Në përnderim të alimëve tanë

Profesor Hajri Shehu

Me profesor Hajriun bashkëpunoj prej vitesh, por kohët e fundit m’u dha rasti të njihemi më nga afër dhe më mirë. Në fund të saj u përpoqa t’i përafroj një tipar që e portretizonte më saktë, por cilësimi “alimi ynë, njeriu i përparimit moral”, më duket që është më afër me çka dëshiroj të shpreh.

Kur dikush që kishte njohje personale me të e pyeti për Moskën, ai iu përgjigj se kishte qenë atje para rreth gjashtëdhjetë vjetësh e se përsëri i kujtoheshin jo pak ndodhi. Kujtimet e atyre viteve e gjallëronin kur i sillte në mendje. Nuk kishte mundur t’i vijonte studimet në degën “Orientalistikë” të Institutit Vastoçnih Jazikov në vitin 1961, sepse ishin prerë marrëdhëniet shtetërore me Bashkimin Sovjetik. I kishte vijuar në Universitetin Shtetëror të Tiranës, dega “Gjuhë angleze – gjuhë shqipe” dhe me vetëdashje “Pedagogji-psikologji” (si degë e dytë) në periudhën 1961-1965.

Në vjeshtën e vitit 1965 filloi punë si mësues në kryeqendrën e krahinës së tij, Peshkopi, ku punoi 2 vjet, sepse e transferojnë në Gjirokastër gjatë viteve 1966-1968, për t’u kthyer dy vjet të tjerë në krahinën e vet përsëri si mësues.

Në vitin 1971 i qeshi fati, sepse e kishte bindje se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Emërohet punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të vendit tonë, ku punoi deri në vitin 1993. Dy vitet pas i kalon pranë “International Islamic Relief Organization”, zyra e Shqipërisë, Tiranë, kurse gjatë viteve 1995-1997 do të kalojë si pedagog në katedrën e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës.

Në vitin 1997, biri i Vleshës së Dibrës, rikthehet pranë Akademisë së Shkencave, duke arritur të ngrihet në nivelin e anëtarit të këshillit të profesorëve të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, si dhe të anëtarit të këshillit shkencor të këtij institucioni unik në historinë e kulturës dhe të identitetit tonë kombëtar.

Profesor Hajri Shehu, ndonëse 75-vjeçar, mban marrëdhënie pune me Shtëpinë Botuese të Oksfordit (Oxford University Press), duke qenë ndërkohë anëtar i Euraleksit (Shoqata Evropiane e Leksikografëve) dhe i “Alex Nash Fellowship of Albanian Studies” në Universitetin e Londrës.

Dhe gjithçka që i është dhuruar bujarisht ia ka falur gjuhës së vet, që jo vetëm e ka përdorur, por e ka pasuruar dhe mbrothësuar. Diktatit ideologjik nuk i ka shpëtuar as “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980, ku është bashkëhartues, por ai me durim vijoi ndihmesën e nisur në veprat e tjera leksikografike, që e ngritën shqipen në nivelin e një gjuhe shkencore.

Veç fjalorëve shqip-shqip, ai ka ndihmesë të dukshme në hartimin e fjalorëve terminologjikë, sinonimikë, të fjalorëve me fjalë e shprehje popullore, të atyre tematikë bashkëbisedimorë anglisht-shqip, si dhe të disa fjalorëve dygjuhësh.

Punës së tij voluminoze nuk mund t’i mungonin monografitë, artikujt shkencorë, recensat e oponencat shkencore, kumtimet shkencore, si dhe punët për pasurimin e Kartotekës së leksikut të shqipes. Dhe alimi ynë nuk mund të mos shfaqej në faqet e revistës popullore “Drita islame” me artikuj të tillë shkencorë, ndonëse kredoja e tij diturore mbeten përkthimet a redaktimet e përkthimeve, të cilat i kalojnë 10 000 faqe libri literaturë fetare islame, botimi “Tregues i Kur’anit” (mbron bindjen se kjo fjalë duhet shkruar me apostrof) si dhe parathënie librash e artikuj studimorë për Kur’anin e për Islamin në revista të ndryshme.

Dijetari ynë hyn në grupin e “njerëzve që mendojnë thellë” (45:13), duke lënë modelin e alimit që është udhëhequr nga lutja: “Zoti im, ma shto diturinë!” (20:114)               

Ndërkohë, fjala që na ka mbetur në gojë dhe për të cilën kemi nevojë më shumë se për të gjitha të tjerat, është fjala përparim, veçse atë e shohim të sendërtuar jashtë vendit tonë dhe sëmundja e të ikurit po merr përmasa të frikshme, veçmas te të rinjtë shqiptarë. Ankohemi tani, në verën e vitit 2017, për mungesën e ujit, arsyetojmë se përse jemi kështu, kur jetojmë mbi këtë pasuri dhe jemi të bindur se duhet të përparojmë në infrastrukturë, ku jemi prapa të tjerëve. Ankohemi për pastërtinë dhe dëshirojmë të bëhemi me mjediset si ato që kemi parë e shkelur vetë jashtë vendit, si të atyre fqinjë si dhe pak më larg, apo që na kanë treguar të tjerët, të cilët i kanë vizituar. E po kështu dëshirojmë të jemi me nivelin e administratës, të shërbimeve…, si atje.

Përparim do të thotë rritje e cilësisë së jetës, ku hyn cilësia e arsimimit, e mjedisit, e ushqimit, e argëtimit… Me raste i kthehemi kujtesës dhe sjellim në hatër rrugicat e pastra të Korçës plakë, 5 kinematë e saj, gazetat e shumta, Liceun kombëtar të Korçës, rendin, qetësinë, tregun plot, paqen sociale, jaret e Shkodrës, medresetë e shumta të Beratit, kishat e pikturuara nga ikonografët tanë me famë, urat mesjetare, xhamitë plot sqimë, burrninë e shqiptarit dhe mohojmë gjithçka që kemi mundur të ruajmë. Mohimi i gjithçkaje tonës krijon boshllëk, që lejon të mbushet nga ndikimi i huaj. Në periudha dhe mjedise boshe rritet ekstremizmi i dhunshëm.

Kur e pyeta për një çast profesor Hajriun se përse harxhohen aq shumë energji për t’i shërbyer mohit, ma ktheu se nuk kishte pasur kohë t’i lexonte përdorësit që i përhapnin, sepse i duhej ajo për punë të dobishme.

Është fakt se morali qytetar te ne po bjerr poshtë e më poshtë. Çdo ditë. Në fjalët kyçe të përditshmërisë sonë janë korrupsion, kriminalitet i organizuar, prostitucion me dëshirë apo si mjet për të mbijetuar, drogë, urrejtje… Gjithkund ndihet flladi i entuziazmit ateist që mohon gjithçka kombëtare në mbështetje të internacionales, që nuk e pranon identitetin kombëtar. Jemi deri në prag të humbjes së shpresës, që ua shkakton njerëzve ndërgjegjja e dyfishtë e shkaktuar nga terrori shtetëror diktatorial i dikurshëm.

Zi dhe zijim gjithkund dhe për gjithçka që ndikon dhe për krijimin e shijeve të bashkëqytetarëve tanë. Kur shkojnë në vende të tjera, pas ditëve të para, fillojnë të gjejnë që edhe aty ka jo pak gjëra që duhet të përparojnë, dhe ka jo pak që kthehen. Më stoikët, kur u mungon vendi i tyre, atëherë i kthehen atdheut, dhe kujtojnë se populli shqiptar kishte mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore, duke dëshmuar se janë një popull i fortë, që flet e shkruan një nga gjuhët më të lashta të Evropës. Pastaj shtojnë besën, burrninë, mikpritjen.

Po si i bëhet? Dhe zgjidhjen e kemi brenda vetes. Modelet i kemi. Duhet të shohim më shumë me zemër, të dëgjojmë më shumë me zemër dhe të rrekemi ta mbajmë zemrën të pastër duke u përpjekur të mendojmë me zemër. Alimët tanë na japin shembullin konkret.

Po duke u ankuar e ndjellë keq nuk se fiton gjë. Më të diturit, që nuk mungojnë te ne, punojnë pa pushim për të edukuar njerëzit që të mos presin, po t’i vihen punës bashkërisht për të ndryshuar gjendjen. E kanë etiketuar: Përparimi është dashuria e njerëzve për zbatimin e ligjeve morale. (A. Çehov te novela Jeta ime) dhe një nga ligjet bazë të moralit kombëtar na porosisin të ruajmë dhe shpiem përpara vlerat nga Lindja dhe nga Perëndimi. Sipas kësaj maksime ka ecur pa u ndalur edhe profesor Hajriu. Dhe ai ka ndihmuar dhe ndihmon si rrallëkush për shtimin e njerëzve që janë të dëshiruar për zbatimin e ligjeve morale.

Ka që arrijnë t’i duan ato, por alimi ynë e ka bindje se askush nuk ndihmon më shumë sesa besimi fetar.

Rahim Ombashi

/Revista ‘Drita islame’ – tetor 2017/

You must be logged in to post a comment Login