluar me pëlhurën e zezë, e cila në vite nuk ndryshon, por ajo pamje ka një tërheqje me të cilën çdo fjalë do kërkonte një tjetër për ta plotësuar atë ndjenjë deri në pafundësi fjalësh dhe përsëri do mbeteshe i pakënaqur me përshkrimin që mund t’i bëje. Unë e kam quajtur “magnet” të shpirtrave. E derisa në jetën e përditshme është trupi që komandon në të shumtën e kohës, atje kemi të bëjmë me një tjetër dimension; shpirti udhëheq trupin në kënaqësi hyjnore pafund. Ndaj dhe përshkrimi është tepër i vështirë, pasi ne nuk mund të përshkruajmë dot kënaqësitë e shpirtit; ato ndjehen ndryshe, kanë tjetër botë me të cilën ti kënaqesh. Çdo përpjekje është e kotë. Shpirti atje pastrohet dhe rifiton energji pozitive dhe gjen qetësinë e munguar…

Qabeja është zemra e botës myslimane, që i pret dhe i dërgon impulset e Islamit në të gjithë popujt e botës. Njerëz të racave dhe kombësive të ndryshme vijnë nën të njëjtën veshje, në të njëjtin vend, me të njëjtin qëllim. Si ishte për ju të qëndronit i rrethuar nga ai grumbull i madh njerëzish?

Të jesh i rrethuar nga një grumbull disa milionësh është të njohësh vetveten në raport me Zotin. Ne mendojmë shpesh se, duke jetuar në një vend ku praktikimi i besimit është në fillimet e veta pas diktaturës komuniste, jemi të shpëtuar dhe se me adhurimin që kryejmë duke e krahasuar atë në raport me njerëzit, themi se bëjmë shumë. Ndërsa atje ti “teston” vetveten; përballë teje janë miliona si ty, shfaqen miliona të cilët garojnë në lutje, adhurim e falje, për të ndryshuar dhe përmirësuar vetveten. Në ato momente dhe mbreti, apo çdo pushtetar, është i detyruar të jetë i barabartë, me një veshje, në një vend, në një kohë, ngjashëm me botën tjetër ku çdo funksion i kësaj bote nuk pi më ujë. Ndaj ndjesia njerëzore është përtej pushtetit tokësor ku ndjesia e mikut apo privilegjit ndikon në përditshmërinë tonë. Para Zotit janë të gjithë të barabartë, ku mëshira e Tij përfshin gjithçka, duke shpërblyer mundin dhe sakrificën e kujtdo që ka ndërmarrë atë rrugëtim të largët. Prandaj dhe shpirti ndjehet në botën e tij, dhe ato vende të shenjta kanë një gjuhë të tyre, një ndjesi që askush nuk mund ta përshkruajë dhe e vetmja mënyrë është ta ndjejë atë.

Shumë prej besimtarëve që e kanë kryer këtë udhëtim shprehen se ritet që kryhen në vendet e shenjta lënë gjurmë të thella në shpirt dhe mbeten të gjalla deri në fund të jetës. Çfarë ndodh me ju?

Është e vërtetë, sepse e vërteta kudo mund të mohohet përveçse në brendësinë tënde shpirtërore. Jam i sigurt që çdo besimtar i intervistuar pas intervistës do të ndjehej i “tradhtuar” pasi as gjurmët, as ndjesitë nuk mund t’i shpjegojë. Por ai mund të shfaqë gjurmët në sjelljen e tij, që pas haxhit shfaqet e përmirësuar. Çdo besimtar pas kryerjes së vizitës në ato vende, do ta marrë malli, bile mua më kaplon që në momentet e kthimit me avion. Ndiej që diçka shkëputet prej meje, një pjesë e shpirtit, për të cilin e lus Zotin të më risjellë për ta marrë. Çuditërisht çdo herë që shkoj e rigjej për ta lënë përsëri. Dhe ky mall më përsëritet me vite, ashtu si çdo besimtar, pasi dashuria për këtë vend është e lidhur direkt me Zotin. Ritualet e haxhit kane sinjifikimin e tyre, pasi haxhi është një udhëtim i ngjashëm me njeriun në këtë botë; është një rrugëtim i cili i kujton njeriut se duhet të jetë i dashur me krijesat e Zotit; duhet të lërë një emër dhe punë të mira për të cilat ai do të jetë i nevojshëm në botën tjetër. Ndaj dhe shpërblimi i haxhit është shumë i madh; mëkate të falura, rilindje në kuptimin e plotë, pasi dhe shpërblimi vjen “ashtu si ju ka lindur nëna juaj”, domethënë i pastër nga mëkatet. Besimtarët që i kanë mundësitë, paraqiten para Zotit në këto vende më shumë se një herë. Kjo ofertë e parezistueshme i tërheq shpirtrat drejt këtyre vendeve duke lënë gjurmë të thella të një udhëtimi për të cilin fjalët janë të pamundura…

Intervistoi: Haxhi Lika

(Revista Drita Islame, Tetor 2013)

You must be logged in to post a comment Login